Botë

“Kjo s'është tradhti, por luftë kundër së keqes”

Zaporizhzhia

Në fund të janarit, çifti rus, gjeodeti 55-vjeçar, Sergei Voronkov, dhe bashkëshortja e tij Tatyana kaluan ilegalisht kufirin me Lituaninë dhe u thanë rojave kufitare se po kërkonin azil politik.

Disa vjet para nisjes së ofensivës ushtarake të Rusisë mbi Ukrainë, Sergei Voronkov dhe bashkëshortja e tij Tatyana u zhvendosën nga Moska në Zaporizhzhia, ku kishin një fermë në një prej fshatrave të Tokmatit.

Dhe në shkurtin e 2022-tës, rusët si Voronkovi u gjetën papritmas nën pushtimin rus dhe vendosën “t'i dilnin krah Ukrainës”.

Ata ua siguruan shërbimeve speciale të Ukrainës koordinatat e vendndodhjes së ushtrisë dhe të pajisjeve ruse. Pasi i mbijetoi  rrëmbimit dhe bodrumit ku u mor në pyetje, çifti rus shpëtoi nga pushtimi. Në majin e 2024-tës, Sergei Voronkov ishte ulur në një bodrum në qytetin ukrainas të Tokmakut, të pushtuar nga ushtria e Vladimir Putinit, duke i dhënë lamtumirën jetës. Çifti s'do të dilte nga bodrumi. Një qytetar rus në territorin e okupuar, që ndihmoi shërbimet speciale ukrainase, dhe madje e pranoi këtë - kishte pak gjasa. Ai gërvishti emrin e tij në mur dhe vendosi vija pranë tij, duke i numëruar ditët që kalonin në bodrum. Pas dëshmisë, ai nuk u dërgua më për t'u marrë në pyetje. E kuptoi se nata po shndërrohej në ditë.

Moskovitët po shkojnë në Novolyubimovka

Sergei dhe Tatyana janë gati në moshë pensioni, por duken të gëzuar, ndonëse Sergei thotë se e ka të vështirë të bëjë punë fizike.

Ai shpreson që t'i njihen në Evropë dokumentet prej një gjeodeti dhe të vazhdojë profesionin e tij. Ai e kishte ndryshuar jetën e tij në mënyrë dramatike një herë: Kur ishte transferuar nga Moska në Ukrainë, në një fshat ku nuk jetonin as 300 njerëz.

Sergei dhe Tatyana Voronkov vendosën të zhvendoseshin nga Rusia në Ukrainë, menjëherë pas aneksimit të Krimesë, që shënoi nisjen e armiqësive në Ukrainën lindore në vitin 2014. Tatyana është nga Chistyakove, rajon i Donetskut, që më pas u gjend nën kontrollin e të vetëshpallurës Republika Popullore e Donetskut.

Sergei, banor i Murmanskut, që shërbeu në ushtrinë e rajonit të Kievit gjatë periudhës sovjetike, nuk e përkrahu politikën e Kremlinit ndaj Ukrainës.

“Në vitin 2014 shkuam në tubime derisa Boris Nemstov (ish-opozitar i Vladimir Putinit) ishte gjallë. Ndërsa jetoja në Moskë, bisedova me njerëz dhe thashë se ishte keq. Se Krimea ishte pushtuar dhe ata kishin pushtuar Donbasin. Dhe gjithnjë më tepër negativitet vinte nga njerëzit: ‘Nëse nuk ju pëlqen Rusia, largohuni’. E kuptova se asgjë s'po ndërronte, propaganda shtetërore po helmonte gjithnjë e më tepër njerëz. Ne vendosëm të largoheshim. Çfarë do të bëjmë atje nëse s'mund të flasim me askënd?” - ka deklaruar Sergei.

Mes Voronkovëve, veç një person i ndante pikëpamjet e çiftit, thotë Sergei. Tatyana pohon se në 2014-n humbën punën për shkak të pikëpamjeve të saja.

“Kam punuar si drejtoreshë zhvillimi në një kompani që merrej me kimikate shtëpiake. Nuk është se kam folur haptas, por kam pasur një qëndrim të ashpër që nga fillimi. Dhe disa herë më është thënë se ky qëndrim duhej ndryshuar. Mendova se mund t'ua shpjegoja kolegëve të mi, por doli që 90% e kësaj vinte nga pala tjetër”, është shprehur ajo.

Sergei Voronkov filloi të punonte si gjeodet gjersa ishte ende në ushtri, pastaj donte të ndryshonte profesionin e tij, por në vitet '90 jeta edhe në Moskë “ishte e vështirë, por ishte e mundur të fitoje para si gjeodet”.

Ai gjeti një punë si gjeodet në Ukrainë disa vjet pasi u zhvendos. Duke filluar nga viti 2016, çifti udhëtonte atje çdo gjashtë muaj, duke menduar se ku të vendoseshin.

“Është më e lehtë të zhvendosesh në një fshat, atje ka ushqim. Ne nuk ishim plotësisht pa njohuri në bujqësi”, shpjegoi Sergei, duke treguar pse ata në fund zgjodhën fshatin Novolubymivka, në distrikti Tokmatsky, në Zaporizhzhia.

Ai pendohet pak që ai dhe Tatyana nuk u vendosën në bregun e djathtë të Dnieperit, të cilin ushtria ukrainase arriti ta çlironte së bashku me Khersonin në vjeshtën e vitit 2022.

Por, Tatyana donte të ishte më afër të afërmve të saj që jetonin në territorin e Donbasit.

Fillimisht, çifti bleu një shtëpi në Novolubymivka për vete. Pastaj një apartament në Tokmak, ku u zhvendos babai i Tatyanas.

Në fillimin e 2022-tës, Voronkovët blen jozyrtarisht dy parcela të tjera nga fqinjët e tyre.

“Në fshat janë 100 shtëpi, 30 për qind e të cilave ishin të pabanuara para luftës. Ne nuk mund të blinim tokë si banorë jorezidentë të Ukrainës. Secili ka 15 hektarë tokë atje dhe ne mund të shfrytëzonim vetëm parcelën përreth shtëpisë. Kështu që blemë një shtëpi të dytë me një parcelë dhe pastaj një të tretë. Gjyshja, fqinje jona, vdiq. Përfundimisht ramë dakord që do ta përdornim (tokën e saj)”, ka deklaruar Sergei.

Më 19 shkurt 2022, babai i Tatyanas vdiq. Funerali u bë më 21.

“E thirra vëllain tim në Donbas për t’i treguar se si e varrosën babanë tim dhe gruaja e vëllait tim tha se ai ishte marrë për të studiuar”, kujton ajo. “Atëherë e kuptova se do të kishte një luftë, por nuk mendoja se do të ndodhte brenda tri ditësh”.

“Kolona e parë që kaluam”

Sergei Voronkov nuk merrej vetëm me bujqësi: disa muaj para fillimit të pushtimit rus, ai gjeti punë në Zaporizhzhia në specialitetin e tij kryesor, si gjeodet.

“Kur gjeta një punë, kishim tre gjeodetë. Dy ishin shtetas ukrainas dhe unë kisha pasaportën time të kuqe. Pra, paga ime ishte më e larta nga të tre ne!” - ka rrëfyer ai.

Sipas Sergeit, s’kishte telashe as me gjuhën.

“Fqinjët tanë në fshat flisnin rusisht. Dhe kolegët e mi, kur u drejtohesha atyre, kalonin me qetësi në rusisht. Tani thonë se në parim nuk e flasin”.

Sergei beson se Ukraina tentoi sërish të mos fliste për pushtimin e afërt, por ai dyshon se autoritetet e dinin këtë dhe madje dinin datën e saktë - 24 shkurt.

“Meqenëse punoja në objekt, aty ka një nënstacion energjie, organizata jonë ishte e angazhuar në rindërtimin e tyre. Dhe na u tha se askush nuk duhet të ishte në punë më 24 shkurt, gjoja do të kishte ushtrime për rilidhjen e sistemit energjetik të Ukrainës me Bashkimin Evropian. Ata thanë: nga 24 deri më 27 do të kishte ushtrime të tilla. Dhe si rezultat, ky objekt u bombardua”, ka rrëfyer ai.

“Dhe në mëngjesin e datës 24, dëgjova diçka që fishkëllente, diçka që fluturonte. Dola jashtë - një raketë po fluturonte mbi shtëpi. Ose ishin duke u larguar, ose ishin me defekt. Shikova në internet, me nxitim, se çfarë kishte ndodhur dhe shkruante se Kievi ishte bombarduar tashmë”, kujton Tatyana ditën kur nisi pushtimi në shkallë të plotë.

Sergei Voronkov dhe bashkëshortja e tij Tatyana

Që prej 26 shkurtit, Novolubimivka, ku po jetonte çifti, ishte pothuajse nën pushtimin rus.

“Por, ndodhi që ne jetuam në një ‘zonë gri’ për një kohë mjaft të gjatë. Trupat hynë në Tokmak, por nuk hynë te vendi ku gjendeshim ne. Më 26 shkurt, kolona e parë kaloi pranë nesh”, rrëfen Tatyana.

Duke parë kolonën ruse, ajo tha se vrapoi në dhomë, mori telefonin dhe i shkroi një të njohuri nga Kievi, i cili, mendoi ajo, “njihte dikë në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës”.

Një shoqe i dërgoi asaj një lidhje për një “chatbot” të veçantë në Telegram dhe i rekomandoi që ta kontaktonte atë. Chatboti e informoi çiftin se një person me një pseudonim të caktuar do t'i kontaktonte.

Në fillim, Tatyana frikësohej të komunikonte me të.

“Kisha pak frikë ta besoja, por doli që gjithçka ishte në rregull. Ai tha se ishte e nevojshme të transmetohej vendndodhja e luftës elektronike, lëvizjet, grumbullimet e pajisjeve të mëdha, ata ishin veçanërisht të interesuar për sistemet e raketave, tanket, armët vetëlëvizës”.

Kolona ruse kaloi Novolubimovkën për një kohë të gjatë, kujton Sergei.

Pothuajse dyqind njësi pajisjesh ushtarake po lëviznin në veri drejt Peremozhnytt. Ai pretendon se pasi koordinatat iu transmetuan Kievit, kolona u “mbulua” disa herë nga artileria ukrainase.

“Është e vështirë ta verifikosh këtë tani. Në fillim të luftës, luftimet në ato vende ishin të ashpra dhe bombardimet ishin aq të shpeshta sa ishte e pamundur të përcaktoheshin saktësisht pasojat”, ka shtuar Sergei.

“Nuk kishe dyshime? Ju jeni qytetarë të Rusisë, keni dhënë koordinatat e Ushtrisë ruse, kjo është në thelb tradhti”, u pyet çifti nga ekipi i BBC-së.

“Jo, ne nuk e konsideruam tradhti. Tradhti do të thotë nëse Rusia sulmohet dhe ne punojmë për armikun. Askush nuk e sulmoi Rusinë. Ajo që po bënim ne – çfarë lloj tradhtie është kjo? Kjo është një luftë kundër së keqes. Lufto kundër së keqes!” – përgjigjen Tatyana dhe Sergei, i cili është ulur pranë saj dhe tund kokën në shenjë pohimi.

Në fshat u shfaq një lider i ri i administratës që u përpoq t'i frikësonte banorët vendas me histori se si Rusia do t'ua merrte të gjitha shtëpitë dhe më pas do të vendoste nëse do t'i kthente apo jo.

Çifti u akuzua se po bashkëpunonte me armikun e Rusisë, pasi u pa duke tërhequr para dhe dyshohej se ishin para që u morën nga Ukraina. Sergei dhe Tatyana thanë se ishin paratë që ua kishte dërguar djali i tyre që kishte mbetur në Rusi.

“Ne po prisnim që Ukraina të kthehej siç ishte. Të gjithë thoshin se do të kishte një kundërsulm. Ne rrinim vazhdimisht ulur, duke dëgjuar lajmet ukrainase. Pastaj u mësuam, e rregulluam familjen sa më mirë që mundëm, e ndihmuam Ukrainën dhe u ndiem gati si në shtëpinë tonë”, ka rrëfyer Tatyana.

Kjo përfundoi me arrestimin e Sergeit.

Fundi i pjesës së parë. Vazhdon nesër