Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nuk shprehen pritje që partitë e mëdha të garojnë në koalicione

Partitë politike

Foto ilustrim

Subjektet politike ende nuk kanë bërë të ditur se si do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit, të vetme apo në koalicion me ndonjë subjekt tjetër politik. E, komentatorë politikë vlerësojnë se partitë kryesore pritet të garojnë të vetme, meqë koalicionet mund t’u shkaktojnë më shumë dëme sesa dobi

Edhe gjashtë ditë kohë kanë partitë politike për t’i zyrtarizuar koalicionet me të cilat do të mund të paraqiten në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 7 qershor.

Por, asnjëra prej subjekteve politike kryesore nuk ka bërë të ditur të shtunën se si do t’i hyjnë garës zgjedhore. KOHA ka dërguar pyetje tek një numër zyrtarësh, por nuk ka pranuar përgjigje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E, njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se lidhja e koalicioneve para zgjedhjeve është pak e mundshme.

Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se partitë e mëdha do të garojnë të vetme, ndërsa koalicionet do të mbeten te partitë e vogla, veçanërisht ato që rrezikojnë të kalojnë pragun.

“Koalicione parazgjedhore vështirë se do të ketë sepse janë ato ‘thikë me dy teha’ e thotë populli. Do të thotë, sa mund të të ndihmojnë, mund edhe të ju bëjnë dëm partive bazë, partive mëmë, të themi kushtimisht, në listën e të cilave hyjnë”, ka thënë Baraliu. “Për shembull, në këtë rast siç ishte rasti i Nismës me AAK-në dhe në vend që të përfitojë partia, mund të humbë siç humbi AAK-ja me Nismën”.

Në zgjedhjet e shkurtit të vjetëm, koalicioni AAK-Nisma mbërriti gjithsej 8 deputetë. Nga ta 3 deputetë i takuan Nismës. Të dyja subjektet politike prishën raportet menjëherë pas zgjedhjeve, ndërkaq në Kuvend nuk u dakorduan të bëjnë as grup të përbashkët parlamentar. E, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të 2025-s, këto parti garuan ndaras. AAK-ja mori rezultat për 0.5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e pak muajve më parë, ndërsa mbërriti të sigurojë 8 deputetë. Ndërkaq, Nisma nuk e mbërriti pragun, e për pasojë nuk mori ndonjë mandat në legjislaturën e dhjetë.

Nisur edhe nga kjo përvojë, Baraliu nuk shpreh pritje për koalicione.

“Përfundimisht nuk pres koalicione serioze parazgjedhore, por koalicione pas zgjedhore mund të ketë dhe do të duhej të kishte, në qoftë se, vërtet është serioze në pretendimet e saj dhe në strategjinë e saj opozita, do të duhej që pas zgjedhjeve të bashkohej”, ka thënë ai.

Edhe analisti politik, Basri Muja thotë se koalicionet potenciale pritet të formohen pas zgjedhjeve.

“Afati për deklarimin e koalicioneve pritet që do të shoqërohet edhe me lëvizje taktike, porse partitë politike kryesore me shumë gjasë do të hyjnë në garë të vetme në mënyrë që pastaj të ketë marrëveshje eventuale pas zgjedhore. Koalicione mund të ketë kryesisht besoj mes partive të vogla dhe kryesisht për arsye elektorale”, ka thënë Muja.

Gjatë javës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar ish-presidenten Vjosa Osmani, e cila e pati braktisur partinë para pesë vjetësh, dhe me iniciativën e saj Guxo i ishte bashkuar Vetëvendosjes. Abdixhiku e zyrtarë të tjerë të LDK-së, përfshirë nënkryetarin Lutfi Haziri, kanë paralajmëruar se ajo do të bashkohet për zgjedhjet e 7 qershorit.

Për mundësinë e formimit të një partie të re, pjesëmarrjes në koalicion me LDK-në apo vetëm në listën zgjedhore të saj, Osmani nuk ka dhënë përgjigje.

Baraliu nuk pret që Osmani të garojë me ndonjë iniciativë që vet e formon, meqë Guxo është kthyer në parti dhe përkundër deklarimeve të Osmanit pasi nuk u rikandidua presidente, subjekti politik i ka qëndruar besnik Vetëvendosjes.

“Mund të jetë në një iniciativë, në qoftë se nuk merret vesh me LDK-në, por ajo do të ishte e vonuar sepse nuk kemi kohë. Është shumë e vështirë të krijosh parti politike dhe ta fuqizosh menjëherë për 45 ditë që ajo të ketë struktura, nuk mund t’i bëjë strukturat, që të ketë fuqi dhe potencialin e kapacitetin politik për t’u sheshuar dhe konkurruar me partitë e tjera që janë me përvojë ekzistenciale politike 35 vjet, e kështu me radhë”, ka thënë Baraliu.

E Muja nuk shpreh pritjen që pjesëmarrja e Osmanit në garë të ndikojë në rezultat.

“Ka gjasë që ajo t’i afrohet ose t’i bashkohet LDK-së, por nuk do të pres që kjo do të ketë ndikim të madh në rezultatin final. Nuk pres në një sienergji pozitive nga ky bashkim. Mendoj që elektorati tashmë është relativisht i konsoliduar dhe efektet e tij janë më shumë simbolike sesa përcaktuese për rezultatin zgjedhor”, ka thënë ai.

Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 28 dhjetor, nga partitë e mëdha shqiptare vetëm Vetëvendosje pati hyrë në koalicion me disa parti të vogla, si Guxo, Alternativa dhe PSHDK.

Deri tash, vetëm një nga deputetët e partisë Guxo, ka shprehur mbështetje të hapur për Osmanin. Është Haxhi Avdyli ai i cili ishte edhe në takimin e fundit që Osmani e realizoi me Abdixhikun, me qëllimin për t’i bashkuar forcat për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

Osmani për pesë vjet ishte presidente e nga ky funksion nuk i është lejuar ndonjë aktivitet partiak. Ajo shprehu kritika ndaj kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, kur në prag të zgjedhjes së presidentit, nuk e rikandidoi për edhe një mandat.

Subjektet politike nuk arritën pajtueshmëri për kandidat konsensual, e për pasojë Kuvendi nuk e zgjodhi presidentin brenda afatit kushtetues. Pas kësaj, këtë javë, legjislatura e nëntë u shpërnda me automatizëm, ndërsa një ditë më vonë u shpallën zgjedhjet e parakohshme.