Botë

Kina dhe Kanadaja bien dakord për uljen e tarifave

xi carney

Udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, kanë njoftuar uljen e tarifave tregtare pas një takimi që u mbajt në Pekin, duke sinjalizuar përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sipas marrëveshjes, Kina do të ulë tarifat për vajin e kanolës nga Kanadaja nga 85% në 15% deri më 1 mars. Ndërkohë, Kanadaja do të vendosë një taksë prej 6.1% për automjetet elektrike të importuara nga Kina, sipas normës së “kombit më të favorizuar”.

Marrëveshja konsiderohet një përparim i rëndësishëm pas vitesh marrëdhëniesh të tensionuara dhe masash ndëshkuese reciproke. Xi e quajti këtë zhvillim një pikë kthese në marrëdhëniet dypalëshe.

Nga ana tjetër, kjo është edhe një fitore politike për Carneyn, i cili është lideri i parë kanadez që viziton Kinën pas gati një dekade, raporton BBC.

Carney po përpiqet të diversifikojë tregtinë e Kanadasë dhe ta largojë atë nga varësia ndaj SHBA-së, partnerit më të madh tregtar të vendit, për shkak të pasigurisë së krijuar nga tarifat e paqëndrueshme të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja mund të hapë gjithashtu rrugën për më shumë investime kineze në Kanada, shumë pranë kufirit amerikan. Vetë Carney la të kuptohej se ky afrim është pjesërisht pasojë e tarifave të SHBA-së, të cilat kanë shtyrë një aleat kyç amerikan drejt rivalit të tij më të madh.

Ai u shpreh se marrëdhëniet e Kanadasë me Kinën kanë qenë më “të parashikueshme” muajt e fundit dhe se bisedimet në Pekin i kishte parë si “realiste dhe të respektueshme”. Megjithatë, Carney theksoi se Otava nuk është dakord me Pekinin për çdo çështje, duke përmendur “vijat e kuqe” të Kanadasë, përfshirë të drejtat e njeriut, shqetësimet për ndërhyrje në zgjedhje, etj. 

Vëzhguesit mendojnë se vizita e Carneyt mund të shërbejë si shembull për vende të tjera që po ndjejnë presionin e tarifave amerikane. Ndërkohë, Xi po përpiqet ta paraqesë Kinën si një partner global të qëndrueshëm, duke promovuar marrëdhënie më pragmatike dhe bashkëpunim me fitim reciprok.