Botë

Kim Jong Un mbërrin në Kinë, do të ketë për herë të parë takime shumëpalëshe

Kim Jong Un

Foto: Associated Press

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka mbërritur në kryeqytetin kinez, Pekin, së bashku me vajzën e tij, Kim Ju Ae, tregojnë imazhet.

Kim është në Kinë për të marrë pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të mërkurën, ku do të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin  dhe udhëheqës të tjerë botërorë, duke e bërë këtë takimin e tij të parë shumëpalësh.

Kim ka arritur në Kinë të martën me trenin e tij të blinduar, i cili thuhet se përfshin një restorant që shërben verëra të mira franceze dhe pjata të veçanta.

Fotografitë e shfaqnin atë duke zbritur nga treni në Stacionin Hekurudhor të Pekinit i shoqëruar nga vajza e tij. Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut ka thënë më parë se ajo është pasardhësja "më e mundshme" e Kimit.

Zonjusha Kim është shfaqur shpesh në publik së bashku me të atin që kur debutoi në nëntor 2022.

Megjithatë, detajet rreth saj janë shumë të kufizuara.

Ka raporte kontradiktore në lidhje me moshën e saj. Në vitin 2023, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) i Jugut ka thënë se besonte se ajo ishte rreth 10 vjeç.

Agjencia shtetërore e lajmeve Koreane Qendrore (KCNA) e Koresë së Veriut ka thënë se Kim u prit në stacion nga disa anëtarë të lartë të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), përfshirë ministrin e Jashtëm, Wang Yi.