Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili shtypi kërcënimet e brendshme shumë herë gjatë më shumë se tre dekadash në pushtet, përballet me sfidën më të madhe deri më tani.
Armiku i tij i përbetuar, Izraeli, ka siguruar kontroll të plotë mbi qiellin e Iranit dhe po shkatërron udhëheqjen ushtarake dhe programin bërthamor të vendit me një fushatë ajrore ndëshkuese. Po kërcënon edhe jetën e tij: Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se Khamenei “nuk mund të vazhdojë të ekzistojë”.
Lideri 86-vjeçar përballet me një zgjedhje. Ai mund ta përshkallëzojë hakmarrjen kundër Izraelit dhe të rrezikojë një dëm edhe më të madh nga bombardimet e Izraelit. Ose mund të kërkojë një zgjidhje diplomatike që e mban SHBA-në jashtë konfliktit, dhe rrezikon të heqë dorë nga programi bërthamor që ai e ka vënë në qendër të politikës së Iranit për vite.
Në një video-adresim të mërkurën, ai u shfaq sfidues, duke u zotuar se “kombi iranian nuk është një që dorëzohet” dhe duke paralajmëruar se nëse SHBA-ja ndërhyn, do t’u shkaktojë “dëme të pariparueshme”.
Çfarë dihet për Khamenein:
Ai e transformoi Republikën Islamike
Kur ai erdhi në pushtet më 1989, Khamenei iu deshtë të mposhte dyshime të thella rreth autoritetet të tij, ndërsa pasoi udhëheqësin e Revolucionit Islamik, Ayatollah Ruhollah Khomeini. Një klerik i nivelit të ulët në atë kohë, Khamenei nuk kishte kualifikimet fetare të paraardhësit të tij. Me syzet e tij të trasha dhe stilin e ngadalshëm, ai nuk e kishte as karizmën e zjarrtë të tij.
Por, Khamenei ka udhëhequr tri herë më gjatë se Khomeini dhe e ka formësuar Republikën Islamike të Iranit ndoshta në një mënyrë edhe më dramatike.
Ai e thelloi dhe e konsolidoi sistemin e sundimit nga “mullahët”, ose klerikët myslimanë shiitë. Kjo i siguroi atij një vend në sytë e radikalëve si autoriteti i padiskutueshëm – menjëherë pas Zotit. Në të njëjtën kohë, Khamenei e shndërroi Gardën Revolucionare paramilitare në një forcë dominuese në politikën ushtarake dhe të brendshme të Iranit.
Garda përbën forcat më elitare ushtarake të Iranit dhe mbikëqyr programin e raketave balistike. Krahu i saj ndërkombëtar, Forcat Quds, krijoi të ashtuquajturën “Boshti i Rezistencës” – një rrjet përfaqësuesish pro-iranianë që shtrihet nga Jemeni deri në Liban dhe që për vite me radhë i ka dhënë Iranit fuqi të konsiderueshme në gjithë rajonin. Khamenei po ashtu i dha Gardës liri që ta ndërtonte një rrjet biznesesh, duke ia mundësuar asaj dominimin e ekonomisë së Iranit.
Në këmbim, Garda u bë forca e tij besnike goditëse.
Ai u rezistoi sfidave të brendshme
Kërcënimi i parë i madh ndaj kontrollit të Khameneit ishte lëvizja reformiste që fitoi shumicën në parlament dhe presidencë pak kohë pasi ai u bë lider suprem. Lëvizja avokonte t’u jepte më shumë pushtet zyrtarëve të zgjedhur – diçka që mbështetësit radikalë të Khameneit frikësoheshin se do të çonte në shembjen e sistemit të Republikës Islamike.
Khamenei e pengoi lëvizjen e reformistëve duke mbledhur klerikët. Organet e drejtuara nga mullahët arritën t’i bllokonin reformat e mëdha dhe të pengonin kandidatët reformistë të kandidonin në zgjedhje.
Garda Revolucionare dhe agjencitë e tjera të sigurisë shtypën protestat që pasuan dështimin e lëvizjes reformiste. Protesta mbarëkombëtare shpërthyen në vitin 2009 për shkak të pretendimeve për manipulim të votave. Nën peshën e sanksioneve, protesta ekonomike shpërthyen më 2017 dhe 2019. Protesta të tjera masive shpërthyen në vitin 2022 pas vdekjes së Mahsa Aminit kur policia e arrestoi për shkelje të kodit të veshjes.
Qindra njerëz u vranë gjatë shtypjes së protestave, dhe qindra u arrestuan mes raportimesh se të burgosurit torturoheshin deri në vdekje ose përdhunoheshin në burgje.
Megjithatë, protestat e njëpasnjëshme treguan tensionet në sistemin teokratik të Iranit dhe nxorën në pah pakënaqësinë e përhapur ndaj sundimit klerikal, korrupsionit dhe problemeve ekonomike. Duke u përpjekur t’i zbutnin pakënaqësitë, autoritetet shpesh lehtësuan disa prej kufizimet sociale të Republikës Islamike.
Ai e ktheu Iranin në një fuqi rajonale
Kur Khamenei e mori pushtetin, Irani po dilte nga lufta e gjatë me Irakun që e la vendin të shkatërruar dhe të izoluar.
Përgjatë tri dekadave të ardhshme, Khamenei e shndërroi Iranin në një fuqi me ndikim në të gjithë Lindjen e Mesme. Një shtytje e madhe ishte rrëzimi i Saddam Husseinit, i cili në fund solli në pushtet politikanë dhe grupe militante shiite aleate të Iranit në Irak.
Iraku siguroi një lidhje kyçe në Boshtin e Rezistencës të Iranit, që përfshinte Sirinë e Bashar Assadit, Hezbollahun e Libanit, grupin militant palestinez Hamas dhe rebelët Houthi në Jemen. Deri në vitin 2015, aleanca ishte në kulmin e saj, duke e vënë Iranin te pragu i Izraelit.
Dy vitet e fundit sollën një kthesë dramatike
Sulmi i 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael pati një përgjigje masive nga Izraeli në Rripin e Gazës. Po ashtu solli një kthesë në politikën e Izraelit. Pas vite përpjekjesh për të frenuar aleatët e Iranit, Izraeli e ktheu në synim shkatërrimin e tyre. Hamasi është dobësuar shumë, edhe pse nuk është eliminuar plotësisht, madje edhe me koston e shkatërrimit të Gazës.
Izraeli ka vepruar në mënyrë të ngjashme edhe me Hezbollahun, me javë bombardimesh në Liban vitin e kaluar, e me një sulm dramatik me pajisje shpërthyese të fshehura në ato që njihen si “pejxherë”. Një goditje edhe më e rëndë për Hezbollahun ishte rënia e Assadit në dhjetor kur rebelët sunni marshuan drejt kryeqytetit dhe e hoqën nga pushteti. Tani, një qeveri armiqësore ndaj Iranit dhe Hezbollahut sundon në Damask.
Boshti i Rezistencës i Iranit është në pikën e tij më të ulët ndonjëherë.