Katër oficerë kanë mbetur të vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur pasi kishin rrethuar një shtëpi gjatë një operacioni policor në Charlotte, Karolina e Veriut, raporton BBC.
Njëri nga sulmuesit e dyshuar është gjetur po ashtu i vdekur në oborrin e përparmë të shtëpisë, pas përplasjes afro tre-orëshe me policinë.
Autoritetet kanë njoftuar se të përfshirë ishin edhe dy të dyshuar të tjerë të armatosur, raporton BBC.
Ky është një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj forcave të rendit amerikan në dekada.
Oficerët po përpiqeshin të arrestonin të hënën një kriminel të kërkuar për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit kur të shtënat filluan.
Oficerët u përgjigjën me zjarr ndaj sulmuesit në oborrin e përparmë, por më pas policët u qëlluan nga sulmues të tjerë të fshehur brenda shtëpisë.
Sulmi përfundoi kur policia përdori automjete të blinduara për të hyrë brenda shtëpisë në lagjen Shannon Park.
Tre të dyshuar, përfshirë një grua dhe një djalë 17-vjeçar janë duke u marrë në pyetje, ka njoftuar policia. Besohet se të paktën njëri prej tyre ka qëlluar mbi oficerët.
Banorëve iu kërkua të qëndronin brenda dhe rrugët aty pranë u mbyllën për qarkullim.