Ermal Krasniqi ishte prej më meritorëve që Legia e Varshavës arriti ta sigurojë një pikë në përballjen ndaj skuadrës Arka Gdynia.
Legia barazoi 2:2 në udhëtim me skuadrën Arka Gdynia, në kuadër të xhiros së 20-të të elitës së futbollit polak.
Legia deri në minutën e 90-të ishte në disavantazh prej dy golave, por brenda pesë minutave shënoi dy herë për barazimin e tetë këtë edicion.
Skuadra Arka Gdynia kaloi në epërsi në minutën e 26-të me golin që e shënoi Michal Marcjanik.
Sulmuesi nga Ukraina, Nazariy Rusyn, i dyfishoi shifrat në minutën e 58-të.
Reprezentuesi i Kosovës, Krasniqi, fillimisht asistoi për Antonio Colakun që në minutën e 90-të e ngushtoi rezultatin në 2:1.
Ishte sërish kroati Colak që përsëri me asistim të Krasniqit në minutën e 95-të e barazoi rezultatin në 2:2.
27-vjeçari Krasniqi e kompletoi ndeshjen dhe ishte prej më të mirëve në fushë.
Sulmuesi i krahut këtë edicion ka tri gola dhe dy asistime në 23 paraqitje në të gjitha garat.