Shefja për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të martën se vendet anëtare të bllokut janë afër arritjes së marrëveshjes e cila parasheh vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë.
“Shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje politike për pakon numër 18-të të sanksioneve. Jemi shumë, shumë afër. Shpresoj që mund të pajtohemi sot”, ka deklaruar Kallas para takimit me ministrat e Punëve të Jashtme të 27-vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.
Disa burime kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se veçse është arritur pajtim paraprak për të gjitha elementet e pakos një ditë më parë, ndonëse një shtet anëtar ka vazhduar të ketë rezerva për propozimin e uljes së çmimit tavan për naftën ruse.
“Është i gjallë”, ka thënë Kallas për çmimin tavan.
“Kemi bërë propozime, por dilema qëndron nëse mundemi ose jo ta tejkalojmë veton e një shteti anëtar. Por, jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka shtuar ajo.
Komisioni Evropian e kishte propozuar pakon e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë që në muajin e kaluar, e cila ka për qëllim të godasë të ardhurat nga sektori energjetik, bankat dhe industrinë ushtarake ruse.
Në pakon e re gjithashtu propozohet ndalimi i transaksioneve me gazsjellësit e Nord Stream të Rusisë, si dhe me bankat që merren me shmangien e sanksioneve.
