Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar në orët e hershme të së premtes se kabineti i sigurisë e ka miratuar planin për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.
“Kabineti i sigurisë e miratoi planin me shumicë votash, duke përfshirë pesë parime për përfundimin e luftës”, thuhet në deklaratën e Zyrës së kryeministrit.
“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të përgatiten për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës duke siguruar njëkohësisht ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimeve”, thuhet më tutje në deklaratë.
E pesë parimet për fundin e luftës përfshijnë: (1) Çarmatosjen e Hamasit; (2) Kthimin e të gjitha pengjeve – si të gjallë ashtu dhe të vdekur; (3) Demilitarizimin e Rripit të Gazës; (4) Kontrolli i sigurisë nga Izraeli mbi Rripin e Gazës; (5) Ekzistencën e një qeverie alternative të natyrës civile që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez.
Netanyahu ka deklaruar një ditë më parë se dëshironte të merrte nën kontroll të gjithë Rripin e Gazës, mirëpo plani i miratuar përqendrohet specifikisht në qytetin e Gazës, njëkohësisht qytetin më të madh në enklavë.
Sipas mediumit britanik BBC, ky vendim mund të përbëjë vetëm fazën e parë të riokupimit të plotë të territorit.
Dy burime qeveritare të afërta me çështjen kanë bërë të ditur po ashtu se çdo vendim i miratuar nga kabineti i sigurisë do të duhet të miratohet edhe nga kabineti i plotë, i cili mund të mos mblidhet deri të dielën.
Ndërkaq, disa ditë më parë, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara patën paralajmëruar se zgjerimi i operacioneve ushtarake nga Izraeli mund të prodhonte pasoja katastrofike si për civilët palestinezë ashtu edhe për pengjet izraelite.
Sipas zyrtarëve të lartë shtetëror, Ushtria izraelite tashmë kontrollon rreth 75 për qind të territorit të Gazës që prej fillimit të luftës të nxitur nga sulmi i Hamasit në Izraelin jugor gjatë tetorit të vitit 2023.
Starmer: Plani i ri izraelit do të sjellë më shumë gjakderdhje
Kryeministri britanik, Keir Starmer, e ka cilësuar vendimin e kabinetit të sigurisë në Izrael për të “përshkallëzuar më tej ofensivën” në Rripin e Gazës si “të gabuar”, teksa i ka bërë thirrje Qeverisë izraelite që ta rishqyrtojë menjëherë, ka raportuar BBC.
“Këto veprime s’do të sjellin përfundimin e konfliktit dhe s’do të ndihmojnë në lirimin e pengjeve. Do të sjellë vetëm më shumë gjakderdhje”, ka thënë ai. “Kriza humanitare në Gazë po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa pengjet e kapura nga Hamasi po mbahen në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore”.
Starmer ka shtuar se ajo që nevojitet “është një marrëveshje e armëpushimit, rritje e ndihmës humanitare, lirim i të gjitha pengjeve nga Hamasi dhe zgjidhje e negociuar”.
Ai ka theksuar më tutje se Britania e Madhe “së bashku me aleatët, po punon për një plan afatgjatë që siguron paqen në rajon si pjesë e zgjidhjes mes dy shteteve, për të ndërtuar përfundimisht një të ardhme më të ndritur si për palestinezët ashtu dhe izraelitët”.
Nga ana tjetër, presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte njoftuar disa javë më parë se Franca do ta njohë Palestinën si shtet, teksa vendimi pritet të vuloset në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator.
Nismës së tij i pati bërë jehonë edhe vetë Starmeri, i cili kishte theksuar se Britania do ta njohë po ashtu një shtet palestinez në shtator, në rast se Izraeli s’ndërmerr hapa të rëndësishëm për ta ndalur luftën në Gazë.
Planeve të tyre iu është bashkëngjitur edhe Kanadaja dhe Malta, pasi Franca dhe 14 shtete të tjera nënshkruan një deklaratë rreth njohjeve të ardhshme të shtetit palestinez.
Lideri i opozitës në Izrael: Vendimi i kabinetit të sigurisë është “një katastrofë”
Lideri opozitar në Izrael, Yair Lapid, ka thënë të premten se vendimi i kabinetit të sigurisë për ta pushtuar qytetin e Gazës është “një katastrofë”, e cila sipas tij do të dërgojë në “më shumë katastrofa të tjera”.
Ai ka theksuar se riokupimi i qytetit më të madh të enklavës do të shkaktonte vdekjen e pengjeve izraelite dhe vrasjen e shumë prej ushtarëve izraelitë.
“Plani është në kundërshtim të plotë me rekomandimet e elitës ushtarake dhe asaj të sigurisë”, ka shtuar Lapid.
Më tutje, ai e ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se po i nënshtrohet presionit nga ministrat e së djathtës ekstreme në kuadër të kabinetit të sigurisë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, ka raportuar BBC.
Koalicioni qeverisës i kryeministrit izraelit varet kryesisht nga mbështetja e këtyre ministrave ultranacionalistë, të cilët kanë kërcënuar se do të largohen nga qeveria nëse arrihet ndonjë marrëveshje me grupin militant palestinez, Hamas.
E zyrtarët e grupit militant e kanë akuzuar Netanyahun se “po planifikon që të vazhdojë qasjen e tij gjenocidale dhe zhvendosëse duke kryer më shumë krime” ndaj popullsisë civile.
Sipas Hamasit, plani për riokupimin e Gazës nënkupton se Netanyahu është i gatshëm t’i “sakrifikojë” pengjet izraelite që kanë mbetur në Gazë dhe t’u shërbejë “interesave të tij personale”.
Lufta shpërtheu kur militantët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor 2023.
Militantët vranë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën 250 pengje – shumica janë liruar që atëherë përmes marrëveshjeve, ndërsa disa kanë vdekur.
Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë ajrore, detare dhe tokësore në Gazë që ka vrarë më shumë se 61,000 palestinezë dhe plagosur mbi 137,000 të tjerë
Aktualisht, Hamasi mban ende peng 50 persona, nga të cilët mendohet se rreth 20 janë ende gjallë. Shumica e të tjerëve janë liruar gjatë armëpushimeve ose marrëveshjeve të ndryshme.