Botë

Izraeli pretendon se i ka sulmuar 6 aeroporte në Iran dhe ka shkatërruar 15 aeroplanë

Iran

Foto: Ilustrim

Foto: Associated Press

Ushtria e Izraelit (IDF) ka pretenduar se ka sulmuar gjashtë aeroporte në Iran dhe se ka shkatërruar 15 aeroplanë e ka dëmtuar pistat e aeroporteve, transmeton “BBC”. 

Në një postim në rrjetet sociale IDF-ja ka thënë se janë shënjestruar aeroportet në perëndim, lindje dhe pjesën qendrore të Iranit. 

Po ashtu tha se në sulmet me dronë ka shkatërruar aeroplanë F-15 dhe F-5, e po ashtu helikopter AH-1 Cobra. 

Pretendoi se janë dëmtuar disa bunkerë nëntokësorë. 

Nuk ka specifikuar saktë se kur ka ndodhur sulmi. Ky sulm nuk është konfirmuar as nga Irani. 

Në orët e hershme të së hënës Izraeli ka nisur sulme të reja në perëndim të Iranit dhe në kryeqendër Teheran. 

Rreth 20 aeroplanë ushtarakë janë përfshirë në sulmet në qytetin perëndimor të Kermanshahut. 

E të dielën mbrëma u mbajt një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar lidhur me sulmin e SHBA-së ndaj tri objekteve bërthamore të Iranit. Përfaqësuesi i Izraelit pretendoi se gjithë bota duhet ta falënderoi presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa ai i Iranit kritikoi sulmin amerikan. 

E presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmendi mundësinë e “ndërrimit të regjimit” në Iran. 

Ai pyeti se “pse të mos ndërrohej” nëse regjimi aktual “nuk po e bën Iranin madhështor sërish”. 

Ai po ashtu tha se dëmet në objektet bërthamore të Iranit janë masive. 

E ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka arritur në Moskë, ku do të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin. 

Zyrtari i lartë ushtarak amerikan: S’ka sulm ndaj bazës amerikane në Irak

1 muaj më parë / 23 qer 2025 22:31
Sulmet e Iranit ndaj bazave amerikane

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se raportet e mëparshme për një raketë të lëshuar në një bazë që strehon forcat amerikane në Irak të hënën ishin një alarm i rremë.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht, tha se “mbeturinat nga një raketë iraniane me defekt që synonte Izraelin kishin një alarm” për një sulm të afërt ndaj bazës Ain al-Assad që strehon trupat amerikane në Irakun perëndimor.

“Nuk pati sulm ndaj bazës”, tha ai.

Shqipëria del me njoftim për shtetasit e saj në Gjirin Persik

1 muaj më parë / 23 qer 2025 22:30
Shqipëria

Shtetasve të Shqipërisë që gjenden në vendet e Gjirit Persik iu është bërë thirrje nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme që t’i ndjekin njoftimet e autoriteteve dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Sipas njoftimit në Facebook, ministria ka thënë se qytetarët shqiptarë duhet të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në vendet e Gjirit Persik, të ndjekin njoftimet e autoriteteve vendase, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore”, thuhet në njoftim.

Trump e quan “shumë të dobët” sulmin e Iranit

1 muaj më parë / 23 qer 2025 22:01
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar si “tepër të dobët” sulmin e Iranit ndaj bazave ushtarake amerikane në Katar dhe Irak.

Trump ka shkruar në Truth Social se janë lëshuar 14 raketa, ku 13 prej tyre u rrëzuan e njëra “u lirua sepse po shkonte në një drejtim jo kërcënues”.

“Jam i kënaqur të raportoj se asnjë amerikan nuk u lëndua dhe mezi u shkaktua ndonjë dëm. Më e rëndësishmja, ata i kanë nxjerrë të gjitha nga sistemi i tyre dhe shpresojmë, nuk do të ketë më urrejtje”, ka shkruar tutje Trump.

Presidenti amerikan shtoi se “ndoshta Irani mund të vazhdojë drejt paqes dhe harmonisë”.

Khamenei shfaq flamurin amerikan duke u djegur: S’i nënshtrohemi askujt

1 muaj më parë / 23 qer 2025 21:40
Khamenei

Photo: Associated Press

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se nuk pranojnë asnjë ngacmim nga askush “në asnjë rrethanë”. Ky është reagimi i tij i parë pasi Irani sulmoi bazat ushtarake amerikane në Irak dhe Katar.

Ai në rrjetin social X shfaqi një imazh ku po digjej flamuri amerikan, derisa tha se s’do t’i nënshtrohen askujt, transmetoi BBC.

Foto: X

“Ne s’i kemi bërë keq askujt dhe nuk do të pranojmë asnjë ngacmim nga askush në asnjë rrethanë. Dhe nuk do t'i nënshtrohemi ngacmimit të askujt. Kjo është logjika e kombit iranian”, ka thënë ai.

Dhjetëra fluturime devijuan destinacionin në Lindje të Mesme

1 muaj më parë / 23 qer 2025 21:07
Qatar Airways

Të paktën 26 fluturime komerciale janë devijuar për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore në Lindje të Mesme, ka raportuar CNN të hënën.

Fluturimet që kishin destinacion Dubain, Emiratet e Bashkuara Arabe ose Dohan u devijuan në aeroporte të tjera përgjatë drejtimit të tyre, derisa fluturimet e tyre u kthyen në aeroportin e nisjes.

Dymbëdhjetë nga fluturimet për në Doha operuan nga Qatar Airways, ka njoftuar firma e aviacionit, Cirium.

Cirium tha se 39 fluturime të tjera nga Amerika e Veriut dhe 210 nga Evropa janë planifikuar të nisen më vonë drejt Lindjes së Mesme. Këto fluturime rrezikojnë të anulohen nëse hapësira ajrore nuk hapet.

Zyrtari amerikan që ka mbajtur kontakte me iranianët edhe pas sulmit të SHBA-së

1 muaj më parë / 23 qer 2025 20:54
I dërguari i presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff

I dërguari i presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka mbajtur kontakte me zyrtarë iranianë që pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë fundjavës, kanë thënë dy burime, derisa administrata vazhdon të kërkojë zgjidhje diplomatike për konfliktin.

Megjithatë bëhet e ditur se përpjekjet e tij po hasin në vështirësi të mëdha për shkak të udhëheqësit suprem iranian, Ayetollah Ali Khamenei, i cili raportohet se është bërë shumë i paarritshëm për zyrtarët iranianë pasi është tërhequr në një vend të fshehtë për shkak të tensioneve në rritje.

Sipas burimeve, çdo vendim madhor diplomatik duhet të miratohet nga Khamenei. Por marrja dhe përcjellja e informacionit tek ai është bërë gjithnjë e më e vështirë. Kjo ka bërë që komunikimi mes SHBA-së dhe Iranit, drejtpërdrejtë apo përmes ndërmjetësuesve, të jetë i ngadaltë apo tërësisht i ndërprerë.

Khamenei nuk ka dalë ende me qëndrim zyrtar që nga sulmet amerikane. Zyrtarët amerikanë  besojnë se ai është fshehur për të shmangur ndonjë atentat.

Megjithatë, Trumpi deklaroi se shpreson që Irani të kthehet në tryezën e negociatave, të cilat kishin ngecur prej kohësh, që para fillimit të sulmeve të Izraelit këtë muaj.

SHBA-ja dhe Irani kanë ruajtur komunikimin në mënyrë jozyrtare dhe të fshehtë gjatë gjithë krizës aktuale. Para sulmeve të fundjavës, SHBA-ja kishte përcjellë një mesazh ku theksohej se veprimet do të ishin të kufizuara dhe se Trumpi mbetet i angazhuar për zgjidhjen diplomatike të situatës, thanë zyrtarët.

Fakte mbi bazën amerikane Al Udeid, ku Irani qëlloi me raketa balistike

1 muaj më parë / 23 qer 2025 20:12
Baza amerikane Al Udeid

Baza Al Udeid, e vendosur pranë kryeqytetit të Katarit, Doha, shërben si seli e operacioneve ajrore të Komandës Qendrore të SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe strehon gati 8,000 trupa amerikane, ka raportuar CNN.

Forcat britanike gjithashtu kalojnë me rotacion nëpër bazë, e cila nganjëherë quhet Aeroporti i Abu Nakhlas.

Objekti aktualisht shërben si seli dhe bazë logjistike për operacionet amerikane në Irak dhe gjithashtu përfshin pistën më të gjatë të uljes ajrore në rajonin e Gjirit.

Katari u dha Shteteve të Bashkuara qasje në bazën Al Udeid në vitin 2000.

Pasi amerikanët morën përsipër menaxhimin e bazës në vitin 2001, Doha dhe Washingtoni nënshkruan një marrëveshje në dhjetor të 2002-s, që njihte zyrtarisht praninë e ushtrisë amerikane në objektin Al Udeid, sipas firmës së inteligjencës me seli në Londër Grey Dynamics.

Në vitin 2024, CNN raportoi se SHBA-ja arriti një marrëveshje për të zgjatur praninë ushtarake në Katar për 10 vjet të tjera.

Bazat amerikane u qëlluan me raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi

1 muaj më parë / 23 qer 2025 20:07
Sulmet e Iranit ndaj bazave amerikane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan për sulmet iraniane ndaj bazave ushtarake në Katar dhe Irak, ka raportuar CNN. SHBA-ja tha se sulmet janë kryer me raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.

Për momentin s'ka raportime për viktima amerikanë.

“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe do të ofrojmë më tepër informacione sapo të jetë të qasshme”, ka thënë një zyrtar amerikan.

Ndërsa, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se presidenti Donald Trump e pati parashikuar hakmarrjen e Iranit, pasi SHBA-ja i goditi tri vende bërthamore në Iran.

Disa pamje satelitore kanë treguar se SHBA-ja i ka kishte tërhequr javë më parë disa aeroplanë ushtarakë nga baza ajrore Al Udeid, në Katar.

Ministria e Brendshme e Bahreinit thotë se sirenat kanë rënë dhe u ka kërkuar banorëve të zhvendosen në “vendin më të afërt të sigurt”.

Në një seri postimesh në X, ministria tha se banorët duhet të kërkojnë strehim në ndërtesa ose zona të tjera të mbrojtura “deri sa të kalojë rreziku”, pa dhënë detaje mbi rrezikun.

Ajo u ka bërë thirrje banorëve të kenë kujdes dhe të marrin masa paraprake “në rast të një shpërthimi të fuqishëm”.

Arabia Saudite dënoi të hënën ashpër sulmin e Iranit kundër bazës amerikane në Katar.

Ajo e përshkroi këtë veprim si shkelje e të drejtës ndërkombëtare dhe pohoi mbështetje të plotë për Katarin.

Ndërkohë, disa kompani ajrore si ajo e Egjiptit dhe Kuvajtit i kanë ndaluar fluturimet.

Sekretariati i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit bëri me dije se numri i raketave që Irani përdori për të sulmuar bazën ajrore Al Udeid në Katar ishte i njëjtë me numrin e bombave që Shtetet e Bashkuara hodhën gjatë sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Katari dënon sulmin iranian, përmend “të drejtën për t’iu kundërpërgjigjur”

1 muaj më parë / 23 qer 2025 19:24
Katari

Ministria e Mbrojtjes në Katar tha se është penguar sulmi iranian në bazat amerikane.

Majed al-Ansari, zëdhënës zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka shkruar në X se “Ne e konsiderojmë këtë një shkelje flagrante të sovranitetit të Shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Ai ka thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit “e penguan me sukses sulmin dhe interceptuan raketat iraniane dhe baza ishte evakuuar më parë", ka raportuar CNN.

“U morën të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar sigurinë e personelit në bazë, përfshirë anëtarët e Forcave të Armatosura të Katarit, forcat mike dhe të tjerë”, ka shtuar zyrtari i Katarit, derisa shtoi se s’ka pasur viktima apo të lënduar.

Zëdhënësi tha se Katari rezervon të drejtën për t'u përgjigjur “në një mënyrë ekuivalente me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni të paturpshëm”.

Aktualisht Katari ka mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore dhe qytetarët amerikanë e britanikë janë këshilluar të qëndrojnë të mbyllur.

SHBA-ja thotë se është në dijeni për kërcënimet e Iranit ndaj bazave në Katar

1 muaj më parë / 23 qer 2025 19:04
SHBA

Foto ilustrim

Photo: Associated Press

Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara ka thënë për BBC-në se Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes “janë në dijeni dhe po i monitorojnë nga afër kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar”.

Reagimi i tyre vjen pas raportimit se shteti i Iranit ka nisur operacion ndaj bazave amerikane.

BBC raportoi për disa shpërthime në Doha.

Sipas CNN-it, personeli amerikan në ambasadat e SHBA-së në Katar dhe Bahrein janë strehuar të sigurt.

Aktualisht po mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë në SHBA, ku po merr pjesë edhe presidenti Donald Trump.

Irani hakmerret, sulmon bazën amerikane në Katar – mohohet sulmi në Irak

1 muaj më parë / 23 qer 2025 18:49
Irani

Photo: Associated Press

Irani ka lëshuar gjashtë raketa drejt bazave amerikane në Katar, ka thënë një zyrtar izraelit për Axios, shkruan Reuters.

Më herët u raportua se Katari ka pezulluar përkohësisht trafikun në hapësirën e tij ajrore.

Në një përditësim të BBC-së u tha se u sulmua edhe një bazë në Irak.

Në një postim në mediat sociale nga Ministria e Jashtme e vendit, thuhet se kjo është pjesë e një sërë masash paraprake që po merren bazuar në zhvillimet në rajon.

VIDEO:

Katari është shtëpia e bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, Bazës Ajrore Al Udeid. Rreth 8,000 qytetarë amerikanë jetojnë atje, sipas Departamentit të Shtetit.

Po ashtu, televizioni shtetëror iranian ka njoftuar se Irani ka nisur një operacion ndaj bazës amerikane në Katar, transmenton CNN.

Irani kërcënon SHBA-në: Sulmit do t’i përgjigjemi pavarësisht dëmeve

1 muaj më parë / 23 qer 2025 17:57
Shefi i Forcave të Armatosura të Iranit

Shefi i Forcave të Armatosura të Iranit, Abdolrahim Mousavi, ka thënë se vendi do t’i “përgjigjet në mënyrë proporcionale” SHBA-së pas sulmit të saj në tri lokacione bërthamore iraniane “pavarësisht shkallës së dëmeve”.

Kështu ka raportuar agjencia e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Në një videomesazh, gjeneral-major Abdolrahim Mousavi, ka thënë se “veprimi i Trumpit rrjedh nga dëshpërimi dhe ai synon të shpëtojë forcën e tij përfaqësuese, pra Izraelin dhe vetë Netanyahun”.

Sipas tij, kur Trumpi pa shenja të “rrëzimit” të kryeministrit izraelit, vendosi t’i jepte “frymëmarrje artificiale” duke goditur Iranin.

Mousavi u emërua shef i forcave të armatosura pasi paraardhësi i tij, Mohammad Hossein Bagheri, u vra nga Izraeli më 13 qershor.

Trumpi bën thirrje që çmimet e naftës të mbahen të ulëta

1 muaj më parë / 23 qer 2025 16:37
Donald Trump

Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje në një postim në mediat sociale që çmimet e naftës të mbahen të ulëta, si reagim ndaj raportimeve për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani.

“Të gjithë, mbajini çmimet e naftës të ulëta. Jam duke vëzhguar”, ka thënë Trumpi, duke aluduar se kjo është një lojë e Iranit. 

Trumpi nuk e ka bërë të qartë se kujt po i bën thirrje ta bëjë këtë.

Gardat Revolucionare e Iranit ka reaguar ndaj postimit të Trumpit në kanalin e saj në Telegram, duke thënë se "thashethemet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit e kanë frikësuar Trumpin!"

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë detare që lidh Gjirin e pasur me naftë me Oqeanin Indian, përmes të cilit kalojnë çdo ditë afërsisht 20% e furnizimeve botërore me naftë.

Merz: S’ka arsye për t’u kritikuar sulmi amerikan mbi Iranin

1 muaj më parë / 23 qer 2025 16:11
Friedrich Merz

Photo: Associated Press

Kancelari gjerman Friedrich Merz, ka thënë të hënën se nuk ka arsye për të kritikuar veprimet e Izraelit në sulmin ndaj programit bërthamor të Iranit ose ndërhyrjen e SHBA-së në fundjavë.

Merz, vendi i të cilit është tradicionalisht një aleat veçanërisht i fortë i Izraelit, ka pranuar të hënën se sulmi i SHBA-së mbi Iranin "nuk është pa rrezik, por lënia e gjërave ashtu siç ishin nuk ishte gjithashtu një opsion".

"Për ne, dhe për mua personalisht, nuk ka arsye për të kritikuar atë që Izraeli filloi një javë më parë, dhe gjithashtu nuk ka arsye për të kritikuar atë që bëri Amerika fundjavën e kaluar", ka thënë Merz gjatë një fjalimi në Berlin.

Në një intervistë me televizionin ZDF në margjinat e samitit të G7-s javën e kaluar, Merzi ka deklaruar për sulmin e Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane se "kjo është puna e ndyrë që Izraeli po bën për të gjithë ne".

Rutte: Anëtarët e NATO-s pajtohen që Irani s’duhet të ketë armë bërthamore

1 muaj më parë / 23 qer 2025 15:48
Mark Rutte

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar për gazetarët para fillimit të samitit të aleancës në Hagë, se anëtarët e saj janë të dakorduar që Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore. 

"Kur bëhet fjalë për qëndrimin e NATO-s ndaj programit bërthamor të Iranit, aleatët kanë rënë dakord prej kohësh që Irani nuk duhet të zhvillojë një armë bërthamore", ka thënë Rutte të hënën.

"Aleatët i kanë kërkuar vazhdimisht Iranit të përmbushë detyrimet e tij sipas traktatit të mospërhapjes së armëve bërthamore", ka shtuar Rutte.

Ndërkaq, duke iu referuar luftës së Rusisë në Ukrainë, ai ka thënë se Irani është "i përfshirë thellësisht" atje, duke thënë se Irani ka dorëzuar dronë që Rusia po i përdor për të vrarë civilë ukrainas.

Vendet bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht, thotë Shtëpia e Bardhë

1 muaj më parë / 23 qer 2025 14:56
Karoline Leavitt

Photo: Associated Press

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka përsëritur pretendimin e presidentit Donald Trump se vendet bërthamore të Iranit janë "të shkatërruara plotësisht".

"Ne jemi të bindur se centralet bërthamore të Iranit janë zhdukën plotësisht, siç ka thënë presidenti në fjalimin e tij drejtuar kombit të shtunën në mbrëmje, dhe kemi një shkallë të lartë besimi se vendi ku ndodhën këto sulme është vendi ku u ruajt uraniumi i pasuruar i Iranit", ka thënë ajo në emisionin "Good Morning America" të ABC-së.

Leavitt ka shtuar se presidenti nuk do t'i kishte urdhëruar sulmet pa besimin se ky do të ishte rezultati.

Ndërkohë, Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), nuk ishte në gjendje të konfirmonte vendndodhjen e rezervave të materialit bërthamor të Iranit, të nivelit të armëve, duke kërkuar që inspektorëve t'u lejohet të kthehen në mënyrë të sigurt në vend "për të vlerësuar situatën".

Në një intervistë për CNN të dielën, Grossi ka thënë se Irani ka ruajtur rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar në 60%, jo shumë larg pasurimit 90% të kërkuar për të bërë një armë bërthamore.

E kreu i shtatmadhorisë së SHBA-së, gjenerali Dan Caine, ka thënë të dielën se meqenëse vlerësimi i ndikimit të sulmeve është ende në vazhdim, është "shumë herët" për të komentuar nëse Irani ende ruan disa aftësi bërthamore.

Rreth 500 të vrarë nga sulmet izraelite në Iran

1 muaj më parë / 23 qer 2025 14:28
Teheran

Photo: Associated Press

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se rreth 500 persona janë vrarë që nga fillimi i sulmeve të Izraelit më 13 qershor ndaj Iranit, duke cituar ministrinë e Shëndetësisë të vendit.

Televizioni ka raportuar se më shumë se 3,000 persona janë plagosur, raporton BBC.

Mirëpo një grup i të drejtave të njeriut që po ndjek konfliktin “Aktivistët e të Drejtave të Njeriut” në Iran e ka vlerësuar shifrën e personave të vrarë në pothuajse dyfishin e asaj të raportuar nga Irani.

Putini pret kryediplomatin iranian, thotë se s’ka justifikim për sulmin e SHBA-së

1 muaj më parë / 23 qer 2025 13:48
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dënuar të hënën "agresionin e paprovokuar" ndaj Iranit, teksa ka pritur në Moskë kryediplomatin iranian për bisedime në Moskë.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi, Putini ka thënë se sulmet nuk kanë "asnjë bazë dhe asnjë justifikim", raporton AP.

Ai ka shtuar se Rusia, një nga aleatët kryesorë të Iranit, po bënte përpjekje për t'i ofruar ndihmë popullit iranian.

Ndërsa Araghchi ka falënderuar Rusinë për dënimin e veprimeve të Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit, duke thënë se "Rusia sot është në anën e duhur të historisë dhe të drejtës ndërkombëtare".

"Këto veprime agresive nga Izraeli dhe SHBA-ja janë plotësisht të paligjshme dhe shkelin rregullat dhe normat ndërkombëtare. Ne po mbrojmë sovranitetin dhe vendin tonë, dhe mbrojtja jonë është legjitime", ka thënë Araghchi.

Araghchi është dërguar në Moskë nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Ngushtica e Hormuzit – Çka ndodh nëse Irani e mbyll korridorin e naftës?

1 muaj më parë / 23 qer 2025 13:31
Ngushtica e Hormuzit

Ka spekulime të mëdha se Irani mund të hakmerret për sulmet e SHBA-së ndaj objekteve të tij bërthamore duke mbyllur kanalin më të ngarkuar të transportit të naftës në botë, Ngushticën e Hormuzit.

Ditën e dielë është raportuar se Parlamenti iranian e ka miratuar mbylljen, por që një vendim përfundimtar nuk është marrë ende.

Rreth 20% e naftës dhe gazit global rrjedh nëpër këtë korsi të ngushtë transporti në Gjirin Persik. Bllokimi i saj do të kishte pasoja të thella për ekonominë globale, duke çrregulluar tregtinë ndërkombëtare dhe duke rritur çmimet e naftës.

Mbyllja gjithashtu mund të rrisë koston e mallrave dhe shërbimeve në të gjithë botën dhe të godasë disa nga ekonomitë më të mëdha në botë, duke përfshirë Kinën, Indinë dhe Japoninë, të cilat janë ndër importueset kryesore të naftës bruto që kalon nëpër ngushticë.

Çfarë është Ngushtica e Hormuzit - dhe ku ndodhet?

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit në botë dhe pika më e rëndësishme e tranzitit të naftës.

I kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), korridori - i cili është vetëm rreth 50 km i gjerë në hyrje dhe dalje, dhe rreth 33 km i gjerë në pikën e tij më të ngushtë - lidh Gjirin Persik me Detin Arabik.

Ngushtica është mjaftueshëm e thellë për cisternat më të mëdha të naftës bruto në botë dhe përdoret nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme dhe klientët e tyre.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, rreth 20 milionë fuçi naftë kkanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë, sipas vlerësimeve nga Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA).

Kjo është e barabartë me gati 600 miliardë dollarë në vit.

Kjo naftë nuk vjen vetëm nga Irani, por edhe nga shtete të tjera të Gjirit si Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Cili do të ishte ndikimi i mbylljes së ngushticës?

Ish-kreu i agjencisë së inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar MI6, Sir Alex Younger, i ka thënë BBC-së se skenari i tij më i keq në konfliktin e vazhdueshëm Iran-Izrael përfshinte një bllokadë në Ngushticën e Hormuzit.

"Mbyllja e ngushticës do të ishte padyshim një problem i jashtëzakonshëm ekonomik duke pasur parasysh efektin që do të kishte në çmimin e naftës", ka thënë ai.

Do të ishte "terren i paeksploruar", sipas Bader Al-Saif, një profesor asistent në Universitetin e Kuvajtit i specializuar në gjeopolitikën e Gadishullit Arabik.

"Do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në tregjet botërore, sepse do të shihnit një rritje të çmimit të naftës, dhe do të shihni tregjet e aksioneve që reagojnë shumë nervozisht ndaj asaj që po ndodh", ka thënë Al-Saif për BBC Neëshour.

Kjo do të dëmtonte vendet e Gjirit, ekonomitë e të cilave mbështeten shumë në eksportet e energjisë.

Arabia Saudite, për shembull, përdor ngushticën për të eksportuar rreth 6 milionë fuçi naftë bruto në ditë, më shumë se çdo vend fqinj, sipas një studimi nga firma analitike Vortexa.

Irani, në krahasim, eksporton rreth 1.7 milionë fuçi në ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Edhe Azia do të goditej rëndë. Në vitin 2022, rreth 82% e naftës bruto dhe kondensateve (hidrokarbure të lëngshme me dendësi të ulët që zakonisht ndodhin me gazin natyror) që dalin nga Ngushtica e Hormuzit ishin të destinuara për vendet aziatike, sipas vlerësimeve të EIA-s.

Vetëm Kina vlerësohet të blejë rreth 90% të naftës që Irani eksporton në tregun global.

Çdo ndërprerje në këtë drejtim mund të rrisë kostot e karburantit dhe të prodhimit në një kohë kur

Kina duhet të mbështetet në prodhim dhe eksporte. Ky nuk është vetëm një problem i brendshëm: rritja e kostove të prodhimit përfundimisht mund t'u kalojë konsumatorëve, duke nxitur inflacionin në të gjithë botën.

Ndikimi mund të jetë gjithashtu i madh për ekonomitë e tjera kryesore aziatike, të cilat janë ndër importueset më të mëdha, pas Kinës. Pothuajse gjysma e naftës bruto të Indisë dhe 60% e importeve të saj të gazit natyror kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. 

Koreja e Jugut thuhet se merr 60% të naftës së saj bruto përmes ngushticës, dhe Japonia gati tre të katërtat.

Si mund ta mbyllë Irani ngushticën?

Rregullat e Kombeve të Bashkuara u lejojnë vendeve të ushtrojnë kontroll deri në 12 milje detare nga vija e tyre bregdetare.

Kjo do të thotë se në pikën e saj më të ngushtë, Ngushtica e Hormuzit dhe korridoret e saj të transportit detar shtrihen tërësisht brenda ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit.

Nëse Irani do të përpiqej të bllokonte rreth 3,000 anije që lundrojnë nëpër ngushticë çdo muaj, një nga mënyrat më efektive për ta bërë këtë, sipas ekspertëve, do të ishte vendosja e minave duke përdorur anije sulmi të shpejta dhe nëndetëse.

Marina e rregullt e Iranit dhe marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) mund të nisin sulme ndaj anijeve luftarake dhe anijeve tregtare të huaja.

Megjithatë, anijet e mëdha ushtarake nga ana tjetër mund të bëhen objektiva të lehta për sulmet ajrore të SHBA-së.

Anijet e shpejta të Iranit shpesh janë të armatosura me raketa kundër anijeve, dhe vendi gjithashtu operon një gamë anijesh sipërfaqësore, anijesh gjysmë-nëndetëse dhe nëndetëse.

Ekspertët thonë se Irani mund ta bllokojë ngushticën përkohësisht, por shumë janë po aq të bindur se SHBA-ja dhe aleatët e saj mund të rivendosin shpejt rrjedhën e trafikut detar përmes mjeteve ushtarake.

SHBA-ja e ka bërë këtë edhe më parë.

Në fund të viteve 1980, gjatë luftës tetëvjeçare Iran-Irak, sulmet ndaj objekteve të naftës u përshkallëzuan në një "luftë me cisterna" duke i bërë të dy vendet të sulmonin anije neutrale për të ushtruar presion ekonomik.

Cisternat kuvajtiane që transportonin naftë irakiane ishin veçanërisht të prekshme dhe përfundimisht, anijet luftarake amerikane filluan t'i shoqëronin ato përmes Gjirit në atë që u bë operacioni më i madh i konvojeve detare që nga Lufta e Dytë Botërore.

A do ta bllokojë Irani ngushticën?

Ndërsa Irani ka kërcënuar vazhdimisht të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në konfliktet e kaluara, ai kurrë nuk e ka zbatuar atë.

Thirrja më e afërt ishte gjatë luftës së tankerëve në fund të viteve 1980, por edhe atëherë, transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit nuk u ndërpre kurrë seriozisht.

Nëse Irani e përmbush kërcënimin e tij, këtë herë mund të jetë ndryshe.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka pohuar se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani do të përbënte "vetëvrasje ekonomike" dhe i bëri thirrje Kinës, një aleate e Teheranit, të ndërhyjë.

"Unë e inkurajoj qeverinë kineze në Pekin t'i telefonojë ata për këtë, sepse ata varen shumë nga Ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre", ka thënë Rubio në një intervistë me Fox Neës të dielën.

"Ne kemi mundësi për t'u marrë me këtë, por edhe vendet e tjera duhet ta shqyrtojnë këtë. Do të dëmtonte ekonomitë e vendeve të tjera shumë më keq se tonat”, ka shtuar ai. 

Edhe pse Kina ende nuk ka reaguar, Pekini ka shumë pak gjasa të mirëpresë ndonjë rritje të çmimeve të naftës ose ndërprerje të rrugëve të transportit detar.

Analistja e energjisë Vandana Hari ka thënë se Irani ka "pak për të fituar dhe shumë për të humbur" nga mbyllja e Ngushticës.

"Irani rrezikon t'i shndërrojë fqinjët e tij prodhues të naftës dhe gazit në Gjirin Persik në armiq dhe të shkaktojë zemërimin e tregut të tij kryesor, Kinës, duke ndërprerë trafikun në Ngushticë", ka thënë Hari për BBC News.

A mund të kompensojnë rrugët alternative një bllokadë?

Kërcënimi i vazhdueshëm i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, me kalimin e viteve, i ka nxitur vendet eksportuese të naftës në rajonin e Gjirit Persik të zhvillojnë rrugë alternative eksporti.

Sipas një raporti të EIA-s, Arabia Saudite ka aktivizuar tubacionin e saj Lindje-Perëndim, një linjë 1,200 km e gjatë, e aftë të transportojë deri në 5 milionë fuçi naftë bruto në ditë.

Në vitin 2019, Arabia Saudite e ripërdori përkohësisht një tubacion gazi natyror për të transportuar naftë bruto.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lidhur fushat e tyre të naftës në brendësi të vendit me portin e Fujairah në Gjirin e Omanit nëpërmjet një tubacioni me një kapacitet ditor prej 1.5 milion fuçish.

Në korrik 2021, Irani përuroi tubacionin Goreh-Jask, i cili synon të transportojë naftë bruto në Gjirin e Omanit. Ky tubacion aktualisht mund të transportojë rreth 350,000 fuçi në ditë, megjithëse raportet sugjerojnë se Irani nuk e bën ende.

EIA vlerëson se këto rrugë alternative mund të trajtojnë së bashku rreth 3.5 milionë fuçi naftë në ditë - afërsisht 15% të naftës bruto që transportohet aktualisht përmes ngushticës.

Pas SHBA-së edhe Izraeli godet objektin bërthamor “Fordow”

1 muaj më parë / 23 qer 2025 12:25
Fordow

Objekti bërthamor “Fordow” i Iranit është vënë përsëri në shënjestër, kanë raportuar të hënën disa agjenci lajmesh të lidhura me shtetin iranian, duke cituar zëdhënësin e provincës Qom, ku ndodhet vendi.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim ia atribuoi sulmin Izraelit.

"Nuk do të ketë rrezik ose kërcënim për qytetarët", ka thënë zëdhënësi i provincës Qom, sipas ISNA-s.

SHBA-ja ka kryer të shtunën në mbrëmje sulme kundër tre prej vendeve kryesore bërthamore të Iranit, përfshirë Fordow.

Fordow është një nga vendet më të rëndësishme bërthamore të Iranit, i ndërtuar thellë brenda një mali për ta mbrojtur atë nga sulmet.

Izraeli godet burgun famëkeq iranian Evin

1 muaj më parë / 23 qer 2025 12:19
Iran

Photo: Associated Press

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka thënë se Izraeli aktualisht po sulmon objektiva qeveritare iraniane thellë brenda kryeqytetit iranian, Teheranit, duke përfshirë burgun famëkeq Evin.

Objektiva të tjerë përfshijnë selinë e sigurisë së Gardës Revolucionare paraushtarake, Sheshin e Palestinës dhe korpusin vullnetar paraushtarak Basij, i cili është pjesë e Gardës Revolucionare.

"Diktatori iranian do të ndëshkohet me forcë të plotë për sulmin ndaj frontit të brendshëm izraelit", ka thënë Ministria e Mbrojtjes.

Irani sulmon Izraelin pas sulmeve të SHBA-së mbi objektet e tij bërthamore

1 muaj më parë / 23 qer 2025 11:19
Iran

Photo: Associated Press

Irani ka lëshuar ​​një breshëri raketash dhe dronësh të hënën drejt Izraelit, duke paralajmëruar gjithashtu Shtetet e Bashkuara se ushtrisë së saj i është dhënë liria për të sulmuar objektivat amerikane pas sulmeve masive të administratës Trump në vendet bërthamore iraniane.

Raportohet se të paktën 8,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në Izrael si pasojë e sulmeve. 

Ndërkohë, kreu i mbikëqyrësit bërthamor të Kombeve të Bashkuaraka thënë të hënën se "dëme shumë të rënda" priten në objektin nëntokësor të Iranit në Fordo pas një sulmi ajror amerikan atje me bomba të sofistikuara bunker-shkatërruese, raporton AP.

Me sulmet e së dielës në vendet bërthamore iraniane, Shtetet e Bashkuara u futën në luftën e Izraelit, duke shkaktuar frikën e një konflikti më të gjerë rajonal. Irani ka thënë se SHBA-ja ka kaluar "një vijë të kuqe shumë të madhe" me hapin e saj të rrezikshëm për të goditur tri vendet me raketa dhe bomba bunker-shkatërruese 30,000 paundëshe.

Izraeli ka thënë se sistemet e tij të mbrojtjes po funksionojnë për të kapur kërcënimin e fundit iranian, i cili duket se synonte zonat veriore dhe qendrore të vendit.

Irani e ka ka përshkruar sulmin si një valë të re të Operacionit të tij “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se ai kishte në shënjestër qytetet izraelite të Haifës dhe Tel Avivit, sipas televizionit shtetëror iranian.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në Jerusalem. Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për dëme.

Në Iran, dëshmitarët raportuan se sulmet ajrore izraelite goditën zonat përreth kryeqytetit të Iranit, Teheran, në mesditë. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë ishte shënjestruar.

Khamenei dërgon kryediplomatin iranian në Moskë për të kërkuar ndihmë nga Putini

1 muaj më parë / 23 qer 2025 11:02
Donald Trump, Vladimir Putin, Ayatollah Ali Kahemeni

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka dërguar ministrin e tij të jashtëm në Moskë të hënën për t'i kërkuar presidentit, Vladimir Putin më shumë ndihmë nga Rusia pas veprimit më të madh ushtarak të SHBA-së kundër Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979, gjatë fundjavës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Izraeli kanë spekuluar publikisht rreth vrasjes së udhëheqësit suprem, Khamenei, dhe rreth ndryshimit të regjimit, një hap që Rusia ka frikë se mund ta çojë Lindjen e Mesme në humnerë, raporton Reuters.

Ndonëse Putini i ka dënuar sulmet izraelite, ai ende nuk ka komentuar mbi sulmet e SHBA-së ndaj vendeve bërthamore iraniane, megjithëse javën e kaluar ka bërë thirrje për qetësi dhe ka ofruar shërbimet e Moskës si ndërmjetës mbi programin bërthamor.

Një burim i lartë i ka thënë Reuters se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, do t'i dorëzonte një letër nga Khamenei Putinit, duke kërkuar mbështetjen e këtij të fundit.

Irani nuk është impresionuar nga mbështetja e Rusisë deri më tani, kanë thënë burime iraniane për Reuters, dhe vendi dëshiron që Putini të bëjë më shumë për ta mbështetur atë kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Burimet nuk kanë dhënë detaje se çfarë ndihme dëshironte Teherani.

Kremlini ka thënë se Putini do ta priste Araqchin, por nuk ka bërë të ditur se çfarë do të diskutohej.

Araqchi është cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS të ketë thënë se Irani dhe Rusia po koordinojnë qëndrimet e tyre mbi përshkallëzimin aktual në Lindjen e Mesme.

Rusia, një aleate e vjetër e Teheranit, luan një rol në negociatat bërthamore të Iranit me Perëndimin si një anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe një nënshkruese e një marrëveshjeje të mëparshme bërthamore që Trumpi e ka braktisur gjatë mandatit të tij të parë në 2018.

Por Putini, ushtria e të cilit po lufton një luftë të madhe në Ukrainë e cila ndodhet në vitin e katër, deri më tani ka treguar interesim për t'u zhytur në një konfrontim me Shtetet e Bashkuara mbi Iranin, ndërkohë që Trumpi kërkon të rregullojë lidhjet me Moskën.

Kallas: Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme

1 muaj më parë / 23 qer 2025 10:29
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Mbyllja nga Irani e Ngushticës së Hormuzit do të ishte e rrezikshme dhe "jo e mirë për askënd", ka dekalaruar të hënën diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

"Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzim të kësaj lufte janë të mëdha, veçanërisht mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani është diçka që do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme dhe jo e mirë për askënd", u ka thënë Kallas gazetarëve përpara një takimi me ministrat e jashtëm të BE-së.

Press TV iranian ka raportuar të dielën se Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit duhej të merrte një vendim përfundimtar nëse do ta mbyllte ngushticën, pasi u raportua se parlamenti e ka mbështetur masën.

Rreth 20% e kërkesës globale për naftë dhe gaz rrjedh përmes Ngushticës së Hormuzit. 

Koreja e Veriut dënon sulmin e SHBA-së ndaj Iranit

1 muaj më parë / 23 qer 2025 10:23
Kim Jong un

Photo: Associated Press

Koreja e Veriut ka thënë të hënën se dënon fuqimisht sulmet e SHBA-së kundër objekteve bërthamore iraniane si një shkelje të rëndë të interesave të sigurisë dhe të drejtave territoriale të një shteti sovran, ka raportuar media shtetërore e Veriut. 

“Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë fajtorët e tensioneve aktuale në Lindjen e Mesme, të lindura nga "lëvizjet e pandërprera të luftës dhe zgjerimi territorial" i Jerusalemit, të pranuara dhe të inkurajuara nga Perëndimi", ka thënë ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, raporton Reuters.

"Koreja e Veriut denoncon fuqimisht sulmin ndaj Iranit nga SHBA-ja, i cili... shkeli me dhunë integritetin territorial dhe interesat e sigurisë së një shteti sovran", ka thënë zëdhënësi i paidentifikuar në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve KCNA.

Irani dhe Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore kanë ruajtur lidhje miqësore dhe janë dyshuar për dekada të tëra për bashkëpunim ushtarak, përfshirë zhvillimin e raketave balistike.

Një panel ekspertësh që monitorojnë sanksionet e OKB-së, tani i shfuqizuar, ka thënë në vitin 2021 se të dy vendet kanë rifilluar bashkëpunimin në projektet e zhvillimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, përfshirë transferimin e pjesëve kritike.

"Pheniani mund të ofrojë ndihmë ndaj Iranit për të rindërtuar objektet e shkatërruara të prodhimit të raketave, përfshirë ndoshta edhe vendet e reja për të shmangur shqyrtimin”, ka thënë Ankit Panda, i Fondacionit Carnegie për Paqe Ndërkombëtare me seli në SHBA.

Koreja e Veriut ka ndërmarrë hapa të paprecedentë vitin e kaluar për të thelluar ndihmën ushtarake ndaj Rusisë, një partnere tjetër e Iranit, duke dërguar mijëra trupa, si dhe raketa balistike dhe armë të tjera për t'u përdorur në luftimet kundër Ukrainës, sipas burimeve të inteligjencës amerikane, ukrainase dhe të tjera.

Komandanti i lartë iranian paralajmëron hakmarrje ndaj SHBA-së

1 muaj më parë / 23 qer 2025 09:40
Abdolrahim Mousavi

Foto: AFP

Komandanti i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë hapur derën për hakmarrje, ndërsa ka thënë se “nuk do të tërhiqemi kurrë”. Deklarata është transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, raporton “CNN”. 

Gjeneralmajori Abdolrahim Mousavi, shef i Forcave të Armatosura të Iranit, tha se “Amerika kriminale ka hapur derën për luftëtarët e islamit në forcat e armatosura për çdo veprim kundër interesave dhe ushtrisë së saj dhe ne s’do të tërhiqemi kurrë në këtë drejtim”. 

Mousavi tha se SHBA-ja ka “hyrë drejtpërdrejtë në luftë duke shkelur sovranitetin e Iranit Islamik dhe duke shkelur tokën e shenjtë të vendit tonë”. 

Mesazhi i tij është i fundit në një sërë deklaratash që kanë dhënë komandantët e lartë ushtarakë iranianë të hënën.  Ata kanë paralajmëruar hakmarrje pasi SHBA-ja goditi tri objekte bërthamore të Iranit një ditë më parë.

Zëdhënësi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), Ebrahim Zolfaghari, tha se SHBA-ja do të pendohet. 

“Trump bixhozçi, ti mund të nisësh një luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë”, tha Zolfaghari.