Izraeli po ndërmerr një fushatë të gjerë për imazhin e tij publik në mënyrë që ta heqë nga vetja fajin për urinë dhe vrasjet e civilëve palestinezë në Gaza, përballë provave dërrmuese se Izraeli është përgjegjës.
Ndërsa dhjetëra qeveri, organizata të OKB-së dhe figura të tjera ndërkombëtare kanë dhënë detaje mbi fajin e Izraelit, zyrtarët dhe ministrat në Izrael janë përpjekur të sugjerojnë se nuk ka uri në Gaza, se nëse ekziston uria, nuk është faji i Izraelit, ose janë munduar ta fajësojnë Hamasin apo OKB-në dhe organizatat humanitare për probleme me shpërndarjen e ndihmave.
Përpjekja izraelite ka vazhduar edhe pse një nga ministrat e qeverisë, ministri për Trashëgimi i ekstremit të djathtë, Amichai Eliyahu, e përshkroi politikën izraelite si të urisë, gjenocidit dhe spastrimit etnik.
Mes dëshmive për një numër në rritje të vdekjeve nga uria në Gaza, përfshirë fëmijë, dhe imazheve tronditëse të njerëzve, Izraeli është përpjekur ta shmang fajësinë për atë që kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka përshkruar si “uri masive e krijuar nga dora e njeriut”.
Kjo pikëpamje u mbështet me një deklaratë të përbashkët këtë javë nga 28 vende të cilat fajësuan në mënyrë të qartë Izraelin.
“Vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur thellësi të reja. Modeli i shpërndarjes së ndihmave i qeverisë izraelite është i rrezikshëm, nxit paqëndrueshmëri dhe i privon banorët e Gazës nga dinjiteti njerëzor”, thuhej në deklaratë.
Disa zyrtarë izraelitë kanë qenë më të kujdesshëm në deklarata publike, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili pati dhënë një premtim të mjegullt se “nuk do të ketë uri” në Gazë.
“Nuk ka uri në Gazë – ka mungesë të së vërtetës”, i pati thënë “SkyNews” David Mencer, zëdhënës i qeverisë izraelite.
Duke e kundërshtuar këtë pretendim, organizata “Mjekët pa Kufi” ka thënë se një e katërta e fëmijëve të vegjël dhe shtatzënave që ishin trajtuar në klinikat e saj javën e kaluar ishin nga kequshqyerja. OKB-ja ka thënë se një në pesë fëmijë ne Gazë vuante nga kequshqyerja.
Përpjekjet e Izraelit për ta shmangur fajin, megjithatë, minohen nga përgjegjësia e tij e vetme: që si fuqi okupuese në një konflikt, është e detyruar ligjërisht të sigurojë kushtet e jetesës për ata që janë nën pushtim.
Dhe ndërsa Izraeli vazhdimisht është përpjekur që ta fajësojë Hamasin për bllokimin dhe marrjen e ndihmave, ky pretendim është rrëzuar nga një raport i SHBA-së ku thuhet se nuk është gjetur asnjë dëshmi e vjedhjeve sistematike të furnizimeve amerikane nga Hamasi. Raporti u publikua nga Reuters.
156 incidente të vjedhjeve apo humbjeve të ndihmave amerikane u ekzaminuan, por nuk gjet “asnjë raportim se Hamasi” përfitoi nga ato furnizime.
Izraeli së fundmi ka intensifikuar përpjekjet për ta fajësuar edhe OKB-në për problemet me shpërndarjen e ndihmave, duke u ankuar se komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat nuk po bashkëpunojnë. Pretendimet e Izraelit bien poshtë nga dëshmitë e qarta të përpjekjeve të tij për të minuar shpërndarjen e ndihmave.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për rrezikun humanitar që paraqiste ndalimi i UNRWA-s, agjencisë kryesore të OKB-së për palestinezët, nga Izraeli, operacionet e saj u mbyllën duke i komplikuar përpjekjet për ndihma.
Izraeli, mbështetur nga SHBA-ja, u mbështet në Fondacionin Humanitar për Gazën – i papërvojë dhe kontrovers – zonat e të cilit ishin në fokus të një numri incidentesh me viktima, ku palestinezë të dëshpëruar për ushqim u vranë nga ushtarë izraelitë.
Përpjekjet e Izraelit për të penguar përpjekjet për ndihma kanë vazhduar. Javën e kaluar Izraeli tha se nuk do ta rinovonte vizën e punës të Jonathan Whittall, zyrtarit më të lartë të ndihmave së OKB-së në Gaza. Stephane Dujarric, zëdhënës i OKB-së, u tha gazetarëve të enjten se Izraeli kishte refuzuar tetë nga 16 kërkesat e OKB-së për të transportuar ndihma humanitare në Gaza.
Ai shtoi se dy kërkesa të tjera, të miratuara fillimisht, çuan më pas në përballje me pengesa në terren, ndërsa i përshkroi ato pengesa si një model "pengesash burokratike, logjistike, administrative dhe të tjera operacionale të vendosura nga autoritetet izraelite".
E gjithë kjo ka nxitur një ndjenjë të re urgjence në katastrofën në Gaza, ndërsa agjencitë e OKB-së paralajmëruan se janë në prag të mbarimit të ushqimit special të nevojshëm për të shpëtuar jetën e fëmijëve të kequshqyer rëndë.
"Shumica e furnizimeve për trajtimin e kequshqyerjes janë konsumuar dhe ajo që ka mbetur do të mbarojë shumë shpejt nëse nuk rimbushet", ka thënë një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë të enjten.
Më shumë vdekje nga uria duken të pashmangshme.