Të paktën 17 palestinezë kanë humbur jetën të enjten si rezultat i sulmeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur në Agjencinë për mbrojtjen civile të territorit.
Sipas zyrtarit të kësaj agjencie, Mahmud Bassal, në mesin e viktimave ishin gjashtë civilë që po prisnin për ndihmat humanitare.
“Forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet në zonën e Zeitunit, në qytetin e Gazës”, ka thënë ai. “Për të katërtën ditë me radhë, zona është sulmuar nga ushtria, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Shumë persona s’mund të largohen nga kjo zonë për arsye të luftimeve”.
E të mërkurën, shefi i Ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, e ka miratuar planin e ri për zgjerimin e operacioneve në enklavën palestineze, me qëllimin për të liruar të gjitha pengjet dhe për ta mposhtur përfundimisht grupin militant Hamas, i cili është shpallur qëmoti organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Lufta shpërtheu kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor të vitit 2023. Militantët kishin vrarë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën 250 pengje – shumica janë liruar që atëherë përmes marrëveshjeve, ndërsa disa kanë vdekur.
Izraeli është kundërpërgjigjur me një fushatë ajrore, detare dhe tokësore në Gazë që ka vrarë më shumë se 61,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.