Izraeli do t’i lejojë vendet e huaja të hedhin ndihma me parashutë në Gazë duke filluar nga e premtja, sipas radios së ushtrisë izraelite, e cila ka cituar një zyrtar ushtarak.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka njoftuar se më shumë se 100 njerëz kanë vdekur nga uria në enklavën palestineze që kur Izraeli ndërpreu furnizimet për territorin në mars, raporton Reuters.
Izraeli, i cili ka hyrë në luftë me grupin militant palestinez Hamas në Gazë që nga tetori i vitit 2023, e hoqi atë bllokadë në maj, por ka vendosur kufizime që thotë se janë të nevojshme për të parandaluar që ndihma të devijohet te grupet militante.
Në dy javët e para të korrikut, agjencia e fëmijëve e OKB-së, UNICEF, trajtoi 5.000 fëmijë që përballen me kequshqyerje akute në Gaza.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të mërkurën se popullsia në Gazë po vuan nga uria masive e shkaktuar nga njeriu, nga një bllokadë e vendosur ndaj ndihmës.
“Ndihmat” e Izraelit – Pakot nga ajri janë problematike, nganjëherë vdekjeprurëse
Izraeli ka thënë se do të lejojë shtetet e huaja të hedhin ndihma me parashuta në Gazën e shkatërruar, teksa fëmijë, të rritur e pleq kanë vdekur nga uria për shkak të bllokadës së Izraelit.
Ndihmat që Izraeli i ka paralajmëruar, siç është dëshmuar në të kaluarën, janë problematike. Kur ato u hodhën në vitin 2024 pasi OKB-ja pati thënë se popullata e Gazës ishte në prag urie, organizatat humanitare patën thënë se kjo metodë e dërgesave të ndihmave nuk do të mbulonte nevojat në tokë.
Një avion britanik kishte lëshuar 10 tonë ushqim e ujë nga ajri në Gazë atë kohë – çka nënkupton se janë më pak se një kamion i vetëm që do t’i transportonte nëpër tokë, raportoi BBC.
Ndihmat nga ajri disa herë patën edhe pasoja, nganjëherë vdekjeprurëse. Disa prej tyre të lëshuara në det bënë që palestinezët t’i ndiqnin dhe të mbyteshin duke u përpjekur t’i arrinin. Njerëz të tjerë vdiqën ose u lënduan nga pakot e forta që binin nga qielli kur ndonjë parashutë dështonte.