Ligjvënësit amerikanë kanë votuar të mërkurën kundër një mase për fuqitë e luftës që do të kishte kufizuar aftësinë e presidentit Donald Trump për të urdhëruar veprime të mëtejshme ushtarake në Iran.
Masa nuk ka arritur të kalojë në senat me 47 vota pro dhe 53 kundër. Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për të njëjtën çështje të premten.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIrani ka lëshuar më shumë raketa drejt Izraelit, ka bërë të ditur ushtria izraelite, teksa shpërthimet janë dëgjuar edhe në Jerusalem.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka identifikuar dy ushtarakë të tjerë që besohet se janë vrarë në një sulm me dron në Kuvajt.
Ushtria e Izraelit ka thënë se ka nisur një "valë të re sulmesh" që synonin infrastrukturën ushtarake në Teheran.
Ushtria ka thënë gjithashtu se ka goditur objektivat e Hezbollahut në Bejrut të enjten në mëngjes.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth, ka konfirmuar se një nëndetëse amerikane ka fundosur një anije luftarake iraniane në Oqeanin Indian. Pentagoni më vonë publikoi pamjet e sulmit.
Rreth 180 persona mendohet se kanë qenë në bordin e anijes Iris Dena - 32 janë shpëtuar dhe autoritetet e Sri Lankës thonë se deri më tani janë gjetur 80 trupa.
Izraeli thotë se po “kalon në fazën tjetër të operacionit” kundër Iranit
Shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir, thotë se po “kalojnë në fazën tjetër të operacionit” kundër Iranit, duke këmbëngulur se kjo do të “çmontojë më tej regjimin dhe kapacitetet e tij ushtarake”, raporton agjencia “BBC”.
Shefi i shtabit i IDF-së, Eyal Zamir, thotë se Izraeli dhe SHBA-ja kanë qenë duke e “izoluar strategjikisht” Iranin dhe duke e sjellë atë në një pikë dobësie “si asnjëherë më parë”.
Ai thotë se për gjashtë ditë Izraeli ka goditur Iranin “pa ndërprerje” dhe se “operacioni po vazhdon me ritmin që ne e kishim planifikuar”.
“Pas përfundimit të fazës së sulmit të befasishëm, në të cilën vendosëm epërsi ajrore dhe shtypëm sistemin e raketave balistike, tani po kalojmë në fazën tjetër të operacionit. Në këtë fazë, ne do të çmontojmë më tej regjimin dhe kapacitetet e tij ushtarake. Kemi surpriza të tjera përpara të cilat nuk kam ndërmend t’i zbuloj”.
Ai më pas kaloi te gjendja në Liban, duke thënë se Hezbollah bëri “një gabim strategjik” duke iu bashkuar luftimeve dhe se Izraeli po “godet me forcë, në vijën e frontit dhe më thellë në Liban”.
SHBA-ja mbyll ambasadën e saj në Kuvajt
SHBA-ja e ka mbyllur Ambasadën e saj në Kuvajt.
Është misioni i dytë diplomatik që pezullon plotësisht operacionet që nga fillimi i luftës operacionit në Iran.
“Ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në mesin e personelit amerikan, siguria e amerikanëve jashtë vendit mbetet prioriteti më i lartë i Departamentit të Shtetit,” thuhet në një deklaratë lidhur me statusin e Ambasadës në Kuvajt City.
Pak para njoftimit, departamenti tha se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte telefonuar ministrin e Jashtëm të Kuvajtit për t’i shprehur ngushëllimet për vdekjen e të paktën dy ushtarëve kuvajtianë në sulmet hakmarrëse iraniane.
Megjithëse shumë ambasada dhe konsullata amerikane në Lindjen e Mesme janë mbyllur për publikun që nga fillimi i luftës, vetëm konsullata në Karachi, Pakistan, kishte pezulluar operacionet.
Ushtria e Kuvajtit ka thënë se në orët e fundit forcat e saja ajrore po përballen me sulme raketore dhe me dronë.
Trumpi dëshiron të përfshihet në zgjedhjen e liderit të ri të Iranit
Presidenti amerikan Donal Trump ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen e liderit të ri të Iranit, në një intervistë për “Axios”.
Ndërkohë, Trumpi e ka quajtur të papranueshëm djalin e Ayatollah Ali Khameneit për lider të ri.
“Djali i Khameneit është i papranueshëm për mua. Ne duam dikë që sjell harmoni dhe paqe në Iran”, ka thënë Trumpi për Mojtaba Khamenein.
Trumpi gjithashtu e talli djalin e Khameneit duke e quajtur si figurë me “peshë të lehtë”.
“Unë duhet të jem i përfshirë në zgjedhje, si me Delcyn në Venezuelë”, ka theksuar presidenti.
Delcy Rodriguez e mori pushtetin në janar pasi Trumpi urdhëroi një operacion ushtarak për ta kapur Nicolas Maduron dhe ta sillte atë në SHBA për t’u përballur me akuzat për drogë.
Emiratet e Bashkuara Arabe lëshojnë alarm emergjence në të gjithë vendin
Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka lëshuar një alarm emergjence në të gjithë vendin, duke paralajmëruar për kërcënime të mundshme nga raketat iraniane dhe i ka nxitur banorët të kërkojnë strehim të menjëhershëm në ndërtesën më të afërt të sigurt, raporton “BBC”.
Banorëve u është këshilluar gjithashtu të qëndrojnë larg dritareve, dyerve dhe zonave të hapura. Ky njoftim vjen rreth një orë pasi Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se po i përgjigjej kërcënimeve me raketa dhe dronë nga Irani.
Më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se kishin kapur gjashtë raketa iraniane dhe 131 dronë sot. Një raketë dhe gjashtë dronë ranë në territorin e saj, tha ajo.
E Ministria e Brendshme e Bahrejnit thotë se një strukturë në zonën industriale të Ma'ameer është shënjestruar nga "agresioni iranian".
Një zjarr në strukturë tani është vënë nën kontroll, thotë ministria në një postim në mediat sociale, me "dëme të kufizuara materiale" dhe "pa humbje jetësh".
Irani ka goditur edhe Azerbajxhanin. E ka goditur Aeroportin Ndërkombëtar të Nakhchivanit dhe ndërtesën e terminalit të tij.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se forcat e armatosura të Azerbajxhanit janë udhëzuar të "përgatisin dhe zbatojnë masa të përshtatshme hakmarrëse" pasi akuzoi Iranin për kryerjen e dy sulmeve me dronë.
"Objektiva të sulmeve ishin objekte civile, duke përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Nakhchivanit dhe ndërtesën e terminalit të tij, një shkollë dhe vende të tjera civile, të gjitha të goditura në mënyrë të pabesë nga Irani”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha se një dron goditi ndërtesën e terminalit të aeroportit, ndërsa një tjetër ra pranë një ndërtese shkolle në Shakarabad. Dy civilë u plagosën, shtoi ajo.
Izraeli urdhëron qindra mijëra persona të largohen nga Libani jugor
Ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër evakuimi për të gjitha periferitë jugore të Bejrutit, në zonën e quajtur Dahiyeh, të cilën e quan fortesë të grupit militant Hezbollah, raporton “BBC”.
Nuk ka një shifër përfundimtare se sa e madhe është popullsia atje, por disa vlerësime e vendosin atë midis 300 mijë dhe 700 mijë. Besohet të jetë hera e parë që Ushtria izraelite ka urdhëruar zona të mëdha të kryeqytetit libanez të largohen, kur më parë ata do të detyronin njerëzit të largoheshin nga ndërtesa specifike që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të godisnin.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Avichay Adraee, tha se urdhri i fundit mbulon katër lagje kryesore në periferitë jugore të Bejrutit - Bourj el-Barajneh, Hadath, Haret Hreik dhe Shiyyah.
"Shpëtoni jetët tuaja dhe evakuohuni menjëherë”, tha ai në një mesazh të postuar në mediat sociale. “Kini kujdes, të shkosh drejt jugut është e ndaluar. Çdo lëvizje drejt jugut mund të rrezikojë jetën tuaj. Ne do t'ju informojmë për kohën e sigurt për t'u kthyer në shtëpitë tuaja”.
NATO-ja mbështet Trumpin lidhur me Iranin por s’do të përfshihet në konflikt
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vlerësuar të enjten vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të nisur sulme ndaj Iranit, por ka hedhur poshtë çdo sugjerim se aleanca e NATO-s do të merrte pjesë në konflikt.
"Ne e mbështesim presidentin në heqjen e kësaj aftësie”, ka thënë Rutte, duke iu referuar objektivit ushtarak të SHBA-së për të zhdukur programin e raketave balistike të regjimit iranian.
"Ne duhet të sigurohemi që në të ardhmen Irani, kjo republikë, të mos jetë përsëri në gjendje të paraqesë një kërcënim vdekjeprurës për fqinjët e tij, për Izraelin, Lindjen e Mesme, për Evropën", ka shtuar ai në një videointervistë.
Duke folur një ditë pasi Turqia ka thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s rrëzuan një raketë iraniane që po udhëtonte drejt hapësirës së saj ajrore, Rutte ka dënuar incidentin si "serioz", e për të cilin Irani ka mohuar çdo përfshirje. Ai e ka përshkruar përgjimin e suksesshëm si provë të një "qasjeje 360 gradë" për të mbrojtur territorin e NATO-s.
Megjithatë, Rutte ka hedhur poshtë çdo ide se NATO-ja ishte përfshirë në mënyrë aktive në konflikt, por theksoi se aleanca është thelbësore për efektivitetin e SHBA-së në fushatën e saj.
Irani intensifikon sulmet e bën thirrje për “gjakun e Trumpit”
Irani ka nisur një valë të re sulmesh të enjten ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe vendeve në rajon, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të “pendohen keq” për fundosjen e një anijeje luftarake iraniane në Oqeanin Indian dhe duke bërë thirrje për “gjakun e Trumpit”.
Ndërkohë, Izraeli ka thënë se ka goditur disa objektiva në Iran.
Izraeli ka njoftuar për disa sulme me raketa në ardhje teksa sirenat e alarmit ajror janë dëgjuar në Tel Aviv dhe Jerusalem. Televizioni shtetëror iranian ka thënë se sulme të tjera synuan gjithashtu bazat amerikane.
Ushtria izraelite ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit ka goditur 80 objektiva në Liban të lidhura me grupin militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani, dhe se një valë sulmesh ndaj Iranit ka goditur vendet e lëshimit të raketave balistike me rreze të gjatë dhe objektiva të tjera.
E ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka akuzuar Marinën Amerikane se ka kryer “një mizori në det” duke fundosur fregatën iraniane IRIS Dena në Oqeanin Indian, e duke lënë të vdekur të paktën 87 marinarë iranianë.
“Mbani mend fjalët e mia: SHBA-ja do të pendohet keq për precedentin që ka vendosur”, ka thënë ai në rrjetet sociale.
Ajatollahu Abdollah Javadi Amoli, në një nga deklaratat e rralla nga klerikët iranianë deri tani, më vonë ka bërë thirrje në televizionin shtetëror për derdhjen e gjakut të izraelitëve dhe të “Trumpit”.
“Luftoni Amerikën shtypëse, gjaku i tij është mbi supet e mia”, ka thënë ai, në një thirrje të rrallë për dhunë nga një ajatollah, një nga rangjet më të larta në klerin e Islamit shiit.
SHBA-ja dhe Izraeli e nisën luftën të shtunën, duke synuar udhëheqjen e Iranit dhe duke vrarë udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si dhe duke goditur arsenalin e raketave dhe objektet bërthamore të vendit.
Udhëheqësit kanë sugjeruar se rrëzimi i qeverisë mund të jetë një nga qëllimet, por objektivat dhe afatet kanë ndryshuar vazhdimisht, duke sinjalizuar një konflikt të hapur pa afat të qartë.
Lufta ka lënë të vdekur më shumë se 1,000 njerëz në Iran, më shumë se 70 në Liban dhe disa të tjerë në Izrael, sipas zyrtarëve të këtyre vendeve. Ajo ka ndërprerë furnizimin global me naftë dhe gaz, ka bllokuar transportin ndërkombëtar detar dhe ka lënë qindra mijëra udhëtarë të bllokuar në Lindjen e Mesme
Kërcënimet po përhapen në gjithë Lindjen e Mesme.
Konflikti në Lindjen e Mesme, aleatët kërkojnë ndihmën e Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të enjten se aleatët në Lindjen e Mesme i kanë kërkuar Ukrainës të ndajë ekspertizën e saj në luftimin e dronëve iranianë “Shahed”.
Lufta me dronë është një pjesë qendrore e konfliktit në Ukrainë dhe Rusia ka blerë dhe përdorur mijëra dronë Shahed të prodhuar në Iran në sulmet e saj në vend.
Zelensky ka thënë në internet se vendi i tij është i gatshëm të ndajë ekspertizën dhe se është i hapur për një shkëmbim teknologjie dhe armësh me vendet e Gjirit, të cilat kanë qenë nën sulm nga dronë iranianë gjatë javës së kaluar.
Por ai ka shtuar se "Lidhur me armët: ne vetë jemi në luftë".
"Dhe thashë, plotësisht sinqerisht, se kemi mungesë të asaj që ata kanë... ata kanë nevojë për dronë interceptues, të cilët ne i kemi. Ndërkohë, kemi mungesë të raketave PAC-2 dhe PAC-3", ka shtuar Zelensky.
We received signals from partners in the Middle East. There have been strikes by Iranian “shaheds” on civilians in those countries. They are seeking our expertise. We are open. If their representatives come, we will provide the expertise. Especially since there is also a request…
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) March 5, 2026
Katari sulmohet fuqishëm nga Irani
Katari ka bërë të ditur se mëngjesin e së enjtes është përballur me një tjetër sulm me raketa nga Irani.
Ministria e Mbrojtjes e vendit ka thënë se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore deri më tani i kanë penguar raketat iraniane.
Ndërkohë, autoritetet e sigurisë u kanë bërë thirrje banorëve dhe vizitorëve të "qëndrojnë të qetë" dhe të ndjekin "udhëzimet zyrtare të lëshuara".
Gazetarja e BBC-së e cila ndodhet në Dubai, ka thënë se ekipi i saj kishte dëgjuar raportime për "shpërthime të rënda" në Doha dhe kishte parë njerëz që kërkon strehim.
Çka po ndodh me fluturimet në Lindjen e Mesme?
Disa fluturime kanë rifilluar në Lindjen e Mesme pas disa ditësh ndërprerjesh.
Një fluturim që pritej të kryhej nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të sjellë britanikët nga Omani nuk u nis siç ishte planifikuar të mërkurën në mbrëmje për shkak të një problemi teknik.
"Fluturimi pritet të niset më vonë sot”, ka deklaruar të enjten ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Gjermania, Spanja, Holanda dhe vende të tjera evropiane kanë zbarkuar me sukses aeroplanë riatdhesimi nga Lindja e Mesme.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, kompanitë Emirates dhe Etihad Airëays tani po operojnë një numër të kufizuar shërbimesh. Operacione të kufizuara fluturimesh kanë rifilluar në Aeroportin Ndërkombëtar Zayed, thotë ka bërë të ditur zyra medias e Abu Dhabit.
Qatar Airways ka njoftuar këtë mëngjes se do të operojë fluturime ndihme nga Muskati, Oman, në disa qytete evropiane të enjten, duke përfshirë Londrën, Berlinin, Kopenhagën, Madridin, Romën dhe Amsterdamin.
Operacionet kryesore të linjës ajrore nga kryeqyteti i vendit, Doha, mbeten të pezulluara përkohësisht "për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Katarit", ka thënë kompania një deklaratë në X.
Dhe, në Izrael, avionët e parë të riatdhesimit kanë ateruar në Tel Aviv, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, e cila citon ministrinë izraelite të Transportit.
Kanadaja nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në luftën kunër Iranit
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, nuk e ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjen së vendit të tij në veprime ushtarake, por ka bërë një dallim midis sulmit dhe mbrojtjes.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ai do ta përjashtonte pjesëmarrjen e Kanadasë në veprimet ushtarake të SHBA-së në Iran nëse konflikti vazhdonte të përhapej, kryeministri ka thënë gjatë qëndrimit të tij në Australi, se kjo nuk mund të përjashtohej dhe se Kanadaja do të qëndronte pranë aleatëve të saj dhe do të mbronte gjithmonë kanadezët.
“Askush nuk mund ta përjashtojë kategorikisht pjesëmarrjen. Ne do të qëndrojmë pranë aleatëve tanë, por ka kuptim që ka një dallim midis veprimeve sulmuese që u ndërmorën dhe po ndërmerren nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, që u ndërmorën prej tyre pa konsultim me Kanadanë, me aleatë të tjerë, dhe ne nuk jemi palë në këto veprime, por gjithmonë do t'i mbrojmë kanadezët. Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë dhe do t'i mbrojmë aleatët tanë kur të na kërkohet”, ka deklaruar ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Australisë.
Carney e ka bërë deklaratën vetëm një ditë pasi tha se SHBA-ja nuk i kishte njoftuar aleatët për ofensivës e saj ndaj Iranit.
E presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur zemërimin e tij këtë javë me Britaninë dhe Spanjën. Britania kishte hezituar fillimisht të lejohnte Uashingtonin të përdorë bazën britanike në Diego Garcia në Oqeanin Indian gjatë sulmeve të para ndaj Iranit.
Ndërkaq, Spanja po ashtu ka refuzuar të lejojë që SHBA-ja të përdorë bazat e saj ushtarake për luftën kundër Iranit, e po ashtu ka kritikuar aksionin amerikano-izraelit kundër Republikës Islamike.
Dronët iranianë godasin Azerbajxhanin, dy të plagosur
Dy civilë janë plagosur nga një sulm me dronë iranian në Azerbajxhan, ka thënë ministria e Jashtme e Azerbajxhanit të enjten.
"Një dron ka goditur ndërtesën e terminalit të aeroportit në Republikën Autonome të Nakhçivanit, ndërsa një dron tjetër ka rënë pranë një ndërtese shkolle në fshatin Shakarabad", ka thënë ministria.
Sulmi me dronë ka dëmtuar një ndërtesë aeroporti dhe ka plagosur dy civilë.
Ambasadori iranian në Azerbajxhan është thirrur menjëherë, ka thënë ministria, ku "një protestë e fortë do t'i përcillet palës iraniane".
Të mërkurën, edhe Turqia ka thënë se Irani e kishte shënjestruar, duke deklaruar se mbrojtja e NATO-s kishte rrëzuar një raketë balistike iraniane drejt saj.
Mirëpo, Irani e ka mohuar se kishte synuar Turqinë, duke thënë se respekton sovranitetin e shtetit i cili është anëtar i NATO-s.
Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit për SHBA-në, Izraelin dhe Evropën
Garda Revolucionare e Iranit ka thënë të enjten se Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë, në të cilën trafiku është reduktuar që nga fillimi i luftës, është e mbyllur vetëm për anijet nga SHBA-ja, Izraeli, Evropa dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
“Ne kishim thënë më parë se, bazuar në ligjet dhe rezolutat ndërkombëtare, në kohë lufte, Republika Islamike e Iranit do të ketë të drejtën të kontrollojë kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit”, ka thënë Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, sipas transmetuesit shtetëror IRIB.
Nëse anijet që i përkasin SHBA-së, Izraelit, Evropës “dhe mbështetësve të tyre… do të vërehen, ato me siguri do të goditen”, ka paralajmëruar IRGC.
Ngushtica është mbyllur në mënyrë efektive që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën operacionin e tyre të përbashkët kundër Iranit të shtunën, duke bërë që çmimet e naftës të rriten dhe duke kërcënuar të përmbysin ekonominë globale.
Irani mohon se ka shënjestruar Turqinë
Forcat e armatosura të Iranit kanë mohuar se kanë lëshuar një raketë drejt Turqisë, e cila është rrëzuar nga NATO-ja të mërkurën, duke thënë se Teherani zyrtar respekton sovranitetin e shtetit i cili është anëtar i aleancës veriatlantike.
Sistemet e mbrojtjes nga raketat ajrore të NATO-s mbi Mesdheun lindor kanë rrëzuar raketën balistike ndërsa ajo po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke pasi kishte kaluar nëpër Siri dhe Irak, ka bërë të ditur Ankaraja zyrtare.
Në përgjigje, NATO-ja ka dënuar sulmet “pa dallim të Iranit në të gjithë rajonin".
Bombarduesit iranianë ishin “dy minuta” larg goditjes së bazës amerikane para se Katari t’i rrëzonte
Bombarduesit iranianë ishin vetëm pak minuta larg nga goditja e bazës më të madhe ushtarake që strehon trupat amerikane në Lindjen e Mesme, përpara se aeroplanët e Katarit t'i qëllonin, ata në misionin e tyre të parë luftarak ajror, kanë thënë për CNN dy burime të informuara mbi operacionin.
Të hënën në mëngjes, Garda Revolucionare e Iranit kishte nisur dy bombardues taktikë Su-24 të epokës sovjetike, drejt Bazës Ajrore al-Udeid, e cila strehon rreth 10,000 anëtarë të shërbimit amerikan, dhe Ras Laffan, një strukturë e rëndësishme për përpunimin e gazit natyror.
Aeroplanët iranianë ishin "dy minuta" larg objektivave të tyre, ka thënë një nga burimet. Një burim i dytë i ka thënë CNN-it se aeroplanët ishin identifikuar vizualisht dhe ishin fotografuar "duke mbajtur bomba dhe municione të drejtuara".
Katarianët kishin lëshuar menjëherë një paralajmërim në radio, por nuk kishin marrë përgjigje nga avionët, të cilët po fluturonin në një lartësi prej 80 metrash për të shmangur zbulimin e radarit, ka thënë burimi i dytë.
Për shkak të "kufizimeve kohore" dhe "bazuar në provat në dispozicion", avionët u "klasifikuan si armiqësorë", ka thënë burimi i dytë. Katari më pas ka dërguar avionët e tij luftarakë, dhe një luftëtar F-15 i Katarit u është kundërvënë avionëve iranianë në "luftime ajrore" përpara se t'i rrëzonte, sipas burimit të dytë
Avionët iranianë janë rrëzuar në ujërat territoriale të Katarit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, ka thënë në një konferencë të martën se po kryhen kërkime për ekuipazhet.
Irani ka lëshuar qindra raketa dhe dronë pa pilot drejt shteteve arabe përgjatë Gjirit Persik në hakmarrje për sulmet ajrore amerikane dhe izraelite në vend. Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, është vrarë në valën e parë të sulmeve të shtunën, kur sulmet shkatërruan kompleksin e tij në Teheran.
Por operacioni i Iranit mbi Katarin shënonte herën e parë që kishte përdorur avionë me pilot për të synuar një vend fqinj që nga vdekja e Khameneit, dhe po ashtu herën e parë që forca ajrore e Katarit është angazhuar në luftime ajër-ajër.
Gjenerali amerikan Dan Caine, kreu i shtatmadhorisë së SHBA-së, e ka pranuar incidentin në një konferencë për media të mërkurën pa specifikuar objektivin e bombarduesve iranianë.
"Luftëtarët e Katarit për herë të parë kanë rrëzuar dy bombardues iranianë në rrugën drejt vendndodhjes së tyre", ka thënë ai në një konferencë në Pentagon.
SHBA-ja po përgatitet që konflikti me Iranin “të zgjasë për 100 ditë ose më shumë”
Komanda qendrore e SHBA-së ka bërë thirrje që të dërgohen më shumë oficerë të inteligjencës ushtarake në selinë e saj në Florida, për të mbështetur operacionet kundër Iranit për të paktën 100 ditë, por me shumë mundësi deri në shtator, sipas Politico.
Kërkesa, thirrja e parë e njohur për personel shtesë të inteligjencës nga administrata për luftën me Iranin, i është dërguar Pentagonit, thuhet në raport.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se veprimi ushtarak kundër Teheranit mund të zgjasë katër deri në pesë javë, por kjo është një shenjë se konflikti mund të shtrihet shumë përtej afatit kohor të presidentit të SHBA-së.
Sulmet e Iranit dhe Izraelit kanë vazhduar edhe të enjten, teksa senati amerikan ka votuar të mërkurën kundër një mase lufte që do të kufizonte veprimet e presidentit Trump në Iran.
Irani godet një cisternë nafte amerikane në Gjirin Persik
Teksa bombardimet e Izraelit ndaj Teheranit kanë vazhduar mëngjesin e së enjtes, Irani gjithashtu ka nisur valën e vet të sulmeve gjatë natës kundër Izraelit dhe objektivave amerikane.
Ushtria iraniane ka thënë se kishte lëshuar disa dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi Arash gjatë natës, duke synuar rezervuarët e karburantit në Bazën Ajrore Ramat David në Izrael.
Një cisternë amerikane nafte është goditur nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Gjirin Persik verior dhe është në flakë, ka raportuar agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars.
IRGC ka thënë në një deklaratë se gjatë luftës, kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë nën kontrollin e Iranit.
IRGC ka thnë gjithashtu mëngjesin e së enjtes se vala e 19-të e operacionit “Premtimi i Vërtetë 4” ka filluar me një operacion të kombinuar me raketa dhe dronë kundër pozicioneve amerikane dhe izraelite në rajon, sipas transmetuesit shtetëror iranian Press TV.
Rihapet aeroporti kryesor i Izraelit
Aeroporti “Ben Gurion” i Izraelit është rihapur pasi ishte mbyllur pesë ditë më parë, në fillim të sulmeve të përbashkëta ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së kundër Iranit.
Fluturimi i parë nga Athina u ul këtë mëngjes në aeroport, duke sjellë në shtëpi izraelitë që kishin mbetur të bllokuar jashtë vendit.
Kompanitë ajrore izraelite pritet të ndihmojnë në kthimin me avion të rreth 100,000 izraelitëve që nuk kanë mundur të kthehen që nga dita e shtunë, kur Izraeli mbylli hapësirën e tij ajrore.
Autoritetet izraelite kanë miratuar një rihapje të pjesshme të hapësirës ajrore në faza, në varësi të zhvillimeve të sigurisë.