Botë

Izraeli arreston burrin që kërcënoi Netanyahun me vrasje

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Policia izraelite ka thënë të enjten se ka arrestuar një burrë për kërcënimin me vrasje të kryeministrit, Benjamin Netanyahu.

Policia ka thënë se pak para se të fillonte festa e Vitit të Ri Hebraik të hënën në mbrëmje, një burrë në të dyzetat nga qyteti jugor Kiryat Gat ka hyrë në stacionin lokal të policisë duke thënë se do ta vriste Netanyahun.

"I dyshuari u ka thënë oficerëve se planifikonte të blinte një armë zjarri dhe të qëllonte kryeministrin tre herë", ka thënë policia.

Burri është arrestuar dhe një padi kundër tij pritet të ngrihet të enjten. Policia synon ta mbajë burrin në paraburgim deri në fund të procedurave ligjore.

Sondazhet tregojnë se Netanyahu po humbet mbështetjen publike gjatë luftës gati dyvjeçare në Gazë kundër militantëve të Hamasit, gjë që ka çuar në frikën se Izraeli do të izolohet më shumë globalisht.

Janë 48 pengje, 20 prej të cilave besohet se janë ende gjallë, që mbahen në Gazë, dhe familjet e tyre i kanë kërkuar qeverisë izraelite të bëjë një marrëveshje që do t'i kthejë ata në shtëpi.