Pavarësisht bllokadës pothuajse totale të internetit në Iran, disa qytetarë vazhdojnë të kenë qasje në rrjet përmes shërbimit satelitor Starlink të miliarderit Elon Musk, kanë bërë të ditur burime brenda vendit për Reuters.
Sipas tre personave që përdorin Starlinkun në Iran, shërbimi ende funksionon në disa zona, edhe pse është i ndaluar zyrtarisht nga autoritetet iraniane. Njëri prej tyre, nga Irani Perëndimor, ka deklaruar se njeh dhjetëra persona që përdorin Starlink dhe se qytetet dhe zonat pranë kufirit janë prekur më pak nga ndërprerja e komunikimeve.
Autoritetet iraniane ditët e fundit kanë nisur një goditje të ashpër ndaj protestave mbarëkombëtare, duke përfshirë edhe ndërprerjen pothuajse të plotë të internetit përmes rrjeteve fikse dhe atyre mobile.
Sipas Alp Toker, themelues i grupit monitorues NetBlocks, lidhja e zakonshme e internetit në Iran ka rënë në rreth 1% të nivelit normal që nga 8 janari.
Megjithatë, Tokeri thotë se sinjali i Starlinkut ende është i pranishëm në mënyrë të pjesshme.
Ekspertë të fushës kanë ngritur dyshime se autoritetet iraniane mund të jenë duke përdorur pajisje për të bllokuar ose ndërhyrë në sinjalet e terminaleve Starlink.
Starlink është shndërruar në një mjet kyç komunikimi në disa konflikte dhe kriza globale. Ai është përdorur gjerësisht nga forcat ukrainase që nga pushtimi rus në vitin 2022, si dhe nga grupe rebele, organizata humanitare dhe personel mjekësor në vende si Birmania dhe Sudani, ku janë vendosur bllokada të gjata të internetit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se planifikon të bisedojë me Elon Muskun për rikthimin e internetit në Iran, pa përmendur drejtpërdrejt Starlink.