Botë

Irani konfirmon vdekjen e komandantit të lartë ushtarak

Saeed Izadi

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (TGRII) kanë konfirmuar të enjten se komandanti i lartë ushtarak, Saeed Izadi, ka humbur jetën gjatë sulmeve ajrore të Izraelit, ka raportuar BBC.

Izadi ishte komandant i lartë i Forcave Quds të TGRII-së dhe kishte për detyrë të koordinohej me Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura në Gazë.

Në njoftimin e Trupave të Gardës Revolucionare nuk përmendet as vendndodhja e as koha se kur ai është vrarë.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kishin lajmëruar për vdekjen e Izadit më 21 qershor, teksa e akuzuan se kishte qenë njëri nga arkitektët e sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit 2023.

Britania e Madhe e kishte sanksionuar Izadin në 2023-tën, lidhur me “kërcënimet e pashembullta” të Teheranit ndaj “paqes dhe sigurisë përgjatë Lindjes së Mesme” dhe “komploteve për të vrarë individë në territorin britanik”.

Ai ishte sanksionuar gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, për shkak të pretendimeve se po i dërgonte Hamasit miliona dollarë.