Zyrtarët e lartë të Republikës Islamike të Iranit pritet të takohen me homologët e tyre nga Britania, Franca dhe Gjermania (vendet e E3) më 25 korrik në Stamboll të Turqisë, për të diskutuar rreth programit bërthamor iranian, në kohën kur vendet evropiane kanë rritur trysninë kundrejt Teheranit zyrtar për të arritur marrëveshje, pasi që rrezikon t’i rivendosen sanksionet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka thënë të dielën se bisedimet do të zhvillohen në nivel të zëvendësministrave të Jashtëm, ka raportuar Reuters.
“Si përgjigje ndaj kërkesave të shteteve evropiane, Irani është dakorduar për të zhvilluar rundin e ri të negociatave”, ka thënë Baghaei për televizionin shtetëror iranian.
Këto zhvillime i ka konfirmuar edhe kryediplomati iranian, Abbas Aragchi, tek ka theksuar se po punohet në vazhdimësi për mbajtjen e takimit.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Britaninë, Gjermaninë, Francën, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën – e njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit Bërthamor (JCPOA) – nënvizon se, nëse palët nuk mund të zgjidhin akuzat për “mungesë të zbatimit” nga Irani, mekanizmi i sanksioneve të menjëhershme mund të aktivizohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara me 15 anëtarë.
Në “E3” kanë bërë të ditur se do të rivendosin sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit përmes mekanizmit të rikthimit deri në fund të gushtit, nëse bisedimet bërthamore që ishin në zhvillim ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve nuk rinisin ose nuk japin rezultate konkrete.
Vendet perëndimore e kanë akuzuar në vazhdimësi Iranin se po planifikon të ndërtojë armë bërthamore, akuzë që Teherani zyrtar e mohon.