Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur i pavendosur sa i përket angazhimit ushtarak të vendit të tij në konfliktin e përshkallëzuar ndërmjet Izraelit dhe Iranit. Ndërkohë, lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të shkaktonte “dëme të pariparueshme”. Ky ishte adresimi i dytë i Khameneit prej kur filluan sulmet e Izraelit ndaj Iranit javën e kaluar. Ai të mërkurën iu kundërpërgjigj presidentit amerikan, i cili kërkoi nga Irani të “dorëzohet pa kushte” dhe e paralajmëroi Khamenein se SHBA-ja e di se ku ndodhet, porse tash për tash nuk ka plane ta vrasë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk ka vendosur ende nëse dëshiron që vendi i tij të bëhet pjesë e konfliktit më të ri të Izraelit, përderisa lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, të mërkurën është shprehur se SHBA-ja do të përballet me “dëme të pariparueshme” nëse vendos në favor të ndërhyrjes ushtarake.
Khamenei ka shtuar se Izraeli ka bërë një “gabim shumë të madh” për sa i përket nisjes së luftës, në komentet e tij të para që nga e premtja e javës së kaluar, kur nisi konflikti.
“Amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake nga ana e tyre do të shoqërohet pa asnjë dyshim nga dëme të pariparueshme”, kishte thënë lideri suprem përmes një njoftimi të lexuar nga një prezantuese në televizionin shtetëror.
Bazuar në raportimin e “New York Times”, Teherani zyrtar ishte duke përgatitur raketa dhe pajisje të tjera për t’i sulmuar bazat amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme në rast se Washingtoni i bashkohet luftës.
Trumpi ka bërë të ditur se zyrtarët e lartë iranianë kishin bërë kërkesë për t’u takuar, si dhe kishin propozuar njashtu vizitë në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan u deklarua para gazetarëve të mbledhur në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë se tashmë “është shumë vonë për të biseduar”, porse s’kishte marrë ende vendim për t’u inkuadruar në luftë.
“Mund ta bëjë, mund edhe të mos e bëjë. Askush nuk e di se çfarë do të bëjë”, ka thënë ai.
Mes tjerash, presidenti amerikan ka thënë se e ka inkurajuar gjithashtu kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që të vazhdojë me fushatën ushtarake në Republikën Islamike të Iranit.
“I thashë, vazhdo përpara”, është shprehur Trumpi kur është pyetur rreth mesazhit të tij për liderin izraelit në mes të tensioneve në rritje në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Flas me të çdo ditë, ai është burrë i mirë, po bën punë të madhe”, ka shtuar presidenti amerikan.
“The Guardian” ka shkruar se kjo mungesë qartësie se çfarë ndodh më pas, mund ta ndikojë vetë presidentin amerikan, i cili është ende në fazën e diskutimeve për të arritur marrëveshje. Sipas ekspertëve, SHBA-ja po mundohet t’i mbajë të gjitha opsionet e hapura për të ushtruar sa më shumë presion ndaj Teheranit.
Amerika po lëviz avionë për furnizim me karburant në ajër në Spanjë dhe Greqi, ku ato mund të përdoren për të furnizuar bombarduesit B-2 në një udhëtim të gjatë nga baza ajrore Whiteman në Missouri për në Iran.
Siç raportohet, nuk është bërë ende asnjë kërkesë ndaj Britanisë së Madhe për përdorimin e bazës ajrore Diego Garcia në Oqeanin Indian për një sulm me avionin B-2, as për përdorimin e bazës ajrore Akrotiri në Qipro për avionët mbushës me karburant, megjithëse kjo e fundit konsiderohet e mundshme.
Asete të tjera të ushtrisë amerikane janë rrugës. Pentagoni ka urdhëruar aeroplanmbajtësen USS Nimitz që të lundrojë prej Singaporit në Lindje të Mesme, ku pritet të mbërrijë për pesë ose shtatë ditë. USS Carl Vinson veçse është në detin e Arabisë.
Sipas raportimeve të mediumit “The Jerusalem Post”, Katari dhe Omani po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim, disa orë pasi një avion i afërt me Qeverinë iraniane fluturoi për në Muskat të Omanit.
Autoritetet iraniane kanë dhënë sinjale se janë të gatshme të negociojnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, mirëpo pritshmëritë janë që Izraeli ta “relaksojë situatën”, ka bërë të ditur një burim i “The Jerusalem Post”.
Aludimi i Trumpit se iranianët i propozuan atij takim në Shtëpinë e Bardhë u shoqërua me kundërpërgjigjen e misionit të Iranit në Kombet e Bashkuara.
“Asnjë zyrtar iranianë s’ka kërkuar të gjunjëzohet në portat e Shtëpisë së Bardhë”, thuhet në postimin e misionit në rrjetet sociale.
Administrata e Trumpit ishte distancuar paraprakisht nga konflikti, duke thënë se Izraeli kishte vepruar i vetëm, mirëpo në ditët e fundit vërehet se ka ndryshim të retorikës, si dhe rritje të pranisë ushtarake në Lindjen e Mesme.
Edhe nëse SHBA-ja vendos të mos i bashkohet luftës, Izraeli ka prapëseprapë opsione ushtarake, mirëpo ato do të ishin më të rrezikshme dhe më të komplikuara. Mund të transportojë trupa për operacione speciale tokësore, si ai që pati cak një fabrikë raketash në Siri vitin e kaluar, ose të çaktivizojë zonën kyç bërthamore Fordow duke sulmuar sistemet mbështetëse, si furnizimi me energji elektrike.
Zyrtarët e lartë izraelitë pretendojnë se lufta ka filluar për vetëmbrojtje dhe për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, por Netanyahu dhe disa ministra nga kabineti i tij tashmë e kanë bërë sekret publik dëshirën e tyre për ndryshim të regjimit në Iran.
Sipas raportimeve, Trumpi e ka kundërshtuar një plan të Izraelit për ta vrarë liderin suprem të Iranit, përderisa kritikët kanë vendosur në pikëpyetje bombardimet izraelite mbi institucionet civile, sikurse rasti me sulmin mbi ndërtesën e transmetuesit publik iranian.
Të mërkurën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se Izraeli është duke bombarduar “simbolet e pushtetit” në Iran, teksa sugjeroi se regjimi i klerikëve fetarë i ka ditët e numëruara.
“Një tornado po kalon nëpër Teheran”, kishte shkruar ai në rrjetin social X. “Simbolet e pushtetit janë duke u bombarduar dhe po rrëzohen, nga autoriteti i transmetimit dhe së shpejti nga objektiva të tjera, dhe turma të mëdha banorësh po ikin. Kështu rrëzohen diktaturat”.
Konflikti në përshkallëzim e sipër ka nxitur shqetësime dhe reagime të mbarë komunitetit ndërkombëtar. Presidenti rus, Vladimir Putin, u shpreh i gatshëm për të ndërmjetësuar një marrëveshje ndërmjet Iranit dhe Izraelit, pasi që njëri nga diplomatët e tij kryesorë e alarmoi Washingtonin që të mos konsiderojë ‘opsione spekulative’ për ndërhyrje.
“Të thuash se nuk janë përfshirë më herët dhe do të përfshihen tani – mendoj se kjo do të ishte e pasaktë. Është tjetër gjë çfarë ata konsiderojnë për sa i përket ndihmës ushtarake të drejtpërdrejtë për Izraelin. Ne e paralajmërojmë Washingtonin: mos guxoni as të mendoni për këtë. Një veprim i tillë do ta destabilizonte në mënyrë radikale të gjithë situatën”, ka thënë Sergey Ryabko.
Presidenti kinez, Xi Jinping, ka deklaruar të mërkurën se është “thellësisht i shqetësuar se operacioni ushtarak i Izraelit kundër Iranit ka shkaktuar një përshkallëzim të papritur të tensioneve në Lindje të Mesme”.
Në natën e gjashtë të sulmeve, Ushtria izraelite bombardoi një vend ku prodhohen centrifuga të uraniumit dhe gjithashtu pretendoi se kishte synuar një fabrikë të raketave, krahas shkatërrimit të pesë helikopterëve sulmues.
Nga ana tjetër, forcat ushtarake të Iranit kanë pësuar goditje të rënda, ndonëse nuk janë shkatërruar plotësisht. Një dron izraelit u rrëzua të mërkurën, pavarësisht aludimeve se Izraeli ka nën kontroll hapësirën ajrore në Iranin perëndimor dhe në Teheran. Brenda natës, Irani lëshoi afro 15 raketa në drejtim të Izraelit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) kishte konfirmuar se sulmet izraelite goditën dy fabrika prodhimi të centrifugave në Iran, një në kryeqytet dhe një tjetër në periferi të tij.
Në Iran është raportuar se të paktën 224 persona kanë humbur jetën nga sulmet e Izraelit, kryesisht civilë, megjithëse këto shifra nuk janë përditësuar që disa ditë. Pavarësisht shifrave të ofruara nga autoritetet, një organizatë për të drejtat e njeriut në Iran ka bërë të ditur se të paktën 585 persona kanë mbetur të vdekur, teksa më shumë se 1,300 janë lënduar.
Deri më tani, sulmet iraniane në Izrael kanë vrarë të paktën 24 persona, të gjithë civilë. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit kanë shkatërruar apo rrëzuar shumicën e 400 raketave të lëshuara nga Teherani, përderisa vetëm 10 përqindëshi i këtyre raketave ka arritur të godasë objektivat brenda vendit.
Izraeli mund të bëhet më i cenueshëm nëse lufta vazhdon për një kohë më të gjatë, pasi që furnizimet e raketave të tij më efektive për mbrojtjen ajrore po shterojnë, ka raportuar “Wall Street Journal”, tek ka cituar një zyrtar amerikan.
Megjithëse SHBA-ja e ka mbështetur mbrojtjen e Izraelit me sistemet tokësore Thaad, ndërhyrjet e avionëve “F-16” dhe raketat e nisura nga marina, ajo nuk ka furnizime të pakufizuara të këtyre sistemeve mbrojtëse.
Mendohet se Irani ende ka një pjesë të konsiderueshme të rreth 2,000 raketave që kishte në arsenalin e tij në fillim të luftës. Sulmet izraelite janë përqendruar në sistemet e nisjes së raketave që nevojiten për t’i lëshuar ato.
