Kryediplomati iranian, Abbas Araghchi, ka thënë të shtunën se ka biseduar në telefon me homologët e tij francez, gjerman dhe britanik në përpjekje për ta parandaluar rikthimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara mbi programin bërthamor të Teheranit zyrtar, vetëm pak ditë para afatit të përcaktuar nga evropianët.
Kjo telefonatë është realizuar teksa tre fuqitë evropiane kanë kërcënuar se do të aktivizojnë klauzolën e “rikthimit të menjëhershëm” nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Republikën Islamike, që u lejon palëve të rivendosin sanksione nëse konsiderojnë se Irani nuk po i respekton zotimet.
Parlamenti i Iranit e kishte votuar disa kohë më parë pezullimin e bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), pas sulmeve ajrore të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj objekteve bërthamore iraniane në muajin qershor.
Aragchi ka shkruar në rrjetin social “Telegram” se bisedimet diplomatike do të vazhdojnë, porse ka theksuar se çdo zgjidhje e arritur duhet të garantojë të drejtat dhe interesat e Iranit.
“Republika Islamike e Iranit, nuk e ka braktisur kurrë rrugën e diplomacisë dhe është e gatshme për çdo zgjidhje diplomatike që garanton të drejtat dhe interesat e popullit iranian”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e ka konfirmuar në rrjetin social X se rundi i ardhshëm i bisedimeve do të zhvillohet javën tjetër.
“Patëm një telefonatë të rëndësishme me homologun tonë iranian për programin bërthamor dhe sanksionet ndaj Iranit që po përgatitemi t’i rivendosim… koha po mbaron”, ka shkruar Barrot.
Ky qëndrim u mbështet edhe nga sekretari i Jashtëm britanik David Lammy dhe kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ka deklaruar se “Irani duhet të angazhohet në mënyrë thelbësore për të shmangur aktivizimin e sanksioneve. Ne kemi qenë të qartë që nuk do të lejojmë skadimin e rivendosjes së sanksioneve pa një marrëveshje të verifikueshme dhe të qëndrueshme”.
Çdo përpjekje për rikthimin e sanksioneve mund të përballet me kundërshtimin nga Kina dhe Rusia, të cilat kanë të drejtën e vetos si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.