Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“I dëgjoj para se t’i shoh”: Si po përhapin frikë dronët në Kolumbi?

dronet

Në Kolumbi, përdorimi i dronëve me eksplozivë nga grupet kriminale dhe guerile është kthyer në një kërcënim të përditshëm për civilët, sidomos në rajonin e trazuar të Catatumbos. Sulmet dhe mbikëqyrja me dronë kanë përshkallëzuar frikën, zhvendosjet dhe viktimat, ndërsa autoritetet përpiqen të përballen me një formë të re dhe gjithnjë më të sofistikuar të luftës moderne

Sa herë që një zhurmë e ulët, e ngjashme me gumëzhimën e një blete, thyen qetësinë në shtëpinë e Sandra Montoyas pranë Tibusë, në rajonin Catatumbo të Kolumbisë, trupi i saj ngrihet nga frika. Instinktivisht, ajo vrapon drejt djalit të saj të vogël.

Zhurma vjen gjithmonë nga një kodër e vogël pas shtëpisë së saj, në një zonë të mbuluar me pyje dhe lumenj gjarpërues pranë kufirit mes Kolumbisë dhe Venezuelës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjithmonë i dëgjoj para se t’i shoh, nëse arrij t’i shoh”, thotë ajo. “Zakonisht duken si pika të zeza në horizont dhe ndonjëherë afrohen drejt nesh”.

Bëhet fjalë për dronë, disa prej tyre të mbushur me eksplozivë që fluturojnë rregullisht mbi qiellin e Catatumbos, rajon në të cilin prej vitesh ka përplasje mes grupeve të armatosura rivale dhe forcave shtetërore.

Zhurma kërcënuese e këtyre mjeteve fluturuese e tmerron djalin e saj të vogël, i cili vrapon të fshihet në tualet - i vetmi vend i ndërtuar me beton në shtëpinë e tyre prej dërrasash druri.

“Dronët mund të shkatërrojnë gjithçka këtu”, thotë Montoya, e cila përdori këtë emër të rremë për arsye sigurie. “Por më duhej t’i thosha diçka djalit tim. Si është e mundur që një fëmijë pesëvjeçar të jetojë me një frikë të tillë?”.

Përdorimi i dronëve, ose mjeteve ajrore pa pilot, është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, ndërsa Kolumbia vazhdon të përballet me konfliktin e saj të brendshëm që zgjat prej dekadash.

Ministria e Mbrojtjes e Kolumbisë raportoi se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 8.395 sulme me dronë, prej të cilave 333 kanë goditur objektivat e tyre me sukses.

Kjo përfaqëson një rritje prej 445 për qind krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan vetëm 61 incidente efektive.

Ajo që po ndodh në Kolumbi pasqyron një prirje më të gjerë në zonat e konfliktit në mbarë botën.

Ekspertët paralajmërojnë se lufta me dronë po krijon rreziqe të reja dhe më të mëdha për civilët.

Në Tibu, për shembull, një djalë 12-vjeçar dhe nëna e tij u vranë në maj të vitit 2025, kur një eksploziv ra mbi shtëpinë e tyre gjatë përleshjeve mes grupeve të armatosura.

Edhe pse Catatumbo, pranë kufirit me Venezuelën, është një nga zonat më të prekura nga dhuna me dronë, ajo nuk është e vetmja. Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në rajone të tjera të Kolumbisë.

Muajin e kaluar, tre ushtarë u vranë pas një sulmi me dron nga një grup i armatosur në Narinjo, në jugperëndim të vendit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në total gjatë vitit 2025, sulmet me dronë kanë shkaktuar 20 viktima dhe kanë plagosur 297 persona.

“Arma e re jokonvencionale”

Përhapja e dronëve është nxitur nga teknologjia komerciale e lirë dhe lehtësisht e disponueshme, e cila po përshtatet për përdorim luftarak.

“Ata janë arma e re jokonvencionale - ashtu siç dikur ishin bombat cilindrike”, tha Laura Bonilla, zëvendësdrejtoreshë e Fondacionit për Paqe dhe Pajtimin (PARES), organizatë joqeveritare kërkimore. 

“Ata rrisin aftësinë e grupeve për të shkaktuar dëme pa kosto të lartë. U mundësojnë të kryejnë më shumë sulme me më pak informacion dhe më pak para”.

Ekspertët besojnë gjithashtu se fragmentimi i grupeve të armatosura në Kolumbi i ka shtyrë luftëtarët të përdorin dronë. Kjo teknologji u lejon grupeve të mbajnë kostot e ulëta dhe të luftojnë pa rrezikuar drejtpërdrejt anëtarët e tyre.

Disa grupe tashmë përdorin dronë, përfshirë Ushtrinë Nacionalçlirimtare (ELN), Clan del Golfo dhe fraksione disidente të ish-Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), të cilat refuzuan të çarmatoseshin pas marrëveshjes së paqes të vitit 2016.

Kjo marrëveshje i dha fund gjashtë dekadave konflikt mes FARC-ut dhe shtetit kolumbian. Megjithatë, jo të gjithë luftëtarët dorëzuan armët.

Disa refuzuan marrëveshjen dhe krijuan grupe të reja të armatosura, ndërsa organizata të tjera zgjeruan ndikimin e tyre në zonat që më parë kontrolloheshin nga FARC-u.

Sot, një rrjet i ndërlikuar grupesh lufton për kontrollin e ekonomive ilegale dhe territoreve në rajone si Catatumbo, Cauca, Narino dhe Putumayo.

Dronët po i ndihmojnë ata ta bëjnë këtë.

Sulme dhe mbikëqyrje

Sipas analistëve, grupet e armatosura i përdorin dronët kryesisht për dy qëllime: sulme dhe mbikëqyrje.

“Ata godasin infrastrukturën, sulmojnë policinë dhe ushtrinë”, tha Bonilla. “Por një përdorim tjetër shumë i zakonshëm është kontrolli territorial përmes fluturimeve për mbikëqyrje”.

Ajo përmend përdorimin e dronëve për të monitoruar tokat ku kultivohet bima coca - përbërësi kryesor i kokainës dhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për grupet e armatosura.

Në këto zona, dronët përdoren për të vëzhguar plantacionet dhe laboratorët e drogës, duke zëvendësuar kontrollin që më parë bëhej në këmbë ose me motoçikleta.

Grupet e armatosura në Kolumbi i kanë siguruar dronët përmes blerjeve online — përfshirë platforma si Amazon dhe Temu — si dhe përmes ndërmjetësve urbanë dhe kontrabandës ndërkufitare. Më pas, këto pajisje modifikohen për përdorim luftarak.

“Tani po blejnë dronë komercialë, si modelet kineze DJI, por jo ato bazike për konsumatorë, të cilat kanë një rreze fluturimi vetëm tre ose katër kilometra”, tha Camilo Mendoza, analist i mbrojtjes dhe autor i librit “Kolumbia nën kërcënimin e dronëve”.

“Këta janë dronë industrialë më të mëdhenj, që përdoren zakonisht për inspektime. Kanë rreze më të gjatë, mund të fluturojnë më lart dhe të mbajnë pesha më të mëdha”.

Mendoza vlerëson se shumica mund të mbajnë rreth 1.5 kilogramë ngarkesë, ndërsa disa arrijnë mbi 3 kilogramë.

Disa prej tyre përdoren për transportimin e mjeteve shpërthyese artizanale, të përbëra nga tuba plastikë të mbushur me eksploziv industrial dhe copëza metalike.

Këto eksplozivë aktivizohen dhe lëshohen në distancë.

“Ata kanë mësuar përmes provave dhe gabimeve”, tha Mendoza. “Madje kanë publikuar video në TikTok dhe rrjete të tjera sociale ku bëjnë teste me peshë dhe balancim. Vendosin, për shembull, një kilogram oriz, e ngrenë dronin dhe thonë: ‘Jo, kjo nuk funksionon. Hiqe. Shto diçka tjetër’. Kështu kanë mësuar”.

Vetë modelet e dronëve po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara. Disa grupe po përdorin edhe dronë FPV (first-person view), të cilët pilotohen me syze speciale që i japin operatorit pamje direkte sikur të ishte vetë brenda dronit.

Përdorimi i dronëve nuk do të thotë se grupet e armatosura kanë hequr dorë nga armët tradicionale, si bombat artizanale, granatat apo minat tokësore.

Megjithatë, dronët u japin avantazhe taktike, sidomos në zonat rurale ku grupet janë të shpërndara.

Ata janë gjithashtu më të lehtë për t’u përdorur.

“Një pilot avioni tradicional ka nevojë për një ose dy vjet trajnim, varësisht nga misioni dhe lloji i avionit”, tha Mendoza. “Të mësosh të fluturosh një dron? Duhet vetëm një javë”.

Ai shtoi se ndërtimi dhe përdorimi i dronëve për luftë është bërë tashmë një fenomen global.

Sipas tij, grupet e armatosura kolumbiane kanë marrë mësime nga lufta në Ukrainë, të cilën ai e përshkruan si një “laborator të luftës moderne”.

Sipas burimeve të tij, disa kolumbianë, kryesisht të lidhur me grupet disidente të FARC-ut - kanë udhëtuar drejt Ukrainës duke u paraqitur si ish-ushtarë ose ish-policë, për të mësuar teknikat më moderne të përdorimit të dronëve.

Sulme pa dallim

Pavarësisht sofistikimit gjithnjë në rritje të dronëve, grupet e armatosura ende nuk kanë kontroll të plotë mbi këto sisteme.

“Nëse lëshon një dron me granata të modifikuara, eksplozivë apo bomba mortajash, në fund nuk e di sa prej tyre do të arrijnë objektivin. Grupet e armatosura nuk mund t’i kontrollojnë plotësisht,” tha Lina Mejia, koordinatore në organizatën për të drejtat e njeriut “Vivamos Humanos”.

“Pavarësisht teknologjisë që përdoret, këto pajisje ende modifikohen në mënyrë artizanale. Pikërisht ky është rreziku i përdorimit pa dallim të këtyre mjeteve”.

Vdekja e parë e regjistruar në Kolumbi nga një sulm me dron duket se ishte pikërisht një rast i tillë aksidental.

Në korrik të vitit 2024, 10-vjeçari Dylan Camilo Erazo Yela po luante futboll në El Plateado, në rajonin Cauca, kur një dron i një grupi disident të FARC hodhi një “tatuco” - një mjet shpërthyes i improvizuar - i cili shpërtheu dhe e vrau atë.

Prania gjithnjë e më e madhe e dronëve ka përkeqësuar edhe krizën e zhvendosjes së brendshme në Kolumbi, e cila tashmë konsiderohet një nga më të mëdhatë në botë.

Banorët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nga frika e dhunës, një kërcënim që është shtuar edhe më shumë nga përdorimi në rritje i dronëve.

Vetëm gjatë vitit 2025, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vlerëson se 235.619 persona janë zhvendosur.

Fillimi i atij viti solli një përshkallëzim të konfliktit në Catatumbo mes ELN-së dhe një grupi disident të FARC-ut të quajtur Frente 33.

Përplasjet lanë mbi 80 të vdekur dhe detyruan të paktën 100 mijë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre - më shumë se gjysma e popullsisë së rajonit. Shumë banorë treguan për përdorimin sistematik të dronëve.

“Tani po shohim një degradim të konfliktit”, tha Mejia, organizata e së cilës drejtoi një karvan humanitar drejt zonës.

“Po shohim dronë që më parë shmangnin zonat e banuara, ndërsa tani fluturojnë pa kontroll mbi fshatra, rrugë komunitare, shkolla dhe infrastrukturë civile”.

Ka pasoja edhe për ata që zgjedhin të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Sipas Vivamos Humanos, dronët shpesh qarkullojnë mbi shtëpi dhe toka bujqësore, duke krijuar një ndjenjë të vazhdueshme frike që kufizon jetën e përditshme.

Banorët e zonave të prekura shmangin daljen jashtë për të punuar, për të bërë pazar apo edhe për të marrë ujë, nga frika e sulmeve.

Disa banorë të Catatumbos i treguan organizatës se pajisje të pashpërthyera, të hedhura nga dronët, mbeteshin në rrugë ose pranë shtëpive. Në disa raste, fëmijët janë parë duke luajtur me to. Në raste të tjera, ato kanë shpërthyer më vonë për shkak të temperaturave të larta.

Gjithashtu janë identifikuar dronë vëzhgimi që monitorojnë liderë socialë dhe anëtarë të komunitetit.

Planet për një “mburojë kundër dronëve”

Forcat e armatosura kolumbiane po përpiqen t’i përgjigjen rritjes dramatike të përdorimit të dronëve, pjesërisht duke përdorur të njëjtën teknologji.

Në tetor të vitit 2025, ato krijuan Batalionin e parë të Avionëve Pa Pilot në Amerikën Latine (BANOT), dedikuar operacioneve me dronë në emër të qeverisë.

Gjithashtu janë vendosur sisteme kundër dronëve, të dizajnuara për të ndërprerë funksionimin e mjeteve pa pilot që përdoren nga grupet e armatosura dhe rrjetet kriminale.

Në janar 2026, qeveria kolumbiane njoftoi një projekt prej 1.68 miliardë dollarësh për zhvillimin e një “mburoje kundër dronëve”.

Sipas analistit të mbrojtjes Mendoza, këto sisteme mbështeten kryesisht në teknologji të quajtura “soft kill”, përfshirë bllokimin e frekuencave radio për të ndërprerë lidhjen mes dronit dhe operatorit.

Megjithatë, analistët thonë se ritmi i zbatimit të këtyre masave nuk po ecën me të njëjtën shpejtësi si inovacioni teknologjik.

Mendoza theksoi se grupet e armatosura po gjejnë mënyra për t’i anashkaluar këto sisteme.

“Disa nga këto teknologji janë joefektive ndaj dronëve që mund të ndryshojnë frekuencat”, tha ai.

“Ndërsa dronët me fibra optike nuk mund as të zbulohen dhe as të bllokohen. Nuk ka mënyrë për t’i ndalur”.

Sipas tij, kjo u ka dhënë grupeve të armatosura avantazh ndaj forcave të sigurisë.

“Ata kanë prishur ekuilibrin taktik dhe tani kanë epërsi ndaj forcave shtetërore”.

Ndërsa Kolumbia po afrohet drejt zgjedhjeve presidenciale që në fund të majit, Mendoza shpreson që kandidatët të adresojnë këtë kërcënim në rritje, edhe pse deri tani dronët pothuajse nuk janë pjesë e debatit politik.

Në malet e Tibu-së, Montoya dhe djali i saj tashmë janë mësuar të dallojnë dronët mbikëqyrës nga ata që mbajnë eksplozivë.

Ata i shohin pajisjet duke lëvizur në qiell, mes kodrave të gjelbra dhe qiellit të kthjellët blu. Zhurma e vazhdueshme dëgjohet ditë e natë.

“I dëgjon kur papritur ndodhen mbi shtëpinë ku po fle”, tha ajo. “Duhet t’i përqafosh fëmijët sepse ke frikë se një nga ato bomba mund të shpërthejë dhe t’i lëndojë”.

Një ditë, kur një dron shpërtheu pranë tyre, shtëpia u dridh dhe dheu u përplas mbi muret e jashtme.

Montoya u tmerrua. Megjithatë, edhe mungesa e dronëve tashmë është bërë shqetësuese.

“Kur kalon një ditë pa dëgjuar dronë apo bomba, prapë trembesh”, tha ajo. “Sepse zakonisht ndodh çdo ditë, ndaj mendon: mos vallë do të ndodhë diçka edhe më e keqe?”

Për civilë si Montoya, mbrojtja nga dronët nuk mund të vijë mjaftueshëm shpejt.

“Kudo që shkon një dron, e di që mund të shkatërrojë gjithçka”, thotë ajo. “Por unë vetëm lutem. Lutem, sepse nuk kam çfarë tjetër të bëj”.