Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Hungaria pritet ta kufizojë mandatin e kryeministrave në maksimum tetë vjet

Hungaria

Foto: Associated Press

Qeveria e re e Hungarisë ka nisur ndryshime të mëdha politike dhe kushtetuese, duke propozuar kufizimin e mandateve të kryeministrit në maksimum tetë vjet. Masa shihet si një përpjekje për të penguar rikthimin në pushtet të Viktor Orbanit dhe për ta rikthyer kontrollin demokratik në vend.

Qeveria e re e Hungarisë, e udhëhequr nga Peter Magyar, ka propozuar një amendament kushtetues që do ta kufizonte mandatin e kryeministrit në maksimum tetë vjet, duke ia pamundësuar në praktikë Viktor Orbanit rikthimin në këtë post.

Projekt-amendamenti u dorëzua të mërkurën, vetëm pak më shumë se një javë pasi qeveria e re mori detyrën. Ky konsiderohet si hapi i parë i Magyarit dhe partisë së tij Tisza për ta shfuqizuar Kushtetutën që ishte rishkruar dhe ndryshuar në mënyrë të njëanshme më shumë se dhjetëra herë gjatë qeverisjes së Orbanit dhe partisë së tij Fidesz.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë më shumë se dy vjetëve fushatë, Magyar kishte premtuar vazhdimisht vendosjen e kufizimeve të mandateve, duke i cilësuar ato si pjesë të një reforme më të gjerë për rikthimin e kontrollit demokratik dhe balancës së pushteteve në vend.

Pas fitores bindëse të partisë së tij në zgjedhjet e muajit të kaluar, analistët vlerësuan se qeveria e re do të përballej me sfida të mëdha për rindërtimin e shërbimeve publike të dobësuara dhe të ekonomisë në stagnim. Situata komplikohet edhe më shumë nga fakti se shumë besnikë të Fidesz vazhdojnë të mbajnë pozita në administratë, media dhe sistemin gjyqësor.

Projekt-amendamenti duket se synon ta pengojë mundësinë që Orbanin t’i shfrytëzojë vështirësitë e qeverisë së re për t’u rikthyer në pushtet. Në tekst thuhet se kufizimi i mandateve është “thelbësor” për rikthimin e shtetit ligjor. 

“Një person, që ka shërbyer si kryeministër për të paktën tetë vjet gjithsej, edhe me ndërprerje, nuk mund të zgjidhet më kryeministër”, thuhet në draft.

Llogaritja do të përfshijë të gjitha mandatet e kryeministrave që nga demokratizimi i Hungarisë në vitin 1990. Kjo do të thotë se Orban, i cili ka mbajtur pesë mandate si kryeministër që nga viti 1998 dhe ka kaluar gjithsej 20 vjet në pushtet, do të ndalohej të rikthehej në këtë detyrë.

Megjithatë, amendamenti nuk konsiderohet plotësisht i sigurt, pasi çdo lider i ardhshëm që do të kishte një shumicë prej dy të tretash në Parlament, mund të propozojë ndryshime të reja për ta zgjatur qëndrimin në pushtet.

Një tjetër pikë e draftit hap rrugën për shpërbërjen e Zyrës për Mbrojtjen e Sovranitetit, një institucion shumë i debatueshëm i krijuar gjatë viteve të fundit të qeverisjes së Orbanit.

Kjo zyrë ishte akuzuar gjerësisht se përdorej për t’i heshtur kritikët e qeverisë, duke i lejuar shërbimeve sekrete hungareze të kishin qasje në informacionet e individëve dhe organizatave pa mbikëqyrje gjyqësore.

Teksa qeveria e re po përpiqet t’i zhbllokojë miliarda euro fonde të ngrira nga Bashkimi Evropian, amendamenti trajton edhe një tjetër çështje problematike me Brukselin: rikthimin nën kontroll shtetëror të fondacioneve që gjatë qeverisjes së Orbanit administronin afro dhjetëra universitetesh dhe institute kërkimore, përfshirë edhe kolegjin Mathias Corvinus.

Gjatë qeverisë së kaluar, bordet drejtuese të këtyre fondacioneve, të mbushura kryesisht me njerëz besnikë ndaj Orbanit, morën kontroll të plotë mbi këto pasuri publike. Draft-amendamenti thekson se kjo “eliminoi kontrollin demokratik” mbi asetet shtetërore dhe përbënte “abuzim me pushtetin legjislativ”.

Propozimi parashikon që shteti të ketë të drejtën për shpërbërjen e këtyre fondacioneve.

“Amendamenti e bën të qartë se, megjithëse fondacionet janë subjekte private, pasuritë e tyre janë pasuri kombëtare”, thuhet në tekst.

Projekt-amendamenti pritet të diskutohet javën e ardhshme, kur parlamenti hungarez të mblidhet në seancë.