Botë

Hamasi ka sunduar Gazën me dorë të hekurt - a do të heqë vërtet dorë nga kontrolli?

Hamas

Si mundet që një grup që ka qeverisur Rripin e Gazës për pothuajse 20 vjet, duke sunduar mbi dy milionë palestinezë me dorë të hekurt dhe duke luftuar me Izraelin në luftëra të përsëritura, papritmas të heqë armët dhe të dorëzojë kontrollin?

Që kur u vendos armëpushimi më 10 tetor, kanë dalë vazhdimisht imazhe të tmerrshme nga Gazë. Duket se Hamasi po përpiqet ta rikthejë kontrollin. Persona me maska janë parë duke rrahur dhe ekzekutuar kundërshtarë. Në rrugë janë parë njerëz që gjunjëzohen dhe që i qëllojnë, sepse i akuzojnë si anëtarë të grupeve rivale, përfshirë fiset e fuqishme të Gazës. Të tjerë viktima, të tmerruar, qëllohen në këmbë ose rrihen me shkopinj të rëndë.

Disa nga ata që po sulmohen tani, sipas një punonjësi humanitar me të cilin foli ekipi i BBC-së, ishin pjesë e grupeve që vodhën ose shpërndanë ndihmat, çka përkeqësoi krizën humanitare. OKB-ja gjithashtu ka thënë se bandat kriminale kanë vjedhur ndihma.

Kjo nuk është ende një situatë si në Planin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump, ku Hamasi dorëzon armët, merr amnisti, largohet nga Gaza dhe zëvendësohet nga një forcë ndërkombëtare. Presidenti Trump në fillim dukej paksa i paqartë për dhunën. Kur shkoi për në Izrael më 13 tetor, tha se SHBA-ja i ka dhënë Hamasit “miratimin” për ta rikthyer rendin: “Ne u kemi dhënë atyre miratimin për një periudhë të caktuar kohe”, tha ai. Tre ditë më vonë u bë më i ashpër: “Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gazë, gjë që nuk ishte pjesë e Marrëveshjes, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të hyjmë dhe t’i vrasim ata”, shkroi ai.

Pra, çfarë do të thotë kjo për Hamasin sot? Pas dy vjetësh luftë që shkaktuan vuajtje të papara për popullin e tyre dhe vdekjen e shumicës së udhëheqësve të tyre, çfarë e pret grupin në të ardhmen?

“Një humbje totale e rendit dhe ligjit”

Për shumë banorë të Gazës, të traumatizuar dhe të lodhur, ky fund i tmerrshëm nuk i habit. Konflikti ka vrarë shumë njerëz - sipas Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi, 68.000 në Gazë. Nga njerëzit me të cilët foli ekipi i BBC-së - punonjës ndihmash, avokatë dhe një ish-këshilltar i liderit të Hamasit - secili ka mendimin e tij nëse Hamasi do ta hedhë armët dhe dorëzojë pushtetin.

Dhe, duke parë situatën në terren, a është koha e duhur për ta bërë këtë?

“Janë dy vjet me një humbje totale të ligjit dhe rendit”, thotë Hanya Aljamal, punonjëse ndihmash nga Deir al-Balah. “Na duhet dikush që të marrë kontrollin. Edhe nëse Hamasi nuk është i kualifikuar për të qeverisur, ata janë alternativë më e mirë se bandat”.

Ahmad Yousef, ish-këshilltar i Ismail Haniyehut (ish-lider politik i Hamasit), mendon se tani duhet të ketë një dorë të fortë. “Sa kohë që janë njerëz që marrin ligjin në duart e tyre, duhet dikush t’i frikësojë dhe t’i shtypë”, thotë ai. Yousef, që është i afërt me udhëheqjen e Hamasit, thotë se kjo do të marrë pak kohë. “Jo shumë. Brenda një muaji do të kemi forca policore dhe ushtarake nga Turqia dhe Egjipti”, thotë ai, duke iu referuar forcës ndërkombëtare stabilizuese që përmendet në planin e paqes dhe që mund të përfshijë trupa nga Egjipti dhe Turqia. “Kjo është koha kur ata do të heqin dorë nga armët”.

Disa palestinezë janë më skeptikë dhe të frikësuar. Disa nuk besojnë që Hamasi do të japë pushtetin - ose armët. Moumen al-Natour, avokat, që është dënuar disa herë nga Hamasi, është një prej tyre. Ai është fshehur që nga korriku, pasi siç tha ai, të rinj të maskuar të Hamasit erdhën në apartamentin e tij dhe i thanë të paraqitej për t’u marrë në pyetje në spitalin al-Shifa. “Hamasi po dërgon një mesazh për botën dhe për presidentin Trump … se ata nuk do të dorëzojnë pushtetin dhe nuk do të dorëzojnë armët,” thotë ai në një seri videosh që na i dërgoi nga një vend i panjohur në Rripin e Gazës. Muri pas tij është i mbushur me vrima plumbash. “Është një bandë, jo një qeveri”, thotë ai për Hamasin. “Unë nuk dua që ata të qëndrojnë në Gazë… nuk dua t’i shoh në qeveri, nuk dua të jenë në polici, dhe nuk dua që idetë e tyre të përhapen në xhami, rrugë apo shkolla”.

“Ende fuqia kryesore në Gazë”

Moumen al-Natour ka mendimin e tij se si mund të duket e ardhmja e Gazës. Ai beson se grupet e armatosura të ndryshme që tani po goditen nga Hamasi mund të përfshihen në një strukturë të re sigurie. Por kjo është e vështirë për shkak të agjendave të ndryshme të këtyre grupeve, të kaluarës së tyre të errët, dhe në disa raste, lidhjeve të diskutueshme me ushtrinë izraelite.

“E vërteta është - dhe ndonjëherë izraelitët e kanë të vështirë ta pranojnë – që Hamasi ende ekziston dhe është forca dominuese”, thotë Michael Milshtein, ish-shef i çështjeve palestineze në inteligjencën ushtarake izraelite.

Ai paralajmëron se të mbështetesh te klane, milici, banda - shumë prej tyre kriminelë, të tjerë të lidhur me ISIS-in apo përfshirë në sulme kundër Izraelit - dhe t’i shohësh si zëvendësues të Hamasit është iluzion.

Zyrtarë të Hamasit kanë thënë se janë të gatshëm të dorëzojnë kontrollin politik të Gazës. Plani i armëpushimit i propozuar nga presidenti Trump, të cilin Hamasi e ka mbështetur pjesërisht, parashikon një “qeveri kalimtare të përkohshme, me një komitet palestinez teknik dhe jo-politik”.
Por edhe nëse Hamasi pranon të largohet nga politika - gjë për të cilën shumë palestinezë dhe izraelitë janë skeptikë - është shumë e vështirë të bindësh luftëtarët e tij t’i dorëzojnë armët. Sepse fuqia e Hamasit, edhe para tetorit 2023, varej shumë nga forca ushtarake.

Rritja e Hamasit dhe kontrolli i tij i hekurt

Për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë me Hamasin në të ardhmen, duhet parë fillimisht se si kjo organizatë e mori dhe e konsolidoi pushtetin.

Hamasi u krijua në vitet 1980 si një degë e Vëllazërisë Myslimane në Egjipt dhe si një rival i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO). Me kalimin e kohës, Hamasi u bë një grup militant i dhunshëm, përgjegjës për sulme ndaj civilëve izraelitë.

Në fillim, Izraeli e mbështeti në mënyrë të tërthortë Hamasin, duke e parë si kundërpeshë ndaj PLO-së dhe fraksionit të saj kryesor, Fatahut, që udhëhiqej nga Jaser Arafati. “Armiku kryesor ishte Fatahu”, thotë Ami Ayalon, ish-drejtor i shërbimit të brendshëm të sigurisë izraelite, Shin Bet, “sepse ata kërkonin krijimin e një shteti palestinez”.

Por kur Hamasi filloi të kryente sulme vetëvrasëse në vitet 1990 dhe 2000, Izraeli u kundërpërgjigj me një sërë vrasjesh të udhëheqësve të tij. Pas një lufte të brendshme me Fatahun, Hamasi, që fitoi zgjedhjet në vitin 2006, mori kontrollin e plotë të Rripit të Gazës.

Prej 18 vjetësh, Hamasi ka sunduar në Gazë, në një realitet të bllokadës ushtarake dhe ekonomike nga Izraeli dhe disa konflikteve të armatosura, përfshirë ato të viteve 2008-2009, 2012, 2014 dhe 2021.
Edhe pse pas sulmeve të 7 tetorit 2023 Izraeli e krahasoi Hamasin me ISIS-in, qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu më parë e kishte konsideruar si një kërcënim të menaxhueshëm. “Ai ndoqi një politikë të menaxhimit të konfliktit”, thotë Ayalon. “Nuk do ta zgjidhnim problemin dhe ishim kundër krijimit të një shteti palestinez, ndaj mënyra e vetme ishte të ndanim dhe të kontrollonim”.

Me Hamasin që kontrollonte Gazën dhe Autoritetin Palestinez që qeveriste një pjesë të Bregut Perëndimor, palestinezët mbetën të ndarë. Kjo i dha Izraelit mundësinë të thoshte se nuk kishte me kë të negocionte paqe.

“Netanyahu bëri gjithçka për të mbështetur Hamasin në Gazë”, thotë Ayalon. “Lejoi Katarin të dërgonte më shumë se 1.5 miliardë dollarë”. Këto para kishin si qëllim të ndihmonin familjet e varfra dhe të paguanin rrogat e punonjësve civilë, por agjencitë izraelite të sigurisë dyshonin se po përdoreshin edhe për ndërtimin e infrastrukturës ushtarake të Hamasit.

Netanyahu e ka mbrojtur këtë vendim duke thënë se fondet kishin si qëllim ndihmën për popullsinë civile.

Hamas ishte gjithmonë duke u përgatitur për luftë

Sulmet e 7 tetorit treguan se Hamasi po përgatitej për një luftë të madhe prej kohësh. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në ndërtimin e rrjetit të tuneleve nën tokë.

Tunelet ishin përdorur edhe gjatë Intifadës së dytë që filloi në vitin 2000. Në vitin 2006, luftëtarët e Hamasit përdorën një tunel për të sulmuar një postë ushtarake izraelite, duke vrarë dy ushtarë dhe rrëmbyer një tjetër, Gilad Shalit, i cili u mbajt peng për pesë vjet dhe u lirua në këmbim të 1,027 të burgosurve palestinezë - përfshirë Yahya Sinwar, që më vonë organizoi sulmet e 7 tetorit 2023.

Me kalimin e viteve, rrjeti i tuneleve u zgjerua dhe përfshinte punëtori, vende për prodhimin e armëve dhe qendra komanduese.

Ngjarjet në rajon luajtën gjithashtu rol. Pas rënies së Gadafit në Libi dhe ardhjes në pushtet të Vëllazërisë Myslimane në Egjipt në vitin 2012, Hamasi arriti të kontrabandonte armë më të sofistikuara në Gazë – përfshirë pushkë snajper, raketa portative dhe pajisje për prodhimin e raketave me rreze të gjatë.

Thuhet se Hamasi ka marrë ndihmë nga teknikë dhe luftëtarë me përvojë në ndërtimin e tuneleve në vende si Libani dhe Iraku.

Irani ishte gjithashtu një mbështetës i rëndësishëm, duke e parë Hamasin si pjesë të “Boshtit të Rezistencës”, një rrjet grupesh militante në Lindjen e Mesme kundër Izraelit dhe SHBA-së. Sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të vitit 2022 Irani po jepte rreth 100 milionë dollarë në vit për grupet militante palestineze, përfshirë Hamasin.

Disa tunele ishin të thella deri 70 metra nën tokë, kërkonin vite për t’u ndërtuar dhe kushtonin dhjetëra miliona dollarë secili. Ato përdoreshin për të strehuar komandantët dhe për t’i fshehur armët.
Një ekspert lokal me njohuri për tunelet i tha BBC-së se kostoja totale e projektit mund të ketë qenë rreth 6 miliardë dollarë.

Nuk ka të dhëna të sakta, por besohet se rrjeti i tuneleve mund të jetë shtrirë deri në 400 kilometra, në një territor që është vetëm 41 kilometra i gjatë dhe deri në 11 kilometra i gjerë.

Tunelet, projekt i fshehtë

Diskutimi publik për tunelet – vendndodhja apo kostoja e tyre – mund t’i ekspozonte banorët e Gazës ndaj akuzave për spiunazh, gjë që mund të çonte në arrestime apo edhe pasoja më të rënda. Megjithatë, shumë njerëz e dinin se çfarë po ndodhte.

Banorët vendas dallonin shenjat: dheu dhe balta që hiqeshin, hyrje të reja që shfaqeshin papritur dhe makineri që silleshin natën.

Ajo që filloi si një mënyrë për të përballuar izolimin e Gazës, u shndërrua gjatë tre dekadave në një rrjet të madh nëntokësor për qëllime ushtarake dhe ndërtimore.

Më vonë u zbulua se pjesë të mëdha të këtij rrjeti ishin fshehur nën objekte civile – spitale, shkolla, madje edhe nën selinë e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) në qytetin e Gazës, ku ndodhej një qendër të dhënash e Hamasit.

Pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur luftëtarët e Hamasit hynë në Izrael, vranë rreth 1,200 njerëz dhe morën 251 pengje, këto tunele u kthyen edhe në burgje nëntokësore. Jo të gjithë pengjet u mbajtën në tunele, por shumë prej tyre po, sidomos ndërsa lufta vazhdonte.

Eli Sharabi, një nga pengjet më të njohur, u zhvendos nga një vend i sigurt në një tunel, pas 52 ditësh në robëri. “Na i lidhnin këmbët dhe duart me litarë”, i tha ai BBC-së. “Më binte të fikët nga dhimbjet. Një herë m’i thyen brinjët”.

Kur u lirua, në shkurt, ai kishte humbur më shumë se 30 kilogramë.

Hamasi i përdorte pengjet për të bërë marrëveshje, si ndalesa të përkohshme të luftimeve apo shkëmbime me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite. Gjatë negociatave, Hamasi publikonte video tronditëse me pengjet, shpesh në gjendje të rënduar, për të ushtruar presion mbi opinionin publik izraelit.

Por me kalimin e kohës, si presioni ndërkombëtar ashtu edhe ai i brendshëm, i detyruan udhëheqësit e Hamasit të heqin dorë nga kjo strategji. “Katari, Egjipti, Turqia dhe njerëzit në kampet e të zhvendosurve dhanë një mesazh të qartë: mjaft më”, tha Yousef.

Ndërkohë, Izraeli vazhdon të shkatërrojë sa të mundet nga rrjeti i tuneleve, shpesh duke shembur lagje të tëra banimi mbi to. Por puna nuk ka përfunduar ende.

“Informatat zyrtare flasin për dëmtim të vetëm 25% deri në 40% të tuneleve”, thotë Yehuda Kfir, inxhinier civil dhe studiues i luftës nëntokësore në Universitetin Technion në Haifa.

“Nuk ka dyshim se Hamasi do të përpiqet t’i rindërtojë, përfshirë dhe ato që janë shkatërruar nga ushtria izraelite”.

Udhëheqje e shkatërruar

Rindërtimi i tuneleve është një gjë. Por rindërtimi i organizatës është diçka tjetër. Pas dy vjetëve të fundit, udhëheqja e Hamasit është në gjendje të rëndë.

Izraeli ka ndërmarrë aksione të shumta në Gazë, Iran, Liban dhe Katar për të vrarë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Hamasit.

Nga udhëheqësit më të njohur që udhëtonin në botë për të promovuar kauzën e tyre, te komandantët në Gazë, shumica janë vrarë.

Izraeli vrau liderin e fuqishëm të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran në korrik 2024. Tre muaj më vonë, pasardhësi i tij, Yahya Sinwar, u vra në rrënojat e një shtëpie në Rafah.

Me gjithë këto humbje, përfshirë mijëra luftëtarë të armatosur - Hamasi vazhdoi të luftonte, duke rekrutuar të rinj të radikalizuar dhe duke formuar grupe të vogla guerile që kryenin sulme të shpejta dhe të fshehta.

Por Hamasi i tetorit 2025 nuk është më ai i sulmeve të 7 tetorit 2023. Udhëheqësit e sotëm janë më pak të njohur dhe kanë shumë pak përvojë politike.

Hamasi është “i lodhur nga lufta”

Pavarësisht se dhuna në Gazë vazhdon, ish-këshilltari i Hamasit, Ahmed Yousef, thotë se grupi është i lodhur nga lufta.

Pa e përmendur drejtpërdrejt 7 tetorin, ai e quan shkakun e luftës një “gabim të tmerrshëm” dhe thotë se tani nevojitet një “qasje tjetër”.

“Kam folur me shumë prej tyre dhe më kanë thënë se nuk janë më të interesuar të qeverisin Gazën”, thotë ai.

Megjithatë, ai shton se Hamasi ka më shumë se 100.000 anëtarë dhe ata nuk do të zhduken kaq thjesht.

Sipas tij, Hamasi po përpiqet të ndryshojë imazhin për të vazhduar të ketë rol politik në të ardhmen, një proces që ai e krahason me kalimin e ANC-së në Afrikën e Jugut nga lufta guerile në qeverisje politike pas aparteidit.