Botë

Hamas: Propozimi amerikan nuk përkon me kërkesat tona, po e analizojmë

Hamasi

Foto: Associated Press

Një zyrtar i lartë i Hamasit, ka deklaruar se propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për armëpushim në Rripin e Gazës nuk përkon me kërkesat thelbësore të tij, ndonëse është shprehur se grupi militant do të vazhdojë ta studiojë propozimin, ka raportuar BBC.  

Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar të enjten se Izraeli e “ka pranuar dhe mbështetur” planin e të dërguarit të posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe se ishte në pritje të përgjigjes formale nga ana e Hamasit.

Mediat izraelite kishin cituar zyrtarë të lartë shtetërorë te kenë thënë se në kuadër të propozimit, Hamasi do të dorëzonte 10 pengje të gjalla dhe do të kthente trupat e pajetë të 18 pengjeve të tjera, respektivisht përgjatë dy fazave të marrëveshjes, në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Qeveria e Izraelit ende nuk ka komentuar në këtë drejtim, porse në disa media të enjten u raportua, se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka thënë familjeve të pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës se ai e ka pranuar planin e Witkoffit.