Rasti i Joannës dhe Laurës hedh dritë mbi trajtimin tronditës të grave shtatzëna në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, të cilat janë mbajtur me pranga gjatë lindjes dhe ekzaminimeve intime. Pavarësisht se nuk konsideroheshin rrezik për arratisje dhe njihnin të drejtat e tyre, ato përjetuan dhimbje, frikë dhe poshtërim në një nga momentet më të ndjeshme të jetës. Dëshmitë e tyre kanë nxitur reagime publike dhe një hetim të pavarur mbi këtë praktikë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi respektimin e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit në sistemin e burgjeve.
Momenti më i vështirë i lindjes së Joannës ishte një kontroll i brendshëm gjinekologjik. Ajo ishte me pranga në duar, me këmbët e hapura, dhe një oficer burgu mashkull, në fund të shtratit të spitalit, pa gjithçka.
Joanna ishte përgatitur me kujdes për ardhjen e fëmijës së saj të parë. Ajo e dinte se lindja mund të jetë e paparashikueshme. Situata e saj ishte edhe më e vështirë, sepse gjatë muajve të fundit të shtatzënisë po vuante një dënim me burg.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoJoanna ishte një e burgosur model dhe respektonte rregullat. Ishte dënuar për një vepër jo të dhunshme që lidhej me drogën dhe nuk konsiderohej rrezik për arratisje, sidomos gjatë një lindjeje të dhimbshme. Ajo kishte planifikuar të përdorte teknika hipnolindjeje, frymëmarrje dhe relaksimi për ta bërë lindjen më të qetë. Falë informacionit nga organizata bamirëse “Birth Companions”, e dinte se kishte të drejtë të mos ishte me pranga gjatë lindjes.
Hetimet mbi këtë praktikë
Kur Joanna hyri në lindje më 30 dhjetor 2022, ajo u dërgua në spital me pranga dhe e lidhur me zinxhir me një oficer burgu. Ajo qëndroi e prangosur për 36 orë gjatë një lindjeje të gjatë dhe të vështirë. Çdo mendim për teknikat e frymëmarrjes u zhduk.
“Po qaja aq shumë sa hunda më ishte bllokuar dhe nuk mund të përdorja teknikat e frymëmarrjes”, thotë ajo. “Unë jam person që i studioj mirë të drejtat e mia. Shumë njerëz më kishin thënë gjatë shtatzënisë se nuk do të lindja me pranga. U çova në spital e lidhur me zinxhir me një oficer dhe mendova se do të ma hiqnin prangat në hyrje të spitalit.
U trondita kur nuk i hoqën. Kur u tregova rojave për broshurën e “Birth Companions”, ata më thanë: ‘Nuk e dimë çfarë është ai libër dhe nuk do ta zbatojmë’. U ndjeva shumë e frikësuar. Ishte fëmija im i parë, nuk dija çfarë të prisja nga lindja dhe nuk përbëja rrezik për askënd”.
Joanna dha një intervistë anonime për Channel 4 News në vitin 2025 për përvojën e saj. Më pas, ministri i burgjeve, Lord Timpson, njoftoi në qershor se do të kryhej një hetim i pavarur nga Ombudsmani i Burgjeve dhe Provës (PPO). Hetimi do të shqyrtojë praktikën e vendosjes së prangave ndaj grave shtatzëna gjatë kontrolleve para lindjes, ekzaminimeve intime dhe gjatë lindjes. Timpson tha se raportimet për gra shtatzëna me pranga gjatë lindjes janë “thellësisht shqetësuese”. Megjithatë, nuk ka të dhëna zyrtare që tregojnë sa gra janë prangosur gjatë lindjes.
Royal College of Midwives dhe Royal College of Obstetricians and Gynaecologists kanë kërkuar hetim për përdorimin e prangave ndaj grave shtatzëna në burg. Avokatë, aktivistë dhe ish-të burgosura e mirëpresin hetimin, por kanë shqetësime.
Jane Ryan, partnere në firmën ligjore Bhatt Murphy, përfaqëson gjashtë gra që janë prangosur në këto kushte, përfshirë raste kur ishin të lidhura me oficerë meshkuj. Ajo thotë se ato janë trajtuar në mënyrë “të tmerrshme”. Sipas saj, kjo praktikë është barbare dhe nuk duhej të kishte ndodhur asnjëherë. Prangat janë përdorur në mënyrë të përsëritur, kanë zgjatur me ditë dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në përvojën e shtatzënisë dhe lindjes së grave.
Ryan mendon se nga viti 2021 deri në 2025 rreth 500 gra shtatzëna kanë qenë në burg dhe rreth gjysma e tyre mund të kenë lindur gjatë kohës së dënimit. Ajo thotë se hetimi nuk përmbush standardet e të drejtave të njeriut. Ryan kërkon financim nga shteti për përfaqësim ligjor, që viktimat të kenë mundësi të barabartë dhe dëshmi publike ku të dëgjohen të gjitha palët.
Firma i ka dërguar një letër zyrtare paraprake sekretarit të drejtësisë, David Lammyt. Në letër kërkohet që hetimi të jetë vërtet i pavarur, të lejojë dëshmi gojore dhe përfaqësim ligjor, si dhe të shqyrtojë dështimet sistematike dhe përgjegjësitë individuale.
Kur gazeta The Guardian kërkoi koment nga Ministria e Drejtësisë, ajo u referua te PPO. Një zëdhënës i PPO-së tha se çështja e financimit ligjor është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë. Ai shtoi se PPO do të angazhohet me gratë që janë prangosur gjatë shoqërimit në spital. Hetimi është pranuar në parim, por ende nuk është miratuar zyrtarisht dhe kushtet e tij nuk janë përfunduar. Pritet që kjo të ndodhë së shpejti.
Lord Timpson ka deklaruar se Shërbimi i Burgjeve ka kryer tashmë një analizë të thelluar dhe ka arritur në përfundimin se nevojitet më shumë qartësi për atë që quhet “rrethana të jashtëzakonshme” në lidhje me vendosjen e prangave ndaj grave shtatzëna. Ai tha gjithashtu se duhet të regjistrohet gjinia e stafit që shoqëron të burgosurat në spital, pasi kjo aktualisht nuk është kërkesë e detyrueshme.

“Torturë psikologjike”
Laura, një grua nga Amerika Latine që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar, u burgos për një vepër jo të dhunshme që lidhej me drogën. Ajo nuk e dinte që ishte shtatzënë kur u arrestua. Një analizë rutinë e urinës konfirmoi se ishte në javët e para të shtatzënisë. Ashtu si Joanna, ajo ishte një e burgosur model dhe nuk konsiderohej me rrezik të lartë.
Edhe Laura u mbajt me pranga për një kohë të gjatë - më shumë se 48 orë pasi u dërgua në spital për të lindur. Ajo qëndroi me pranga edhe për 12 orë pasi lindja iu nxit me ndërhyrje mjekësore, ndërsa përjetonte kontraksione shumë të dhimbshme. Ajo shkoi në spital më 6 shkurt 2023 dhe foshnja lindi më 8 shkurt.
Të dyja gratë patën lindje të gjata dhe të vështira. Joanna pati hemorragji pas lindjes dhe mavijosje në kyçin e dorës së majtë për shkak të prangave që i mbajti për shumë orë. Edhe Laura pati hemorragji të rëndë dhe humbi shumë gjak. Rasti i saj u klasifikua si “incident kritik”.
“Isha me pranga edhe gjatë kontrolleve para lindjes dhe ekzaminimeve intime”, thotë Laura. “Por pjesa më e keqe ishte të isha me pranga gjatë lindjes. Kur përpiqesha të flija, të bëja dush apo të shkoja në tualet, isha e lidhur me zinxhir me një oficer. Nxitja e lindjes ishte shumë e dhimbshme dhe prangat më shkaktonin edhe më shumë dhimbje. Lindja është një moment shumë delikat. Ndihesha shumë e pambrojtur dhe kjo ndikoi shumë në gjendjen time mendore. Mungesa e ndjeshmërisë nga rojat e bëri përvojën time shumë stresuese dhe traumatike”.
Të dyja gratë kanë nisur një proces gjyqësor për sulm, keqtrajtim dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Gjatë lindjes, pranë tyre ishin si oficerë meshkuj ashtu edhe femra. Të dyja kishin përjetuar më parë dhunë nga burra dhe për këtë arsye ndiheshin veçanërisht të frikësuara kur ruheshin nga oficerë meshkuj në një moment kaq të ndjeshëm.
“Ndihesha sikur po torturohesha psikologjikisht gjatë lindjes”, thotë Joanna. “U lutesha rojave: ‘Ju lutem, hiqini prangat’. Por ata qeshnin dhe flisnin për pushimet e tyre. Bëja dush me pranga ndërsa isha në lindje dhe ndihesha e poshtëruar. Kisha frikë se mund të rrëzohesha për shkak të prangave. Në fund hoqa dorë nga lutjet, sepse isha shumë e lodhur kur erdhi momenti të shtyja për të lindur foshnjën”.
Joanna kujton: “Në një moment po përpiqesha të flija. Dhoma ishte e errët dhe isha e prangosur me një oficer mashkull. Kisha frikë se mund të më sulmonte. Edhe pas lindjes ndihesha e ekspozuar kur përpiqesha të ushqeja me gji vajzën time para tyre.
Pasi lindi vajza ime, Daisy, u kërkova të më bënin disa fotografi me të. Por nuk më lejuan të isha në to. Në të gjitha fotot shihen duart e një oficeri mbi krevatin e foshnjës. U ndjeva e çnjerëzuar. Më duket sikur ma morën përvojën e lindjes së parë”.
Naomi Delap, drejtuese ekzekutive e “Birth Companions”, thotë: “Është e papranueshme që praktika e prangosjes së grave të burgosura në spital vazhdon ende. Kjo tregon një sistem të dështuar, që nuk ofron kujdes të sigurt dhe njerëzor, që nuk merr parasysh rreziqet mjekësore dhe nuk tregon dhembshuri. Është gjithashtu një sistem i mbyllur dhe jo transparent. Prej vitesh kemi kërkuar që gratë në burg të informohen për të drejtat e tyre dhe për politikat që ndikojnë në kujdesin ndaj tyre. Fakti që ato nuk janë të informuara lejon që abuzimet të vazhdojnë”.
Joanna thotë se, edhe pse tani e ka lënë pas periudhën e burgut dhe ishte e vendosur që pas shtatzënisë të mos përfshihej më në krim, ajo vazhdon të kërkojë ndryshime të thella në sistemin e burgjeve. “Shërbimi i Burgjeve duhet të mbajë përgjegjësi”, thotë ajo. “Edhe pse jemi të burgosura, jemi njerëz. Dua vetëm që ajo që më ndodhi mua të mos u ndodhë grave të tjera”.
Laura, e cila tani është kthyer në vendin e saj, thotë: “Jam kthyer në atdhe, por vendosa të përfshihem në këtë proces ligjor, sepse ky trajtim ndaj grave shtatzëna duhet të marrë fund. Është çnjerëzor dhe i rrezikshëm për nënat dhe foshnjat. Unë pata fat që arrita ta lind foshnjën time, por nëse nuk merren masa, shumë gra dhe fëmijë të tjerë do të jenë në rrezik”.