Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjykatësi i tretë federal bllokon urdhrin e Trumpit për të drejtën e shtetësisë në lindje

Donald Trump

Foto: Associated Press

Një gjykatës tjetër federal bllokoi të hënën urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump, që i jep fund të drejtës së shtetësisë për fëmijët e personave që qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të jashtëligjshme. Ai është gjykatësi i tretë që bllokon këtë urdhër.

Vendimi i gjykatësit të Gjykatës së Qarkut në Nju Hempshir, Joseph N. Laplante vjen pas dy vendimeve të ngjashme të gjykatësve në Siatëll dhe Merilend. Padia, e bërë nga Unioni amerikan për të Drejtat Civile, pretendon se urdhri i  Trumpit shkel Kushtetutën dhe “përpiqet që të zhbëjë njërën prej vlerave kushtetuese themelore amerikane”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Administrata republikane e presidentit Trump thotë se fëmijët e atyre personave që nuk janë shtetas amerikanë nuk janë “subjekt i juridiksionit” të Shteteve të Bashkuara dhe për rrjedhojë nuk gëzojnë të drejtën e shtetësisë.

Administrata e ka dërguar vendimin e gjykatësit të Siatëllit në gjykatën e apelit.

Në qendër të padive në të tre rastet është Amendamenti i 14 i Kushtetutës, i ratifikuar në vitin 1868 pas Luftës Civile dhe në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë në rastin e Dred Scottit, në të cilin thuhet se Scott, një skllav, nuk ishte shtetas ndërsa jetonte në një shtet ku skllavëria ishte shpallur e jashtëligjshme.

Në vitin 1898, në rastin e njohur si Shtetet e Bashkuara kundër Wong Kim Ark, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që fëmijët e vetëm që nuk marrin automatikisht shtetësinë amerikane pasi të lindin në tokën amerikane janë fëmijët e diplomatëve, të cilët janë zotuar për besnikëri ndaj një shteti të huaj; armiqtë që janë të pranishëm në Shtetet e Bashkuara gjatë një situate lufte, ata që kanë lindur në anije të huaja dhe foshnjat e fiseve autoktone në Amerikë.

Shtetet e Bashkuara janë ndër 30 vendet ku aplikohet e drejta e shtetësisë në lindje. Shumica këtyre vendeve janë në Amerikën Latine, ndërkohë që ndër to janë edhe Meksika e Kanadaja.