Në Gazë, festimet e maturës këtë vit ishin ndër momentet e rralla të gëzimit në mes të një realiteti të shkatërruar nga lufta. Mes mijëra nxënësve që mbaruan shkollën, shumë prej tyre e përjetuan këtë ditë me krenari, por edhe me dhimbje e mungesa të mëdha. Sistemi arsimor i territorit është pothuajse i shembur, me qindra shkolla dhe universitete të rrënuara, dhe mijëra fëmijë të vrarë. Megjithatë, nxënësit dhe familjet e tyre gjetën forcë për të festuar, duke shpresuar për një të ardhme ku arsimimi do të jetë sërish i mundur. Historia e Doaa Musallemit mishëron triumfin dhe tragjedinë që përjeton një brez i tërë.
(CNN) - Notat e shkëlqyera në shkollën e mesme të Doaa Musallemit ishin aq mbresëlënëse, saqë ajo mori një telefonatë urimi nga ministri Palestinez i Arsimit.
Por për 18-vjeçaren, kjo festë ishte e mbushur si me gëzim, ashtu edhe me trishtim.
Sikurse rreth 56.000 nxënës të tjerë nga gjenerata e vitit 2025 në Gaza, dy vjetët e fundit të shkollimit të saj janë ndërprerë pothuajse plotësisht për shkak të luftës së Izraelit në vend- një luftë që ka marrë jetën e pothuajse 19.000 fëmijëve të moshës shkollore, ka lënë të pastrehë dhe jetim mijëra të tjerë, dhe ka shkatërruar gati krejt sistemin arsimor të territorit.
“Gëzimi ynë është i paplotë, sepse personi që na ka mbështetur gjithmonë, shtylla e shtëpisë sonë, nuk është këtu”, tha Doaa për CNN-in, duke folur për babanë e saj, i cili mungoi në festë.
Babai i Doaas, Bassam Musallam, u plagos rëndë nga një shpërthim në nëntor 2023, kur një sulm izraelit goditi një shtëpi fqinje dhe vrau mikun e tij në Gazën qendrore, tregoi familja për CNN-in.
Musallam u evakuua në Egjipt për trajtim mjekësor në prill 2024 dhe që nga ajo kohë ka qëndruar atje, duke humbur shumë momente të rëndësishme në jetën e vajzës së tij, përfshirë edhe publikimin e rezultateve të provimeve, të cilat u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale.
Kur Doaa i dërgoi babait një fotografi nga festimet, duke qëndruar me krenari pranë vëllait të saj, e veshur me mantelin e maturës dhe kapelën e diplomimit, përballë një dekorimi të madh me tullumbace të verdha ku shkruhej “Urime”, ajo ndjeu se e gjithë Gaza po festonte me të.
“Ti je një heroinë”, i tha ministri palestinez i Arsimit, Amjad Barham, gjatë telefonatës së urimit, teksa e përgëzoi për përfundimin me sukses të maturës dhe për marrjen e rezultatit më të lartë në të gjithë Gazën - 99.7%.
Pamje të ngjashme me gëzimin e Doaas u shfaqën kudo në Gaza, momente të rralla bukurie dhe shprese pas dy vjetësh të mbushura me dhimbje. Ndërsa Ministria e Arsimit shpalli notat e dhjetëra mijëra nxënësve, njerëzit ndjenin një lloj hareje të veçantë: palestinezët ndezën fishekzjarrë, kënduan dhe vallëzuan, duke krijuar një atmosferë që prej kohësh nuk e kishin përjetuar.
Mahmoud Elyan, një maturant i sapodiplomuar që ishte zhvendosur nga qyteti jugor i Rafahut në Gazën qendrore, qëndronte në një dyqan ëmbëlsirash në qytetin e tij me një buzëqeshje të madhe në fytyrë.
“Jam i lumtur përtej fjalëve”, i tha ai televizionit shtetëror palestinez. “Jam këtu për të blerë ëmbëlsira dhe për t’i shpërndarë te njerëzit, sepse kanë kaluar dy vjet të tëra pa parë ëmbëlsira, për shkak të luftës dhe zhvendosjes”.
Për shumë të tjerë, megjithatë, dita e diplomimit mbetet një kujtesë e dhimbshme e humbjes dhe dhunës.
Nxënësja Doha Nazmi Abu Dalal, e zhvendosur në Deir el-Balah në Gazën qendrore, kishte arritur një mesatare pothuajse të përsosur. Por ajo u vra më pak se një muaj para se të mund të shihte rezultatet e mundit të saj. Abu Dalal, së bashku me 17 anëtarë të familjes së saj, humbi jetën nga një sulm izraelit më 29 tetor, disa javë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, sipas autoriteteve spitalore.
Një shkatërrim sistematik dhe i qëllimshëm i arsimit
Bombardimet e Izraelit ndaj Gazës që nga 7 tetori 2023 kanë shkatërruar pothuajse krejt sistemin arsimor në territor, duke e lënë atë në prag të kolapsit, sipas UNICEF-it, dhe duke nxitur akuza nga ekspertë të OKB-së për shkatërrim sistematik dhe të qëllimshëm të arsimit të popullit në Gazë.
Izraeli ka deklaruar vazhdimisht se Hamasi përdor shkolla dhe universitete si pjesë të infrastrukturës së tij, për të fshehur armë ose për t’i përdorur si qendra komanduese. Megjithatë, Izraeli nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave për shkatërrim të qëllimshëm e sistematik të sistemit arsimor.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) i ka thënë më herët CNN-it se ato përpiqen të minimizojnë dëmet ndaj civilëve, ndërkohë që Hamasi, sipas tyre, “shfrytëzon në mënyrë cinike infrastrukturën civile për qëllime terroriste”.
Sipas UNICEF-it, mbi 97% e shkollave në Gazë janë dëmtuar ose shkatërruar nga sulmet izraelite, duke lënë qindra mijëra fëmijë me një qasje shumë të kufizuar në mësimin e drejtpërdrejtë.
Të paktën 18.591 nxënës të moshës shkollore janë vrarë dhe 27.216 janë plagosur gjatë luftës, sipas shifrave të Ministrisë Palestineze të Arsimit. Përveç tyre, rreth 792 punonjës arsimorë janë vrarë dhe 3.251 të tjerë janë plagosur.
Një prej këtyre nxënësve të prekur nga humbja është Al-Hassan Ali Radwan. Ai humbi kushëririn e tij - njëkohësisht edhe shokun e tij të studimeve, i cili u vra gjatë luftës. Ashtu si bashkëmoshatarët e tij, Al-Hassan u detyrua të përballej me vështirësi të jashtëzakonshme duke ndjekur mësimet online në mes të një krize humanitare katastrofike.
“Kishim shumë vështirësi me lidhjen e internetit, mungesën e energjisë elektrike dhe ujit, zhvendosjen, dhe mbi të gjitha me gjetjen e ushqimit”, i tha Al-Hassani agjencisë shtetërore palestineze WAFA, nga një strehë për të zhvendosurit në Khan Younis, në jug të Gazës, ku ai dhe miqtë e tij ishin mbledhur për të festuar diplomimin.
Në Gazën qendrore, një tjetër maturante, Dima - e cila dha vetëm emrin e saj për mediat shtetërore, po festonte me familjen e saj, pasi kishte arritur të kapërcente traumën që lidhej me vitet e studimit të saj.
Ajo tregoi se kishte pësuar lëndime të lehta nga një sulm izraelit që ndodhi gjatë ligjëratës së saj të parë privat të matematikës, i cili zhvillohej në një klub sportiv, pasi lufta kishte filluar.
“Ndala së studiuari për një kohë sepse isha e frikësuar”, tha ajo. “Por më duhej të vazhdoja, sepse maturën e përjetojmë vetëm një herë në jetë”.
Të nisësh universitetin…pa universitet
Të 56.000 maturantët e rinj të Gazës janë të gatshëm të vazhdojnë studimet e larta, sipas Ministrisë së Arsimit. Por problemi i madh është se pothuajse nuk ka më kampuse ku ata mund të shkojnë.
Sipas Ministrisë, sulmet izraelite kanë shkatërruar plotësisht 63 ndërtesa universitare gjatë dy vjetëve të fundit.
Burimet arsimore janë gjithashtu tejet të pakta. Materialet bazë shkollore si fletoret, çantat dhe pajisjet e tjera – ka qenë pothuajse e pamundur për t’u sjellë në Gazë, edhe pas fillimit të armëpushimit të 10 tetorit, sepse ato nuk konsiderohen si “ndihmë humanitare që shpëton jetë”, ka shpjeguar UNICEF.
Megjithatë, pavarësisht mungesave dhe dëmeve, disa prindër dhe nxënës po jetojnë ende me emocionet e ditës së diplomimeve, duke shpresuar se shkollat dhe universitetet e Gazës do të rindërtohen sërish.
Sipas një deklarate të fundit nga UNICEF, rreth 92% e të gjitha objekteve arsimore kanë nevojë për rindërtim total ose për rikonstruksion të thellë që të jenë sërish funksionale.
“Pavarësisht gjithë dhimbjes dhe plagëve të Gazës, ne duam të gëzohemi dhe t’i shërojmë plagët tona”, tha babai i Dimës. “Nxënësit duhet të kthehen sa më shpejt në klasa”.
Ndërkohë, shumë të tjerë po kërkojnë mekanizma që i ndihmojnë të fitojnë bursa ose të studiojnë jashtë vendit, në vend që të detyrohen të rikthehen te mësimi online.
“Kjo nuk është jetë. Izraeli na shkatërroi shkollat dhe universitetet”, tha Mohamed Bilal Abu Faraj, maturant i sapodiplomuar, për median palestineze, pasi ndau ëmbëlsira në një strehë për të zhvendosurit.
“Hapeni kufirin”, shtoi ai, duke iu referuar bllokadës së vazhdueshme mbi Gazën.
Për Doaan, dëmtimi i rëndë i babait të saj ka forcuar edhe më shumë dëshirën për të ndjekur studimet e larta në infermieri.
Edhe ajo shpreson të vazhdojë arsimimin jashtë vendit - atje ku ëndërron të ribashkohet me të atin sa më shpejt.