Franca thotë se ka sekuestruar një cisternë nafte në Mesdhe që dyshohet se është pjesë e “flotës hije” të Rusisë, e cila përdoret për t’i anashkaluar sanksionet, raporton “BBC”.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se cisterna, e quajtur Grinch, ishte “subjekt i sanksioneve ndërkombëtare dhe dyshohej se po lundronte me flamur të rremë”.
Marina franceze, me ndihmën e aleatëve përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, hipi në bord të anijes të enjten në mëngjes midis Spanjës dhe Marokut. Autoritetet detare franceze thanë se një kontroll i anijes kishte “konfirmuar dyshimet për parregullsi të flamurit”.
Ambasada ruse në Paris tha se nuk ishte informuar për sekuestrimin.
E ashtuquajtura “flotë hije” e Moskës është një rrjet i fshehtë cisternash që përdoren për t’i shmangur sanksionet perëndimore ndaj eksporteve ruse të naftës, duke transportuar naftën me anije të vjetra me pronësi ose sigurim të paqartë.
Grinch po udhëtonte nga porti arktik i Murmanskut në veriun e Rusisë kur u ndalua, thanë autoritetet franceze. Anija po mbante flamurin e Komoreve, sipas faqeve të ndjekjes së anijeve marinetraffic dhe vesselfinder. Duke njoftuar sekuestrimin në X, Macron tha: “Ne jemi të vendosur të respektojmë ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojmë zbatimin efektiv të sanksioneve.
“Veprimtaritë e ‘flotës hije’ kontribuojnë në financimin e luftës së agresionit kundër Ukrainës,” tha ai, duke shtuar se anija ishte “devijuar”.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healy, tha se Marina e Mbretërisë së Bashkuar kishte ofruar mbështetje për “gjurmim dhe monitorim”, me HMS Dagger që monitoronte cisternën përmes Ngushticës së Gjibraltarit.
“Së bashku me aleatët tanë, po forcojmë reagimin tonë ndaj anijeve hije për të bllokuar fondet që ushqejnë pushtimin e paligjshëm të Putinit ndaj Ukrainës.”
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj 544 anijeve të flotës hije ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshëndeti veprimin, duke thënë se ishte “pikërisht lloji i vendosmërisë që nevojitet për të siguruar që nafta ruse të mos financojë më luftën e Rusisë”.
“Anijet duhet të ndalohen. Dhe a nuk do të ishte e drejtë të konfiskohej dhe të shitej nafta që transportojnë këto cisterna?” - shkroi ai në X.