Udhëheqësi populist i Sllovakisë, Robert Fico, ka kritikuar të mërkurën një plan të Bashkimit Evropian për të ndalur importet e gazit natyror rus deri në fund të vitit 2027 për të privuar presidentin Vladimir Putin nga të ardhurat që ndihmojnë në nxitjen e luftës në Ukrainë.
Komisioni Evropian, dega ekzekutive e bllokut, do të paraqesë një plan të detajuar muajin e ardhshëm.
Ajo do të kërkojë të ndalojë kontratat e reja të gazit me Rusinë deri në fund të këtij viti dhe të heqë gradualisht ato ekzistuese që janë ende në përdorim në 27 vendet e BE-së, deri në fund të vitit 2027, raporton AP.
Kryeministri Fico ka thënë se plani është "absolutisht i papranueshëm" për Sllovakinë. Ai ka shtuar se qeveria e tij është e gatshme të vërë veton ndaj saj dhe të gjithë përfaqësuesit sllovakë të përfshirë në negociatat në nivel të BE-së do të punojnë për ta ndaluar atë.
Fico ka shtuar se kjo lëvizje do të ishte e dëmshme për Sllovakinë dhe të gjithë BE-në, sepse çmimi i gazit do të rritet si rezultat.
Vendi i tij ka një marrëveshje furnizimi me gaz me Rusinë që skadon në vitin 2034 dhe Fico ka deklaruar se do të kërkonte kompensim për dëmet, nëse plani vazhdon.
Udhëheqësi sllovak hodhi poshtë gjithashtu një propozim për të ndaluar importet e naftës dhe karburantit bërthamor nga Rusia në BE.