Banorët e Rripit të Gazës kanë treguar për BBC-në si uria e rëndë po ndikon në trupat e tyre, pasi një raport i mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara konfirmoi për herë të parë se në disa pjesë të territorit ka krizë urie buke.
“Shpallja e krizës së urisë u bë shumë vonë, por është gjithsesi e rëndësishme. Nuk kemi ngrënë asnjë ushqim me proteina prej pesë muajsh. Fëmija im më i vogël është katër vjeç, ai nuk e di se çfarë janë frutat apo perimet, as çfarë shije kanë”, ka thënë Reem Tawfiq Khader, 41 vjeçe, nënë e pesë fëmijëve nga qyteti i Gazës.
Rajaa Talbeh, 47 vjeçe, nënë e gjashtë fëmijëve, ka thënë se i ka humbur 25 kilogramë. Ajo ishte larguar nga shtëpia e saj në lagjen Zeitoun të Gazës një muaj më parë dhe tani jeton në një tendë të improvizuar afër detit.
Ajo vuan nga intoleranca ndaj glutenit dhe ka thënë se nuk gjen më ushqim që mund të hajë.
“Para luftës, një organizatë më ndihmonte të merrja produkte pa gluten, që vetë nuk mund t’i blija. Që kur filloi lufta, nuk i gjej më ato ushqime në treg, dhe kur i gjej, nuk kam para t’i blej. A nuk mjafton që çdo ditë përballemi me bombardime, shpërngulje dhe jetesë në një tendë që nuk na mbron as nga vapa, as nga i ftohti dhe tani edhe uria?” ka thënë ajo.
Rida Hijeh, 29 vjeçe, ka thënë se vajza e saj pesëvjeçare, Lamia, ka rënë nga 19 kg në vetëm 10.5 kg. Ajo ka shtuar se vajza ishte plotësisht e shëndetshme para luftës dhe nuk kishte asnjë sëmundje më parë.
“Kjo ndodhi vetëm për shkak të urisë”, ka thënë ajo. “Fëmija nuk ka çfarë të hajë. Nuk ka perime, nuk ka fruta”.
Tani, vajza vuan nga ënjtje në këmbë, rënia e flokëve dhe probleme me nervat.
“Ajo nuk mund të ecën. Kam shkuar në shumë klinika dhe spitale. Të gjithë më thanë se vajza vuan nga kequshqyerja. Por askush nuk më ndihmoi, as me trajtim, as me ndonjë mbështetje”, ka shtuar Hijeh.
“Pesë muaj më parë peshoja 56 kg. Sot peshoj vetëm 46 kg”, ka thënë një grua tjetër nga Gaza, Aseeli.
Ajo ka thënë se nuk ka ngrënë asnjë frutë apo mish për muaj të tërë dhe ka harxhuar thuajse të gjitha kursimet për të blerë ushqime bazë për të mbijetuar.
Motra e burrit të saj, me të cilën jeton, ka një foshnjë njëmuajshe.
“Ajo po kërkon me dëshpërim qumësht për foshnja me një çmim të arsyeshëm”, ka thënë Aseel. “Nuk kam asnjë rezervë ushqimore, as për një javë. Si shumë njerëz të tjerë, jetojmë ditë pas dite”.
Mandy Blackman, infermiere britanike që punon për organizatën UK-Med në Gaza, ka thënë se 70% e nënave që shkojnë në klinikat e tyre për kontroll para dhe pas lindjes janë të kequshqyera. “Si pasojë, foshnjat lindin më të vogla dhe më të dobëta”, ka thënë ajo.
Më shumë se 62.000 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli nisi fushatën ushtarake, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Që nga fillimi i luftës, të paktën 271 persona, përfshirë 112 fëmijë - kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi.