Aleatët evropianë kanë përshëndetur fitoren në zgjedhjet presidenciale të kryebashkiakut të Bukureshtit, Nicusor Dan, ndaj të djathtës euroskeptike, të dielën.
Dan, një matematikan 55-vjeçar ka fituar 54% të votave në vendin prej 19 milionë banorësh, duke mposhtur rivalin, George Simion, një admirues i zëshëm i Trumpit, fitorja e fortë e të cilit në rundin e parë të votimit këtë muaj kishte tronditur aleatët dhe investitorët, raporton Reuters.
Dan kishte bërë fushatë me një zotim për të luftuar korrupsionin, për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, ku Rumania ka luajtur një rol të rëndësishëm logjistik, dhe për ta mbajtur vendin në mënyrë të vendosur brenda rrjedhës evropiane.
Në të kundërtën, kundërkandidati i tij Simion, një nacionalist 38-vjeçar, ka qenë kritik ndaj udhëheqjes së BE-së dhe ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Pozicioni i tij i fortë përpara balotazhit të së dielës ka shkaktuar rënien e qeverisë së koalicionit pro-perëndimor të Rumanisë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ishte një nga të parat që ka uruar Danin.
"Populli rumun ka dalë masivisht në votime. Ata kanë zgjedhur premtimin e një Rumanie të hapur, të begatë në një Evropë të fortë”, ka shkruar ajo në X.
Duke i bërë jehonë kësaj, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se e mirëpret punën me Dan.
"Nga bashkia në tryezën e Këshillit Evropian. Ky është një sinjal i fortë i lidhjes së rumunëve me projektin evropian”, është shprehur ai.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, kanë përshëndetur rezultatin zgjedhor në Rumani.
“Megjithë përpjekjet e shumta për manipulim, rumunët zgjodhën sonte demokracinë, shtetin e së drejtës dhe Bashkimin Evropian”, ka shkruar Macron në X, në rumanisht.
Zgjedhjet u zhvilluan gati gjashtë muaj pasi votimi fillestar u anulua për shkak të ndërhyrjes së supozuar ruse, të mohuar nga Moska, në favor të favoritit të ekstremit të djathtë Calin Georgescu, i cili u ndalua të garonte sërish.