Gjermania, Franca, Belgjika, Irlanda dhe Holanda kanë konfirmuar dërgimin e aeroplanëve për evakuimin e shtetasve të tyre nga anija turistike e prekur nga shpërthimi i hantavirusit, e cila po lundron drejt Spanjë.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, i cili ka thënë se edhe Bashkimi Evropian po dërgon dy aeroplanë shtesë për qytetarët e tjerë evropianë që ndodhen në bord.
Sipas tij, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nisur përgatitjet për evakuimin e qytetarëve të tyre dhe të shtetasve të vendeve që nuk kanë mundësi të organizojnë transport ajror.
Autoritetet kanë bërë të ditur se pasagjerët do të lejohen të marrin vetëm sendet e domosdoshme, ndërsa bagazhet e tjera dhe trupi i një pasagjeri që ka vdekur në bord do të mbeten në anije dhe do të dërgohen në Holandë për dezinfektim.
Qytetarët spanjollë pritet të evakuohen të parët, ndërsa renditja e grupeve të tjera do të përcaktohet nga autoritetet shëndetësore. Pasagjerët nuk do të lejohen të zbresin nga anija derisa aeroplanët e evakuimit të jenë gati për nisje.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka mbërritur në Spanjë për të mbikëqyrur operacionin e evakuimit të më shumë se 140 pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit nga anija holandeze MV Hondius.
Edhe
Rezulton pozitiv me hantavirus edhe një pasagjer spanjoll
Anija pritet të mbërrijë në Tenerife në orët e para të së dielës.
Tedros deklaroi se deri tani askush në bord nuk po shfaq simptoma të hantavirusit, ndërsa OBSH-ja vazhdon monitorimin e situatës.
“Rreziku për popullsinë e Ishujve Kanarine dhe globalisht mbetet i ulët”, ka shkruar ai në platformën X.