Presidenti amerikan, Donald Trump, do të bisedojë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë të enjten teksa Trump ka dhënë indikacione se pezullimi i shitjeve të avionëve luftarakë për Ankaranë mund të hiqet së shpejti.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, SHBA-ja pati larguar Turqinë nga programi i saj i avionëve luftarakë F-35 pasi kishte pranuar një sistem të mbrojtjes ajrore nga Rusia. Zyrtarët amerikanë shqetësoheshin se sistemi rus mund të përdorej për të mbledhur të dhëna mbi kapacitetet e F-35-shit dhe se ato mund të binin në duart e Rusisë.
Por, javën e kaluar Trumpi i dha shpresë Turqisë se kjo çështje mund të zgjidhej së shpejti, raportoi AP.
“Po punojmë në shumë marrëveshje tregtie dhe ushtarake me presidentin, përfshirë blerjen e madhe të avionëve Boeing, një marrëveshje të madhe me F-16, dhe vazhdimin e bisedimeve për F-35, për të cilën presim të përfundojë pozitivisht”, ka shkruar Trump.
Vizita do të jetë e para për Erdoganin në Shtëpinë e Bardhë që nga viti 2019.
Zyrtarët amerikanë kanë ngrehur shqetësime për çështjen e të drejtave të njeriut në Turqi nën udhëheqjen e Erdoganit dhe lidhjet e shtetit me Rusinë. Tensionet mes Turqisë dhe Izraelit, një aleat i Amerikës, mbi Gazën dhe Sirinë herë pas here i ka vështirësuar po ashtu marrëdhëniet me Turqinë.
Erdogani e ka bërë të qartë se do heqjen e pezullimit të blerjes së avionëve F-35. Zyrtarët turq kanë thënë se tashmë kanë bërë pagesa prej 1.4 miliardë dollarësh për avionët.