Nazar Daletsky, një ushtar ukrainas nga rajoni i Lvivit, për kohë të gjatë mendohej se kishte vdekur. Madje ishte organizuar edhe një ceremoni lamtumirëse. Por të enjten, ai u rikthye gjallë nga burgjet e Rusisë, sipas “Pravdas” në Ukrainë.
Kthimi i tij u mundësua nga shkëmbimi i të burgosurëve nga marrëveshja Ukrainë-Rusi. Ukraina ktheu 157 persona që i mbante Kremlini, përfshirë personal ushtarak e civilë.
“Qytetari jonë, që për kohë të gjatë mendohej se ka vdekur, po kthehet. Nazar Daletsky, nga fshati Velikiy Doroshiv, doli që ta mbronte shtetin në fillim të luftës”, ka thënë Maksim Kozitsky, udhëheqës i Administratës Ushtarake të rajonit të Lvivit.
Ai madje ka publikuar edhe videon kur familja e Nazarit flet me të për herë të parë që nga lirimi.
Nazari për herë të fundit ishte ditur si i gjallë në maj të 2022-s. Që nga ajo kohë ishte në listën e të zhdukurve.
Familja e tij ishte informuar se ai ka vdekur, më 25 shtator 2022, në Kupyansky të rajonit të Kharkivit. Në korrik të vitit të shkuar, një tjetër i burgosur lufte kishte thënë se e ka parë gjallë Nazarin. Edhe në gusht, një tjetër ushtar e kishte thënë këtë, e në tetor edhe një tjetër.