Botë

Dalin incizimet: Emisari i Trumpit flet për copëtim të Ukrainës e shkëmbim territoresh

Witkoff në të majtë – me Vladimir Putinin në mes

Steve Witkoff ka folur me Yuri Ushakovin për çështjen e kontrollit territorial dhe i ka sugjeruar ta urojë Donald Trumpin e që t’i paraqesin bisedimet më me optimizëm, sipas disa audioincizimeve të publikuara

Steve Witkoff, emisari special i presidentit amerikan Donald Trump, i ka thënë një top-zyrtari të Kremlinit muajin e kaluar se arritja e paqes në Ukrainë duhet të përfshijë marrjen e kontrollit të Donetskut nga Rusia dhe potencialisht edhe shkëmbim territorial, sipas incizimeve të transkriptuara nga “b”.

Në thirrjen e 14 tetorit, që ka zgjatur pak më shumë se 5 minuta, Witkoff i ka thënë Yuri Ushakovit, këshilltarit të Putinit për politikë të jashtme, se beson që lëshime për territor janë të domosdoshme, derisa ka këshilluar Ushakovin që ta urojë Trumpin.

“Tani, po ta them, e di se çka duhet të bëhet për të arritur një marrëveshje tash: Donetsk dhe ndoshta edhe shkëmbim territori diku tjetër”, ka thënë Witkoffi në bisedën pesëminutëshe. “Por po e them në vend se të flasim kësisoj, le të flasim më me shpresë, sepse mendoj se do të arrijmë marrëveshje”.

Emisari po ashtu ka ofruar këshilla se si Putini duhet ta ngrisë këtë çështje në diskutim me Trumpin, duke i sugjeruar që para takimit Trump-Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Putini ta telefonojë presidentin amerikan.

Të mërkurën, Ushakovi ka konfirmuar vërtetësinë e bisedave duke thënë se rrjedhja ka qenë ndoshta “përpjekje për t’i penguar bisedat”.

“Sa për Witkoffin, mund ta them se një marrëveshje preliminare është arritur që ai të vijë në Moskë javën tjetër”, ka thënë Ushakov.

As Shtëpia e Bardhë nuk i ka mohuar bisedimet. E presidenti Trump ka thënë se bëhet fjalë për procedurë “standarde” të negocimit.  

Në biseda tregohet përpjekja e Witkoffit që të diskutohet për paqen, bazuar në “suksesin” e arritur në Gazë.

“Ne e kemi arritur një plan 20-pikësh të Trumpit për paqen (në Gazë) dhe mendoj se ndoshta mund ta bëjmë të njëjtën me ju”, i ka thënë Witkoffi Ushakovit, sipas incizimeve.

Biseda për herë të parë ofron qartë taktikat e Witkoffit në negociatat me Rusinë dhe për atë që duket të jetë gjeneza e planit 28-pikësh të propozuar nga SHBA-ja për paqen në Ukrainë.

Ky plan, sipas publikimeve, parashihte copëtimin e Ukrainës dhe ndalimin e pranimit të saj në NATO. Rusia dhe Vladimir Putini e konsideruan si bazë të mirë për paqen, ndërsa Ukraina ka kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve. Negociata ka pasur edhe në fundjavë mes amerikanëve e ukrainasve.

E të martën, Trumpi ka thënë se Witkoffi do ta takojë Putinin me shpresën për të finalizuar planin.

“Plani origjinal 28-pikësh, që u draftua nga SHBA-ja, është modifikuar me propozime të të dyja palëve dhe ka vetëm pak pika të mosmarrëveshjes”, ka thënë Trumpi në rrjete sociale.

Në kohën e telefonatës, Witkoff-Ushakov, Trumpi po lavdërohej për fundin e luftës në Gazë. Një ditë më parë ai u bë presidenti i parë amerikan që iu adresua parlamentit izraelit që nga viti 2008.