Kreu i CIA-s, John Ratcliffe ka thënë se sulmet amerikane "dëmtuan rëndë" objektet bërthamore të Iranit dhe i kthyen ato vite prapa, duke devijuar kështu nga një raport i rrjedhur i inteligjencës që zemëroi presidentin Donald Trump e që minimizonte ndikimin e sulmit.
Ratcliffe, drejtori i agjencisë amerikane të spiunazhit, ka thënë se vendet kryesore ishin shkatërruar, megjithëse nuk ka deklaruar nëse programi bërthamor i Iranit ishte eliminuar plotësisht, raporton BBC.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi një vlerësim paraprak i rrjedhur nga një agjenci e inteligjencës së Pentagonit sugjeroi se komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit mbetën të paprekur pas bombardimeve të SHBA-së.
Mirëpo presidenti Trump e ka hedhur poshtë vlerësimin duke thënë se sulmet kanë "zhdukur" objektet bërthamore të Iranit.
Presidenti republikan ka thënë se sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë do të mbajnë një konferencë shtypi "interesante dhe të pakundërshtueshme" të enjten në Pentagon "për të luftuar për “dinjitetin e pilotëve tanë të mëdhenj amerikanë".
Deklarata e Ratcliffe ka ardhur teksa Izraeli dhe Irani ishin në ditën e dytë të armëpushimit i cili ndonëse i brishtë po vazhdon të mbahet.
Ratcliffe, i cili është emëruar nga Trumpi, ka thënë se informacioni i CIA-s përfshinte "inteligjencë të re nga një burim/metodë historikisht e besueshme dhe e saktë se disa objekte kryesore bërthamore iraniane u shkatërruan dhe do të duhej të rindërtoheshin gjatë viteve".
IAEA: Centrifugat në Fordow nuk janë më funksionale pas sulmit të SHBA-së
Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, ka thënë se centrifugat në Fordoë, një nga impiantet më të rëndësishme të pasurimit bërthamor të Iranit, "nuk janë më funksionale" pas sulmeve amerikane.
"Në bazë të imazheve satelitore, ne mund të nxjerrim përfundime mjaft të sakta mbi pasojat e bombardimeve", ka thënë Grossi për stacionin radiofonik francez Radio France Internationale të enjten.
"Duke pasur parasysh fuqinë e këtyre bombave dhe karakteristikat teknike të centrifugave, ne e dimë se ato nuk janë më funksionale, thjesht vetëm për shkak të dridhjes, e cila shkakton dëme të konsiderueshme fizike", ka thënë Grossi.
"E njoh shumë mirë impiantin, është një rrjet tunelesh me lloje të ndryshme aktiviteti", ka thënë Grossi.
"Ajo që pamë në fotografi korrespondon pak a shumë me sallën e pasurimit, kjo është ajo që është goditur."
Parlamenti i Iranit të mërkurën votoi për të pezulluar bashkëpunimin me IAEA-n, sipas mediave shtetërore.
Në një intervistë televizive të mërkurën, një zëdhënës i ministrisë së jashtme iraniane i ka thënë Al Jazeeras se instalimet bërthamore të vendit janë “dëmtuar rëndë” pas “sulmeve të përsëritura” nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Trumpi paralajmëroi bisedime me Iranin, ministri iranian i Mbrojtjes niset drejt Kinës
Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, ka udhëtuar drejt aleatit diplomatik dhe ekonomik, Kinës, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga përplasja 12-ditore me Izraelin, e cila për pak kohë e futi edhe SHBA-në në një konflikt të ri rajonal.
Nasirzadeh është një nga nëntë ministrat e Mbrojtjes që media shtetërore kineze thotë se morën pjesë në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), një grupim rajonal sigurie i udhëhequr nga Kina dhe Rusia, i cili është bërë më i njohur, ndërsa Pekini dhe Moska kërkojnë të ndërtojnë blloqe ndërkombëtare alternative ndaj atyre të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.
Takimi dyditor ka filluar të mërkurën në qytetin bregdetar kinez të Qingdaos, një ditë pasi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit ka shuar disa ditë sulmesh ajrore midis të dyjave, të ndërprera nga një sulm amerikan ndaj tri objekteve bërthamore iraniane.
Takimi i SCO-së përkoi me një takim të udhëheqësve të NATO-s në Hagë, ku presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri të ditur se pala amerikan do të takohej me Iranin "javën tjetër" në lidhje me një marrëveshje të mundshme bërthamore.