Botë

Çfarë do secila palë nga takimi Trump-Zelensky-BE në Shtëpinë e Bardhë

Trump Zelensky

Foto: Associated Press

Mbrëmja e së hënës pritet të jetë një ditë ndryshe nga çdo ditë tjetër në Shtëpinë e Bardhë, pasi udhëheqësit kryesorë evropianë bëjnë një vizitë të rrallë kolektive për bisedime vendimtare mbi Ukrainën.

Ajo që ishte cilësuar si një takim midis dy presidentëve, Donald Trump dhe Volodomyr Zelensky, tani është shndërruar më shumë në një samit.

Udhëheqësit nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Finlanda, Bashkimit Evropian dhe NATO-ja kanë kaluar Atlantikun për të thënë fjalën e tyre se si duhet të përfundojë lufta trevjeçare me Rusinë dhe me çfarë kushtesh.

Është një reflektim i asaj se sa të larta janë rreziqet dhe shqetësimet e rritura evropiane se SHBA-ja ka ndryshuar qëndrimin e saj, në më pak të favorshëm për Ukrainën.

Por çka dëshiron secila palë nga këto bisedime?

SHBA-ja: Një marrëveshje, çfarëdo marrëveshje

Premtimi i fushatës së Trumpit ishte se ai do ta zgjidhte këtë konflikt në ditën e tij të parë në detyrë, por gjashtë muaj më vonë përparimi që ai dëshiron ende nuk ekziston.

Kushtet e çdo marrëveshjeje i janë dukur më pak të rëndësishme Trumpit sesa vetë marrëveshja, kështu që kushtet kanë ndryshuar me kalimin e kohës.

Që nga takimi me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaska të premten, Trumpi duket se ka hequr dorë nga kritikat e tij ndaj Moskës dhe kërcënimit me sanksione, dhe vendosi të shtojë presionin mbi Zelenskyn.

Të dielën në mbrëmje ai e ka paralajmëruar presidentin ukrainas se duhet të heqë dorë nga shpresat për anëtarësim në NATO dhe do të duhet të heqë dorë nga Krimeja, të cilën Putini e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, ka thënë se Uashingtoni do t'i ofrojë Evropës garanci sigurie që synojnë të pengojnë agresionin e mëtejshëm rus. Por detajet mbeten të paqarta.

Deri më tani, SHBA-ja u ka rezistuar kërkesave evropiane që ajo të angazhohet për sigurinë e ardhshme të Ukrainës. Të gjithë sytë do të jenë nga Shtëpia e Bardhë më vonë për të parë nëse kjo ka ndryshuar vërtet.

Ukraina: Shmangia e dorëzimit të territorit

Zelensky e gjen veten në një pozicion të palakmueshëm duke qenë i detyruar të qëndrojë në pozicionin e tij përballë një Donald Trumpi gjithnjë e më të paduruar, i cili duket se është ndikuar nga Putini dhe i cili tashmë e ka akuzuar Zelenskyn se po pengon paqen.

Trumpi ndoshta do t'i thotë Zelenskyt se duhet të pranojë të heqë dorë nga toka. Kjo do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për presidentin ukrainas që të dorëzohet, pasi do të nënkuptonte tërheqjen nga Donetsku dhe Luhansku, rajone për të cilat mijëra ushtarë ukrainas kanë luftuar dhe kanë vdekur që nga viti 2022.

Kjo gjithashtu do t'i mundësonte Rusisë të përfundonte duke kontrolluar sipërfaqeve të mëdha territori që më vonë mund t'i përdorë si një pikë nisjeje për agresion të mëtejshëm.

Pra, Zelensky nuk mund të pranojë lëshime tokash pa garanci të forta sigurie që do të hynin në fuqi nëse Rusia sulmon përsëri. Ato mund të ofrohen nga NATO-ja, por Trumpi e ka bërë të qartë se Ukraina nuk do t'i bashkohet aleancës.

Detajet e çdo garancie alternative ndoshta nuk janë përpunuar ende, por pa to do të jetë e vështirë për Zelenskyn të marrë ndonjë vendim.

Ukraina është gjithashtu e shqetësuar nga fakti se Trumpi duket se ka kaluar nga dëshira për një armëpushim në shtytjen për një marrëveshje të plotë paqeje. Kjo mund të zgjasë një kohë jashtëzakonisht të gjatë, duke lejuar ndërkohë sulme të vazhdueshme ruse, vdekje civile dhe humbje në vijën e frontit.

Evropa: Një angazhim të SHBA-së për sigurinë e Ukrainës

Udhëheqësit evropianë do të përpiqen ta shtyjnë Trumpin që të përcaktojë më hollësisht se si mund të duken garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën.

Paqartësia e deklaratave të SHBA-së për këtë çështje është alarmante për evropianët, të cilët mendojnë se mbrojtja nga sulmet e mundshme në të ardhmen nga Rusia do të duhet të vijë nga një angazhim i besueshëm amerikan.

Ekziston gjithashtu nervozizëm rreth idesë se SHBA-ja mund të këmbëngulë që Ukraina t'i japë territor Rusisë. Kontinenti evropian ka një histori të gjatë luftërash të përgjakshme dhe udhëheqësit duan të shmangin një skenar në të cilin kufijtë e një vendi sovran rivizatohen me forcë.

Këto shqetësime serioze shpjegojnë vendimin e paprecedentë që një kontingjent kaq i madh udhëheqësish të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në minutën e fundit.

Javën e kaluar, një takim virtual SHBA-BE përpara samitit të Alaskës duket se i forcoi kritikat e Trumpit ndaj Rusisë. Tani që ai duket se po lëkundet përsëri në anën e Moskës, udhëheqësit evropianë do të përpiqen t'i bëjnë përshtypje atij se shqetësimet e tyre për sigurinë afatgjatë të kontinentit nuk kanë ndryshuar.

Rusia: Më shumë tokë ukrainase

Sot nuk do të ketë përfaqësues rus në Shtëpinë e Bardhë. Kjo mund të mos ketë rëndësi: duket se Putini i la Trumpit mjaftueshëm përshtypje javën e kaluar, saqë Moska mund të jetë e bindur se pikëpamja e saj do të përfaqësohet në mënyrë adekuate.

Trumpi ka deklaruar tashmë se Ukraina nuk do t'i bashkohet NATO-s, dhe Rusia dëshiron që ky angazhim të përsëritet dhe ratifikohet. Ajo gjithashtu dëshiron kontroll të plotë mbi Donbasin, gjë që do të nënkuptonte që Kievi të hiqte dorë nga territori që ende mban në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.

Ndoshta më e rëndësishmja është se Moska ka arritur t'i ngulitë Trumpit se tani i takon Zelenskyt të bëjë një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës - ndërsa e di shumë mirë se nuk mund të bjerë dakord të heqë dorë nga territori menjëherë. 

Një fitore për Rusinë do të ishte që ky fërkim të çonte në largimin e Trumpit nga tryeza e negociatave përgjithmonë dhe t'i linte Ukrainën dhe evropianët të kujdeseshin vetë.