Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis, ka thënë të dielën se është në favor të ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, ndërsa gjithnjë e më shumë vende evropiane po shqyrtojnë kufizime të ngjashme.
Vende si Spanja, Greqia, Britania dhe Franca po konsiderojnë qëndrime më të ashpra ndaj përdorimit të rrjeteve sociale, për shkak të shqetësimeve mbi efektet e perceptuara negative tek fëmijët.
Australia në dhjetor është bërë shteti i parë që ndaloi qasjen në këto platforma për të miturit nën 16 vjeç.
“Jam në favor, sepse ekspertët që njoh thonë se kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për fëmijët. Ne duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë”, ka thënë Babis në një videomesazh të publikuar të dielën në disa nga llogaritë e tij në rrjetet sociale.
Ndërkohë zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Karel Havlicek, ka thënë më pas në një emision televiziv se kabineti po e shqyrton seriozisht propozimin për një ndalim. Ai ka thënë se legjislacioni do të propozohej brenda këtij viti.
Spanja dhe Greqia propozuan ndalime për përdorimin e rrjeteve sociale nga adoleshentët javën e kaluar, ndërsa qëndrimet në Evropë po ashpërsohen ndaj teknologjisë që disa thonë se është projektuar për të krijuar varësi.
Masat e shpallura nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, kanë shkaktuar zemërim tek Elon Musk, miliarderi pronar i platformës X, e njohur më parë si Twitter.
Britania po shqyrton një ndalim të ngjashëm me atë të Australisë, ndërsa Franca po punon për një ligj që do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Qeveritë dhe rregullatorët në mbarë botën po shqyrtojnë ndikimin e kohës që fëmijët kalojnë para ekranit në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre mendore.