Botë

Burri që torturoi për vdekje fëmijën gjatë “ekzorcizmit”, përballet me ekzekutim

Burri që torturoi për vdekje fëmijën gjatë “ekzorcizmit”, përballet me ekzekutim

Një burrë në Teksas përballet me ekzekutim të enjten për vrasjen e vajzës 13-muajshe të të dashurës së tij gjatë një episodi “ekzorcizmi” të cilin çifti tha se e bënë për ta dëbuar demonin nga trupi i fëmijës.

Blaine Milam u arrestua më 2008 për vrasjen e vajzës. Atij pritet t’i jepet injeksioni vdekjeprurës të enjten mbrëma, raportoi AP. 

Milam pretendon se është i pafajshëm, ndërsa akuzon ish-të dashurën Jesseca Carson për vrasjen. Ajo është dënuar me burgim të përjetshëm për ndihmë në kryerjen e vrasjes. Të dy ishin 18-vjeçarë atë kohë.

Prokurorët patën thënë se Milam e rrahu brutalisht me çekiç vajzën, si dhe e ngufati dhe gjymtoi gjatë një periudhe prej 30 orësh.

Nga autopsia e fëmijës ishte gjetur se kishte disa fraktura në kafkë, krahë, këmbë dhe brinjë të thyer. Po ashtu kishte shenja kafshimi. Mjeku kishte dëshmuar në gjyq se nuk mundi të përcaktonte një shkak të vdekjes për shkak se vajza kishte shumë plagë vdekjeprurëse.