Britania ka vendosur një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke ndaluar anijet që transportojnë naftë ruse dhe duke goditur kompani dhe individë që bëjnë furnizime të pajisjeve për armët ruse.
Kjo pako sanksionesh vjen si përgjigje ndaj agresionit të fundit rus, ka njoftuar qeveria britanike, duke përmendur numrin në rritje të sulmeve me dronë dhe raketa nga Rusia ndaj Ukrainës në muajt e fundit, si dhe shkeljen e hapësirës ajrore të NATO-s mbi Poloni të mërkurën, raporton Reuters.
“Veprimet ndërkombëtare për të shtuar presionin ekonomik ndaj Rusisë dhe për të bllokuar rrjedhën e parave që ajo ka nevojë për të financuar këtë luftë të paligjshme janë thelbësore”, tha ministrja e Jashtme e re britanike, Yvette Cooper, gjatë një vizite në Kiev të premten.
“Këto sanksione janë hapi tjetër në përpjekjet udhëheqëse të Britanisë për të rritur presionin ekonomik përkrah mbështetjes sonë për sigurinë”.
Pakoja e re e sanksioneve godet 70 anije që Britania pretendon se po përdoren për të transportuar naftë ruse dhe 30 kompani dhe individë që, sipas saj, janë të përfshirë në furnizimin e ushtrisë ruse me pajisje për sistemet e armëve, duke përfshirë një kompani kineze dhe një tjetër që është e vendosur në Turqi.