Botë

Bojkotohet masivisht fjalimi i Netanyahut në OKB, e quan “të turpshme” njohjen e Palestinës

Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu në foltoren e OKB-së

Liderë të dhjetëra shtetesh u larguan nga salla ku po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, kur nisi fjalimin kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Bojkoti u bë në shenjë proteste për luftën që Izraeli po e zhvillon në Gazë.

Netanyahu e nisi fjalimin me akuza ndaj Iranit, duke thënë se ndikimi i tij po zgjerohet në rajon.

Ai u zotua se do ta vazhdojë luftën në Rripin e Gazës, dhe tha se pengjet që mbahen nga militantët palestinezë nuk janë harruar.

“Dua të bëj diçka që nuk e kam bërë kurrë më parë. Dua të flas drejtpërdrejt me pengjet nga kjo sallë përmes altoparlantëve. Kam rrethuar Gazën me altoparlantë të mëdhenj të lidhur me këtë mikrofon, në shpresë që pengjet tona të dashura të dëgjojnë mesazhin tim”, tha ai.

E fjalimi i Netanyahut u bë pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë se nuk do ta lejojë kryeministrin izraelit ta aneksojë edhe Bregun Perëndimor.

Trumpi ka thënë se një marrëveshje për Gazën është shumë afër teksa bëri të ditur se javën e ardhshme do të takohen me Netanyahun.

Izraeli është përballë presionit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe okupimit të Bregut Perëndimor.

Qeveria e Britanisë dhe e Gjermanisë kanë bërë të ditur se e kanë paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit, ndërsa sekretari i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pati thënë gjatë kësaj jave se do të ishte moralisht, ligjërisht dhe politikisht e patolerueshme një gjë e tillë.

Përgjatë një jave, shteti palestinez u njoh edhe nga Britania e Madhe, Franca, Kanadaja, Australia, Belgjika, Portugalia e shtete të tjera.

E ndaj tyre, Netanyahu ka reaguar ashpër në OKB. Vendimin e tyre për njohje të shtetit palestinez, kryeministri izraelit e cilësoi “të turpshëm”. Sipas tij, njohja e një shteti të tillë “është çmenduri e pastër”.

VIDEO: