Botë

Bjellorusia liron 52 të burgosur në këmbim të lehtësimit të disa masave nga SHBA-ja

Trump Lukashenko

52 të burgosur politikë janë liruar nga burgjet bjelloruse si pjesë e një marrëveshjeje mes liderit autoritat Alexander Lukashenko dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Në mesin e 52 të burgosurve, përfshihen drejtues sindikatash, gazetarë dhe aktivistë, por më shumë se 1,000 të burgosur të tjerë mbeten ende në burg, raporton "BBC". 

Në këmbim, SHBA-ja ka thënë se do t'i lehtësojë disa nga sanksionet ndaj linjës ajrore bjelloruse Belavia, duke i lejuar të blejë pjesë për avionët e saj.

Alexander Lukashenko, 71 vjeç, që ka udhëhequr Bjellorusinë që nga viti 1994 duke shtypur çdo opozitë, e përshkroi lirimin e të burgosurve si një gjest humanitar, pas takimit me të dërguarin special të Trump, John Coale, në kryeqytetin Minsk të enjten.

Të dy diskutuan për mënyrat se si mund të rivendosin marrëdhëniet tregtare, përfshirë rihapjen e Ambasadës amerikane në Minsk.

SHBA mbylli Ambasadën në Minsk në shkurt të vitit 2022, pasi presidenti rus Vladimir Putin përdori territorin bjellorus për ta nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Bjellorusia konsiderohet e etur të ndërtojë marrëdhënie ekonomike me SHBA-në, pasi është goditur nga një sërë sanksionesh perëndimore si pasojë e lidhjeve me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Shumë nga të burgosurit politikë të Bjellorusisë janë në burg që nga viti 2020, kur Lukashenko shtypi brutalisht protestat pas zgjedhjeve presidenciale që u konsideruan gjerësisht si të manipuluara.

"Amerikanët po mbajnë një qëndrim shumë konstruktiv ndaj të ashtuquajturve të burgosur politikë. Ne nuk kemi nevojë për të burgosur politikë apo për ndonjë të burgosur tjetër," u citua të thoshte Lukashenko nga agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

52 të burgosurit e falur të enjten i bashkohen 314 të tjerëve të liruar që nga korriku 2023, si pjesë e përpjekjeve për t'i zbutur marrëdhëniet e Bjellorusisë me BE-në dhe SHBA-në, sipas Human Rights Watch.

Ndër 52 të liruarit ishin filozofi 69-vjeçar Vladimir Matskevich, gazetari Igor Losik dhe figura e lartë e opozitës Mikola Statkevich, i cili ishte kandidat presidencial në vitin 2010.

Lirimi i të burgosurve ndodhi në prag të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Bjellorusisë dhe aleatit të ngushtë, Rusisë, dhe pas asaj që Polonia fqinje e quajti një shkelje të paprecedentë të hapësirës së saj ajrore nga dronët rusë.

Ministria e jashtme e Rusisë dënoi udhëheqjen polake për "hapat përçarës" të mbylljes së kufirit. Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se "Putini po tall përpjekjet" e Perëndimit për t’u marrë me të.

Presidenti amerikan Trump kishte treguar muajin e kaluar se ishte në bisedime me Lukashenkon për një lirimin të mundshëm të të burgosurve, ndërkohë që po kërkonte gjithashtu përmirësimin e marrëdhënieve me Vladimir Putinin.

Edhe pse samiti i tij me Putinin nuk pati sukses të dukshëm, Trump duket se ka arritur një marrëveshje me Lukashenkon, i cili ka kaluar dekada i izoluar nga fqinjët e tij evropianë për shkak të sundimit autoritar.