Të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës kanë njoftuar se në Miami janë zhvilluar bisedime "produktive dhe konstruktive", por ende nuk duket se ka ndonjë përparim të madh në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së Rusisë, raportoi BBC-ja të hënën.
I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, lëshoi një deklaratë të përbashkët me kryenegociatorin ukrainas, Rustem Umerov, pas tre ditësh takimesh me aleatët evropianë.
Dyshja ka thënë se takimi u përqendrua në përafrimin e qëndrimeve mbi një plan 20-pikësh, një "kornizë shumëpalëshe garancie sigurie", një "kornizë garancie sigurie amerikane për Ukrainën" dhe një "plan ekonomik dhe prosperiteti".
Bisedime të ndara janë zhvilluar në Miami midis SHBA-së dhe të dërguarit rus, Kirill Dmitriev.
"Prioriteti ynë i përbashkët është të ndalojmë vrasjet, të ketë siguri të garantuar dhe të krijojmë kushte për rimëkëmbjen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të Ukrainës", kanë thënë Witkoff dhe Umerov në një deklaratë.
Witkoff tha se takimet me të dërguarin rus Dmitriev ishin gjithashtu produktive dhe konstruktive dhe se "Rusia mbetet plotësisht e përkushtuar për arritjen e paqes në Ukrainë".
Trumpi ka ushtruar presion mbi Ukrainën dhe Rusinë që të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por deri më tani të dyja vendet nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për çështje të mëdha, përfshirë kërkesën e Moskës për të mbajtur tokën që ka pushtuar tashmë.