Ndërsa Britania dhe Franca pritet ta njohin shtetin palestinez, në terren realiteti është tjetër: vendbanimet izraelite shtohen, palestinezët zhvendosen dhe sulmet e kolonëve mbeten të pandëshkuara. Autoriteti Palestinez po dobësohet, ndërsa thirrjet për aneksim nga qeveria e djathtë izraelite janë intensifikuar
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë muaj në hyrje të kampit të refugjatëve në Jenin, në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku forcat izraelite kanë qëlluar për vdekje një djalë 13-vjeçar, Islam Majarmeh, ndërsa pranë tij qëndronte babai i tij, Abdel Aziz Majarmeh.
“Djali im ra në tokë dhe më pas dëgjova të shtënat”, tha Abdel Azizi, duke kujtuar momentin tragjik. “Një ‘jeep’ ushtarak erdhi dhe pesë a gjashtë ushtarë më drejtuan armët, duke më thënë të largohesha. Nuk e dija as që djali im kishte rënë dëshmor. Fillova ta tërhiqja zvarrë.”
Abdel Azizi kishte hyrë në kamp, i cili është nën kontroll ushtarak të Izraelit që nga janari, për të marrë disa dokumente familjare nga shtëpia e tij. Ai shprehet se nuk ka asnjë instancë ku mund të ankohet.
“Nuk kam kujt t’i drejtohem. Ata kontrollojnë gjithçka. Autoriteti Palestinez nuk është në gjendje të mbrojë as veten – ai vetëm zbaton vendimet e hebrenjve”, u shpreh ai, me një ndjenjë të thellë dëshpërimi.
Si palestinez, Abdel Azizi e ndien veten të pafuqishëm. Por si baba, ai është i thyer shpirtërisht.
“Në mendjen time vazhdoj t’ia bëj një pyetje atij ushtari: pse një djalë 13-vjeçar? Unë isha pranë tij. Më qëllo mua! Pse po i qëlloni fëmijët? Jam këtu, më qëllo mua!”
Ushtria izraelite ka deklaruar se ka qëlluar për të neutralizuar një “kërcënim” nga persona të dyshuar që ishin afruar në një zonë ushtarake të mbyllur. Megjithatë, nuk ka dhënë asnjë sqarim se çfarë rreziku mund të ketë paraqitur 13-vjeçari Islam Majarmeh, i cili u vra në vendngjarje.
Rasti po shqyrtohet nga autoritetet ushtarake izraelite, por mungesa e transparencës për natyrën e “kërcënimit” ka ngritur pikëpyetje dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut.
Qytete si Jenini u vunë nën kontrollin e plotë të Autoritetit Palestinez para tri dekadash, si pjesë e marrëveshjeve të paqes së Oslos mes Izraelit dhe palestinezëve – marrëveshje që synonin krijimin e një shteti palestinez të pavarur.
Por Izraeli pretendon se në vend të paqes, në këto zona u rrit terrorizmi. Në janar të këtij viti ushtria izraelite dërgoi tanke në Jenin dhe qytetin fqinj Tulkarem për të shtypur grupet e armatosura palestineze, duke thënë se do të aplikonte “mësimet e nxjerra në Gazë”.
Që atëherë forcat izraelite kanë mbetur në terren, duke shkatërruar pjesë të mëdha të kampeve të refugjatëve në të dy qytetet dhe duke rrënuar ndërtesa në zona të tjera.
Paralajmërimet për njohje përkeqësuan situatën
Ndërsa lufta në Gazë vazhdon dhe kontrolli izraelit shtrihet gjithnjë më shumë në Bregun Perëndimor, disa shtete perëndimore – përfshirë Britaninë dhe Francën – janë në prag të njohjes zyrtare të shtetit palestinez.
Kryetari i Jeninit, Mohammed Jarrar, ka treguar për gjendjen e rëndë në qytet, ku më shumë se 40% e territorit është shpallur zonë ushtarake nga forcat izraelite. Ai shpjegoi se rreth një e katërta e banorëve janë zhvendosur, përfshirë të gjithë kampin e refugjatëve, pas ofensivës së Izraelit që filloi në janar.
“Që në fillim ishte e qartë se kjo ishte një plan politik i madh, jo një operacion sigurie,” tha Jarrar. “Kjo qeveri izraelite po përgatitet për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe dëshiron të eliminojë çdo kundërshtim [të armatosur] ndaj këtij plani.”
Në hyrje të kampit të refugjatëve, aty ku u vra 13-vjeçari Islam Majarmeh, tani rruga është bllokuar, ndërsa sipas banorëve, snajperët izraelitë vazhdojnë të mbikëqyrin zonën nga ndërtesat përreth.
Përveç ofensivës ushtarake, Izraeli ka vendosur edhe një bllokadë ekonomike ndaj Autoritetit Palestinez (AP), duke ndalur transferimin e të ardhurave nga taksat – të ardhura jetike për pagesën e mësimdhënësve, policisë dhe punonjësve civilë palestinezë.
Izraeli e akuzon AP-në se financon terrorizmin përmes kompensimeve që u jep familjeve të militantëve palestinezë të vrarë. AP thotë se e ka hequr tashmë atë skemë pagese.
Në këtë situatë të rënduar, kryetari Jarrar thotë se ofrimi i shërbimeve bazë është bërë pothuajse i pamundur dhe shumë të rinj po e lënë qytetin.
Megjithatë, përballë këtyre sfidave, ai e sheh si të rëndësishëm hapin e shteteve si Britania dhe Franca drejt njohjes së shtetit palestinez.
“Ky është një konfirmim se populli palestinez ka një shtet, edhe pse nën okupim,” u shpreh Jarrar. “E di se kjo njohje mund të sjellë më shumë okupim në Bregun Perëndimor. Por gjithsesi, njohja është më e rëndësishme, sepse do të formësojë të ardhmen e popullit palestinez dhe do të angazhojë bashkësinë ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e tij.”
Vendimi i Britanisë së Madhe dhe Francës për të njohur shtetin palestinez po shihet gjithashtu si një shenjë e qartë e përçarjes politike që po thellohet mes këtyre vendeve evropiane dhe Izraelit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar me vendosmëri kundër kësaj ideje, duke u shprehur javën e kaluar para kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor se “nuk do të ketë shtet palestinez. Ky vend është i yni. Do të kujdesemi për trashëgiminë tonë, për tokën dhe sigurinë tonë.”
Netanyahu e ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi kundërshtimin ndaj krijimit të një shteti palestinez dhe qeveria e tij ka shtyrë përpara zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor – një proces që komuniteti ndërkombëtar e konsideron ilegal sipas Konventave të Gjenevës.
Aleatët e ekstremit të djathtë të Netanyahut po kërkojnë haptazi aneksimin zyrtar të territoreve palestineze. Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka paraqitur kohët e fundit një plan për aneksimin e 82% të Bregut Perëndimor, duke lënë enklavat palestineze të shkëputura dhe pa lidhje territoriale.
Edhe pse administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump ishte kundër njohjes së një shteti palestinez, ajo nuk e ka kritikuar publikisht përpjekjen e Izraelit për aneksim – duke i hapur rrugë një realiteti të ri në terren.
Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor nga Jordania gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967 dhe nuk është tërhequr kurrë prej andej. Vendosja e popullsisë civile në territore të pushtuara llogaritet si shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por autoritetet izraelite argumentojnë se Bregu Perëndimor është pjesë e “trashëgimisë historike hebraike”.
Sot, në Bregun Perëndimor jetojnë rreth gjysmë milioni kolonë izraelitë. Sipas organizatës izraelite “Peace Now”, e cila monitoron zgjerimin e vendbanimeve, në dy vjetët e fundit janë krijuar mbi 100 vendbanime të reja (outpost-e) në këtë territor.
Kolonët izraelitë ndërtojnë vendbanime të paligjshme pranë Nablusit, palestinezët ndihen të braktisur nga autoritetet
Edhe pse të paligjshme si sipas të drejtës ndërkombëtare ashtu edhe sipas vetë ligjeve izraelite, vendbanimet e reja të ngritura pa leje – të njohura si “outpost” – po marrin mbështetje të heshtur nga qeveria e Benjamin Netanyahut. Këto vendbanime shpesh përkrahen me ndërtim rrugësh, sigurim të energjisë, mbrojtje ushtarake dhe shërbime publike.
Në kodrat në jug të Nablusit, pranë fshatit Burin, Ayman Soufan ka parë nga dritarja e shtëpisë së tij ngritjen e një strehimi të improvizuar me dru dhe llamarinë – një “outpost” i ri që ai thotë se është ngritur nga kolonë nga vendbanimi Yitzhar.
“Ky vendbanim është ngritur për të na dëbuar nga shtëpia jonë. Çdo ditë vjen një kolon dhe rreh derën duke bërtitur ‘Ikni, ikni!’”, tha Aymani për gazetarët. “Na hedhin mbeturina para derës. Thërras autoritetet dhe ata më thonë ‘Do ta dërgojmë ushtrinë’. Por ushtria kurrë nuk vjen. Kolonët janë ushtria, janë policia, janë gjithçka.”
Familja e Aymanit ndërtoi shtëpinë pak vite pas pushtimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli në vitin 1967. Sot, ndonëse ndodhet në territor të njohur ndërkombëtarisht si palestinez, ai ndihet i pambrojtur dhe i rrethuar.
Rastet e tilla nuk janë të rralla. Organizatat që monitorojnë zgjerimin e vendbanimeve thonë se në dy vitet e fundit janë ndërtuar më shumë se 100 “outpost”-e të reja në Bregun Perëndimor – shpesh me qëllimin për të shtyrë palestinezët jashtë tokave të tyre.
Në hijen e luftës
Territoret rurale të Bregut Perëndimor, si kodrat përreth fshatit Burin ku jeton Ayman Soufan, iu dhanë përkohësisht në administrim Izraelit në kuadër të Marrëveshjeve të Paqes së Oslos, me qëllimin që më pas t’i transferoheshin një shteti të ardhshëm palestinez, pas negociatave mbi fatin e vendbanimeve. Por kjo fazë tranzitore kurrë nuk përfundoi.
Në vend të tërheqjes, kontrolli izraelit ka vazhduar dhe vendbanimet janë shtuar në mënyrë të vrullshme. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, forcat izraelite gjithnjë e më shumë po mbështesin sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve.
Ayman kujton si kolonët vendosën flakën në shtëpinë e tij në vitin 2003, gjatë së cilës i ati vdiq nga një sulm në zemër. “Shtëpia është djegur edhe disa herë të tjera prej atëherë”, tha ai. “Kush duhet të më mbrojë? Policia palestineze? Ata nuk arrijnë ta ndalojnë këtë as në qytete, e si do të vijnë këtu? Këtu, siguria ime është në duart e atyre që më pushtojnë.”
Ayman thotë se e përkrah njohjen ndërkombëtare të shtetit palestinez, edhe nëse realiteti në terren nuk do të ndryshojë menjëherë. “E di që ajo që po vjen është më e keqe,” u shpreh ai. “Por nëse një ditë largohem nga kjo shtëpi, do të jetë vetëm kur të më nxjerrin të vdekur. Këtu kam lindur, kam kaluar fëmijërinë. Çdo qoshe ka një kujtim. Si mund të largohem?”
Prej marrëveshjeve të Oslos e deri më sot, narrativa zyrtare izraelite është ashpërsuar, grupet e armatosura palestineze janë forcuar dhe kontrolli i Autoritetit Palestinez mbi territorin është dobësuar ndjeshëm.
“Palestina kurrë nuk ka qenë e tyre dhe as që do të jetë ndonjëherë,” thotë Abdel Aziz Majarmeh, babai i djalit 13-vjeçar të vrarë nga forcat izraelite. “Më herët a më vonë, nesër ose pas një viti, ata do të largohen nga ky vend. Palestina do të çlirohet.”
Britania e Madhe dhe Franca kanë këmbëngulur për dekada në zgjidhjen me dy shtete – izraelit dhe palestinez – si rruga drejt paqes. Por ndërsa territori palestinez është grabitur, institucionet janë minuar dhe lufta në Gaza ka shpërfaqur dështimin politik për të arritur ndonjë zgjidhje konkrete.
Tani, me shtyrjen përpara të planit për aneksim nga ana e aleatëve të ekstremit të djathtë të Netanyahut, tensioni mes Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë ka dalë në pah.
Disa izraelitë e përshkruajnë Bregun Perëndimor si “Perëndimi i egër” – një vend ku shtetësia dhe sovraniteti nuk përcaktohen më nga ligjet apo marrëveshjet, por nga faktet në terren.
Izraeli ka mbrojtur gjithmonë idenë se nuk mund të ketë shtet palestinez pa pëlqimin e tij. Por njohja nga Britania, Franca dhe shtete të tjera duket se po e sfidon këtë qasje – duke e kthyer shtetësinë palestineze në një fakt politik përballë “fakteve në terren” të krijuara nga Izraeli.