Botë

Babai i një pengu izraelit: Marrëveshja e paqes po i imponohet Netanyahut nga Trumpi

trump

Plani për paqe paraqet një “përparim”, por zbatimi i tij mbetet i pasigurt për shkak të përbërjes politike të qeverisë izraelite, thotë Yehuda Cohen, babai i ushtarit izraelit Nimrod Cohen, i cili besohet se ndodhet ende i gjallë në Rripin e Gazës, si peng i Hamasit që nga sulmet e 7 tetorit 2023.

Në një intervistë për BBC, Cohen thotë se pavarësisht shpresës që sjell ky propozim, situata është ende e paqartë.

“Jemi diku në mes – si të thuash, kemi dalë nga ferri, por s’e dimë nëse do hyjmë në parajsë,” u shpreh ai për gazetarin Paul Henley në emisionin Newshour.

Sipas tij, mbetet e paqartë nëse Hamasi do ta pranojë marrëveshjen dhe nëse kryeministri Benjamin Netanyahu do të mund ta zbatojë atë, duke pasur parasysh presionin nga aleatët e tij të krahut të djathtë brenda koalicionit qeverisës.

Yehuda Cohen gjithashtu e përshkroi marrëveshjen si një imponim nga ana e Donald Trump ndaj Netanyahut.

“Mes përqafimeve dhe buzëqeshjeve, Trump në fakt ia imponoi këtë marrëveshje Netanyahut,” tha ai. “Mos harroni që ai e detyroi Netanyahun t’i kërkonte falje kryeministrit të Katarit. Trump po e shtyn këtë marrëveshje përpara, ndërsa njëkohësisht e përqafon Netanyahun”.