Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Austria dyshon për spiunazh rus përmes antenave në ndërtesat diplomatike në Vjenë

Ndërtesa diplomatike ruse në Vjenë

Austria ka ngre shqetësime për aktivitetet e dyshuara të spiunazhit rus, pasi javën e kaluar dëboi tre diplomatë rusë të akuzuar se kishin përdorur imunitetin diplomatik për operacione të inteligjencës në Vjenë, raportoi “Euronews”.

Ministrja e Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger, deklaroi se vendi po mban një qasje më të ashpër ndaj spiunazhit dhe përmendi veçanërisht atë që e quajti “pylli i antenave” në ndërtesat diplomatike ruse në kryeqytet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas studiuesve, gazetarëve hulumtues dhe ish-zyrtarëve të inteligjencës, disa objekte diplomatike ruse në Vjenë janë të pajisura me sisteme të mëdha antenash dhe pjata satelitore që mund të përdoren për përgjimin e komunikimeve.

Një hetim i publikuar nga “Financial Times” raportoi se disa nga këto antena lëvizin dhe ripozicionohen shpesh, gjë që ekspertët e konsiderojnë të pazakontë për sisteme që përdoren vetëm për komunikime diplomatike.

Sipas tij, një ndërtesë diplomatike ruse në lagjen e 22-të të Vjenës duket se funksionon si “stacion i pastër i inteligjencës së sinjaleve”, ndërsa një nga antenat ndryshon rregullisht drejtim, çka ngre dyshime se përdoret për kërkim dhe përgjim të kanaleve të caktuara të komunikimit.

Ekspertët kanë identifikuar gjithashtu struktura të pazakonta mbi çati, të ndërtuara me materiale të lehta si dru dhe plastikë, të cilat ngjasojnë me radome — mbështjellëse speciale që fshehin drejtimin dhe funksionin e antenave.

Ish-agjenti francez i inteligjencës, Claude Moniquet, tha se antena të tilla mund të përdoren për përgjimin e valëve radiofonike, komunikimeve satelitore dhe mbledhjen e të dhënave të telefonave mobilë.

Konsiderohet se pajisje të tilla kanë zakonisht dy funksione: komunikimin me Moskën dhe aktivitetet e spiunazhit në vendin pritës.

Dyshime të ngjashme janë ngritur edhe më herët ndaj ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë në Evropë, ndërsa Vjena vazhdon të konsiderohet një nga qendrat kryesore të spiunazhit ndërkombëtar për shkak të pranisë së organizatave të mëdha ndërkombëtare si OKB-ja, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe OSBE-ja.