Kallas: S’është e sigurt se sulmet e SHBA-së mbi Iranin ishin të ligjshme

8 o. më parë / 25 qer 2025 12:24
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka sugjeruar se ende nuk është e qartë nëse sulmet amerikane ndaj Iranit ishin të ligjshme.

Ajo ka thënë se kushdo që përdor forcën "duhet gjithashtu të justifikojë se kjo është sipas të drejtës ndërkombëtare". 

Kur është pyetur drejtpërdrejt nëse sulmet amerikane ishin të ligjshme, ajo ka thënë se "nuk është absolute".

Kallas thotë se beson që sulmet amerikane ndaj centraleve bërthamore të Iranit e kanë penguar programin e tij. Por ajo thotë se kjo nuk e ka "fshirë" "njohuritë" bërthamore të Iranit, gjë për të cilën thotë se nënvizon nevojën për një zgjidhje diplomatike.

Kallas i ka thënë BBC-së se Perëndimi ka ende çështje të tjera për të adresuar me Teheranin, duke përfshirë programin e tij të raketave balistike, mbështetjen e tij për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe qytetarët evropianë të ndaluar në Iran.

"Ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë të gjitha këto çështje", ka thënë Kallas.

Trumpi krahason bombardimin e Iranit me Hiroshimën

8 o. më parë / 25 qer 2025 12:01
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka krahasuar sulmet e SHBA-së mbi Iran në fundjavë me përdorimin e bombës bërthamore në Japoni, duke thënë se të dyja u përdorën me sukses për t’u dhënë fund luftërave.

“Nuk dua të marr shembullin e Hiroshimës. Nuk dua ta marr shembullin e Nagasakit, por në esencë ishte e njëjta gjë që u dha fund luftës”, ka thënë Trumpi në samitin e NATO-s në Holandë.

Sipas Trumpit, bombardimet mbi Iran e kanë kthyer programin nuklear të këtij shteti për dekada të tëra.

“Nuk mendoj se do ta bëjnë më”, ka thënë ai për ambiciet bërthamore të Iranit. “Ata kaluan nëpër zjarr. Mendoj se ka marrë fund. Gjëja e fundit që duan është pasurimi me uranium”.

Rutte thotë se SHBA-ja dha mesazhin e forcës me sulmin ndaj Iranit

9 o. më parë / 25 qer 2025 11:07
Mark Rutte dhe Donald Trump

Photo: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se SHBA-ja ka "shkatërruar aftësinë bërthamore të Iranit".

Në një konferencë për media bashkë me presidentin amerikan, Donald Trump, para samitit të NATO-s të mërkurën në Hagë, Rutte ka thënë se kjo ishte thelbësore, teksa sulmi sipas tij është kryer në mënyrë mbreslënëse.

Rutte thotë se sinjali që kjo i tregon pjesës tjetër të botës është ai i forcës.

Trump: Po të mos bombardohej, Irani s’do të pajtohej me armëpushim

9 o. më parë / 25 qer 2025 10:58
Mark Rutte dhe Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se sulmi amerikan ndaj lokacioneve bërthamore të Iranit "ishte një sulm shkatërrues" i cili "i la ata në baltë".

Në një konferencë për media të mërkurën në Hagë para samitit të NATO-s, Trumpi ka thënë se nëse objektet e tyre nuk do të shkatërroheshin, atëherë qeveria iraniane "nuk do të ishte pajtuar" dhe nuk do të kishte rënë dakord për një armëpushim.

Trumpi është pyetur se për sa kohë mendon se programi bërthamor iranian është penguar nga sulmet.

"Mendoj se praktikisht për dekada”, është përgjigjur ai. "Mendoj se thjesht kanë kaluar nëpër ferr... gjëja e fundit që duan të bëjnë është të pasurojnë. Kjo goditje i dha fund luftës”, ka shtuar ai.

Një vlerësim i hershëm i inteligjencës së Pentagonit për sulmin e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, i cili ka rrjedhur të martën thotë se ato nuk e shkatërruan programin bërthamor të vendit dhe ndoshta e vonuan atë vetëm "disa muaj, maksimumi".

Trumpi e ka hedhur poshtë më parë vlerësimin.

Ndërkohë, ai ka sugjeruar po ashtu të mërkurën para samitit të NATO-s se po bëhet "përparim i madh" për të zgjidhur luftën në Gaza.

E sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka folur për raportin e rrjedhur të inteligjencës, duke thënë se "objekti i konvertimit" i nevojshëm për të bërë bomba bërthamore është çmontuar dhe nuk mund të shihet më. Ai nuk specifikon se ku ndodhej ky vend.

"Çdo gjë poshtë atij mali është në gjendje të keqe", ka thënë, duke shtuar se Irani tani është "shumë prapa" në programin e tij bërthamor sesa ishte një javë më parë.

Parlamenti iranian voton pezullimin e bashkëpunimit me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së

10 o. më parë / 25 qer 2025 10:00
Parlamenti iranian

Photo: Associated Press

Parlamenti iranian ka votuar për të pezulluar bashkëpunimin me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, sipas raportimeve në median shtetërore.

Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) refuzoi të dënojë sulmet izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj ndërkombëtare.

Ghalibaf ka thënë se autoritetet bërthamore të Iranit "do të pezullojnë bashkëpunimin e tyre me IAEA-n derisa të garantohet siguria e objekteve bërthamore".

Ai gjithashtu ka thënë se "programi bërthamor paqësor i Iranit do të ecë përpara me një ritëm më të shpejtë".

Teksa votimi është simbolik, masa duhet të miratohet nga figura të larta brenda qeverisë iraniane.

Irani ekzekuton tre të burgosur të dyshuar për spiunazh për Izraelin

11 o. më parë / 25 qer 2025 08:55
Iran

Photo: Associated Press

Irani ka ekzekutuar tre të burgosur të tjerë të mërkurën për dyshime se kanë spiunuar për Izraelin, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Ekzekutimet me varje janë kryer në burgun Urmia në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor të Iranit, e cila është provinca më veriperëndimore e vendit.

IRNA ka cituar gjyqësorin e Iranit për lajmin, duke thënë se burrat ishin akuzuar për sjelljen e "pajisjeve për vrasje" në vend.

Irani ka kryer disa varje gjatë luftës së tij me Izraelin, duke shkaktuar frikë nga aktivistët se mund të kryejë një valë ekzekutimesh pas përfundimit të konfliktit.

Irani ka identifikuar burrat e ekzekutuar si Azad Shojaei, Edris Aali dhe shtetasi irakian, Rasoul Ahmad Rasoul. Amnesty International kishte ngritur më parë shqetësime se burrat mund të ekzekutoheshin.

Ekzekutimi i së mërkurës e çon numrin total të varjeve për spiunazh gjatë luftës në gjashtë, që nga 16 qershori. Aktivistët kanë frikë se do të ekzekutohen më shumë njerëz, veçanërisht pasi Irani ka lëshuar një afat të dielën për njerëzit që të dorëzohen për spiunazh.

Ndërkohë, njerëzit në Iran ka nisur përpjekjet për t’iu kthyer jetës normale teksa vazhdon një armëpushim i paqëndrueshëm me Izraelin, i negociuar nga presidenti Donald Trump.

Mbetet në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit

11 o. më parë / 25 qer 2025 08:35
Izrael

Photo: Associated Press

Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, i ndërmjetësuar nga Katari, po vazhdon të respektohet, pavarësisht se të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të tij disa orë pas njoftimit të tij.

Shkeljet fillestare shkaktuan një shpërthim të furishëm nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili tani ndodhet në Holandë për një samit të NATO-s.

Ndërkohë, CNN-i ka publikuar një vlerësim të hershëm të inteligjencës amerikane që zbulonte se sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit mund të mos kenë shkatërruar komponentët kryesorë të programit bërthamor të vendit, duke kundërshtuar pretendimet e Trumpit se e ka "zhdukur" atë.

Çka dihet deri më tani për armëpushimin: 

Armëpushim i brishtë: Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim që ka hyrë në fuqi të martën - megjithëse të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e tij pothuajse menjëherë. Izraeli pretendonte se ka kapur dy raketa të lëshuara nga Irani, të cilat Teherani i ka mohuar. Pastaj Izraeli është kundërpërgjigjur, duke e zemëruar Trumpin.

Trumpi sulmon: Presidenti ka kritikuar të dyja palët, por ishte më i ashpër ndaj Izraelit. "Ne në thelb kemi dy vende që kanë luftuar kaq gjatë dhe aq fort sa nuk e dinë çfarë dreqin po bëjnë", ka thënë ai.

Ai ka pasur një bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të martën në mëngjes, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Pas saj, Izraeli është përmbajtur nga kryerja e sulmeve të mëtejshme, ka njoftuar zyra e Netanyahut.

Duke ndodhur tani: Si Irani ashtu edhe Izraeli kanë thënë që atëherë se do ta respektojnë armëpushimin për sa kohë që vendi tjetër nuk e shkel atë. Por armëpushimet në rajon janë të njohura për brishtësinë e tyre dhe palët e përfshira janë ende në ankth.

Vlerësimi i inteligjencës amerikane: Një vlerësim i hershëm i inteligjencës amerikane ka zbuluar se sulmet amerikane me shumë gjasa e kanë kthyer programin bërthamor të Iranit me muaj prapa, sipas burimeve të informuara për të. Shtëpia e Bardhë ka pranuar ekzistencën e vlerësimit, por nuk është pajtuar me gjetjet e tij. Trumpi gjithashtu ka kundërshtuar raportimin e CNN-it, duke shkruar në mediat sociale se vendet bërthamore të Iranit janë "SHKATËRRUAR PLOTËSISHT!". 

Ndërkohë në Gazë: Luftimet vazhdojnë në Gazë, teksa shtatë ushtarë izraelitë janë vrarë nga një bombë të martën, sipas ushtrisë izraelite. Po të martën, zyrtarët e shëndetësisë në enklavë kanë raportuar 21 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite ndërsa prisnin ndihmë nga Fondacioni Humanitar i Gazës. Grupi i ndihmës mbështetet nga Izraeli dhe SHBA-ja, por është zhytur në tragjedi dhe kaos që nga fillimi i tij muajin e kaluar.