Botë

Anija me mijëra tonë ushqim niset në drejtim të Gazës

ushqime gaza

Një anije me 1,200 tonë ndihma ushqimore për Rripin e Gazës po afrohet në portin izraelit të Ashdodit, ku edhe pritet të ankorohet të martën.

Anija përmban 52 kontejnerë me ndihma elementare si miell, oriz, makarona, ushqim për foshnje dhe produkte të konservuara. Rreth 700 tonë të këtyre ndihmave janë nga Qiproja, të financuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe përmes një fondi të dedikuar për ndihma detare për Gazën.

Ndihmat janë kontrolluar paraprakisht nga autoritetet doganore izraelite në portin e Limassolit në Qipro dhe do të shpërndahen nga Kombet e Bashkuara si dhe organizatat humanitare sikurse “World Central Kitchen”.

Ministri i Jashtëm i Qipros, Kostantinos Kombos, e ka përshkruar situatën humanitare në Rripin e Gazës si “përtej të tmerrshmes”.

Dërgesa po realizohet në kohën kur zyrtarët e grupit militant palestinez, Hamas, e kanë pranuar propozimin e ri për armëpushim nga ndërmjetësit arabë, porse Izraeli nuk e ka miratuar ende.

Ndërkohë, zyrtarët e lartë izraelitë e kanë paralajmëruar riokupimin e zonave të populluara, siç është rasti me qytetin e Gazës, duke rritur frikën për përkeqësimin e situatës humanitare në territorin palestinez.

Bazuar në raportime, më shumë se 200 palestinezë kanë vdekur nga uria ose kequshqyerja që prej fillimit të luftës.

Në Qeverinë izraelite e kanë justifikuar ofensivën si vetëmbrojtje, pas sulmit të Hamasit në tetorin e vitit 2023, ku mbetën të vrarë rreth 1,200 persona dhe u morën peng afro 250 të tjerë.

Mes tjerash, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka cilësuar raportimet për urinë në Gaza si “gënjeshtra” të prodhuara nga Hamasi.