Botë

Ambicia e Trumpit për ta bërë kombëtare goditjen e krimit po nxit tensione

Donald Trump

Dërgimi i trupave ose përkushtimi i agjentëve federalë për punë policore në qytetet e mëdha si Çikago ose Baltimore kundër vullnetit të zyrtarëve demokratë, do të krijonte një provë të re për fuqitë presidenciale që Trumpi kërkon vazhdimisht të zgjerojë dhe do të kërcënonte sovranitetin e shtetit - të cilin republikanët historikisht janë përpjekur ta ruajnë

Përballja e madhe e radhës e Amerikës po krijohet mbi zellin e Donald Trumpit për të imponuar pushtet të pazakontë presidencial, ndërsa ai synon qytete të mëdha të drejtuara nga demokratët për të zgjeruar goditjen kundër krimit që bëri që trupat të dynden në rrugët e Washingtonit.

Retorika e zjarrtë e Trumpit duke pretenduar se krimi është jashtë kontrollit, e cila shpesh është mashtruese, është një faqe klasike nga libri i lojërave të udhëheqësve të fortë. Mund të shkaktojë tensione të larta midis qeverisë federale dhe shteteve mbi kufijtë e autoritetit të tij kushtetues dhe ligjor.

Kërcënimet e presidentit i nxitën demokratët e alarmuar të dielën të paralajmëronin se nuk do të kishte asnjë justifikim për të që të dërgonte trupa në një qytet si Çikago për shkak të kundërshtimit lokal.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e ligjit lokal dhe jo thjesht të lejojmë Donald Trumpin të luajë lojëra me jetën e popullit amerikan si pjesë e përpjekjeve të tij për të prodhuar një krizë dhe për të krijuar një shpërqendrim sepse ai është thellësisht jopopullor”, ka thënë udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, për CNN-in.

Të premten, Trumpi u ka thënë gazetarëve se “Çikago do të jetë objektivi ynë i radhës”, ndërsa ai do të “ndihmonte” Nju Jorkun pas kësaj. Trumpi javën e kaluar ka përmendur gjithashtu Baltimoren dhe Oaklandin e Kalifornisë, për të cilat ka argumentuar se krimi është “shumë i keq”.

CNN ka raportuar të shtunën se administrata Trump ka planifikuar prej javësh të dërgojë Gardën Kombëtare në Çikago, sipas dy zyrtarëve. Ende nuk është e qartë se sa trupa do të dërgohen në Çikago, ose kur do të fillojnë këto vendosje.

Trumpi të dielën ka sulmuar guvernatorin e Marylandit, Wes Moore, një kandidat i mundshëm demokrat për president në vitin 2028, i cili i kishte sugjeruar presidentit të ecte me të nëpër Baltimore për të parë përpjekjet lokale për të ndaluar krimin e dhunshëm. Presidenti e ka kritikuar qytetin si “jashtë kontrollit dhe të mbushur me krime” dhe ka thënë se nuk do të shkonte atje derisa të pastrohej “Fatkeqësia e Krimit”.

Kritikët e Trumpit argumentojnë se vendosja e tij e forcave të Gardës Kombëtare në kryeqytetin e SHBA-së dhe në Los Angeles në përgjigje të demonstratave në fillim të këtij viti kundër politikave të tij të imigracionit, janë operacione prototipi për goditje më të gjera kombëtare.

Por presidenti ka më pak liri veprimesh ligjore për të dërguar trupa federale në qytete dhe për të diktuar politikat e zbatimit të ligjit në shtete sesa në Uashington, një distrikt federal.

Pasojat do të jenë të mëdha

Dërgimi i trupave ose përkushtimi i agjentëve federalë për punë policore në qytetet e mëdha si Çikago ose Baltimore kundër vullnetit të zyrtarëve demokratë të shtetit dhe qytetit, do të krijonte një provë të re për fuqitë presidenciale që Trumpi kërkon vazhdimisht të zgjerojë dhe do të kërcënonte sovranitetin e shtetit - të cilin republikanët historikisht janë përpjekur ta ruajnë.

Shpallja e një tjetër gjendjeje të jashtëzakonshme kombëtare për të federalizuar trupat rezervë të Gardës Kombëtare, të cilat normalisht komandohen nga një guvernator shteti, do të shkaktonte përballje ligjore mbi metodën e preferuar të Trumpit për të zhbllokuar autoritetin ekzekutiv të ri dhe të dyshimtë. Ai sugjeroi javën e kaluar se mund të shpallte një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare në Washington.

Një goditje në një vend si Çikago do t'i ofronte gjithashtu Trumpit mundësinë për të rritur përpjekjet e tij të deportimit masiv me një forcë shtesë në një kohë kur po duket gjithnjë e më shumë se ky është qëllimi i tij kryesor në Washington. Një analizë e CNN-it e të dhënave qeveritare zbuloi se në javën e parë pasi administrata mori kontrollin e forcës policore të kryeqytetit dhe vendosi agjentë dhe trupa federale në rrugë, pati një rënie të moderuar të krimit të raportuar, ndërsa arrestimet e emigrantëve u dhjetëfishuan nga numri tipik i arrestimeve të ICE-së.

Zgjedhja e një qyteti të madh demokrat do t'i lejonte gjithashtu Trumpit të koreografonte një ekstravagancë të re politike në një presidencë performuese të ndërtuar mbi spektakle televizive, nga samitet deri te nënshkrimi i projektligjeve dhe arritja e marrëveshjeve. Substanca shpesh ia kalon simbolikës politike. Rreziku do të ishte që lëvizje të tilla mund të prishnin zinxhirët e komandës midis zyrtarëve të zgjedhur vendorë dhe shefave të policisë, dhe të prishnin iniciativat e policimit në komunitet, të hartuara për të ndaluar krimin e dhunshëm. Dhe kjo do të përforconte një përshtypje në rritje se Trumpi po kërkon të normalizojë përdorimin anormal të ushtarëve në mjediset e brendshme për të ndjekur prioritetet e tij politike.

Siç ka ndodhur në Washington, një goditje në Çikago do t’i jepte Trumpit një mundësi tjetër për të imponuar pushtetin e tij konservator dhe tendencat autokratike mbi një popullsi që votoi me shumicë dërrmuese për kundërshtaren e tij, ish-nënpresidenten Kamala Harris, në vitin 2024.

Pastaj është çështja e pagesës për të gjitha këto.

Zelli në rritje i Trumpit për përdorimin e trupave dhe agjentëve federalë herët a vonë do të ngrejë çështjen e burimeve. Vendosjet e zgjatura të Gardës Kombëtare janë të kushtueshme. Rivendosja e agjentëve federalë nga detyra të tjera mund të ndikojë në aftësinë e FBI-së për të synuar hetimet e krimit transnacional ose antiterrorizmit. Çështja e burimeve ngre pyetje në lidhje me aftësinë e administratës për të miratuar ulje afatgjata të krimit, pasi vendosjet me afat të hapur janë të paqëndrueshme.

Demokratët kundërshtojnë

Paralajmërimet e Trumpit për qytetet që supozohet se janë pa ligj nuk pasqyrojnë domosdo pamjen e vërtetë të rendit publik. Për shembull, krimi në Washington ka rënë në vitin 2024, dhe përsëri deri më tani këtë vit. Në Çikago, policia ka thënë të premten se vrasjet kanë rënë me 31% këtë vit, dhe të shtënat kanë rënë me 36%. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që njerëzit që jetojnë në qytete të mëdha ndihen të sigurt. Shumë do të mirëprisnin të shihnin më shumë policë në rrugë, dhe qytetet dhe shtetet i kanë bërë thirrje qeverisë federale për më shumë partneritete dhe burime - por hezitojnë ndaj zgjidhjeve të imponuara nga Trumpi.

Përshkrimet distopiane (një botë ose shoqëri e imagjinuar në të cilën njerëzit bëjnë jetë të mjerueshme, çnjerëzore dhe të frikshme), të presidentit i ngjajnë gjithnjë e më shumë një përpjekjeje për të krijuar një emergjencë retorike krimi që ai mund ta përdorë më pas për të justifikuar metodat drakoniane (të ashpra) që plotësojnë dëshirën e tij për t'u dukur i fortë dhe përpjekjet e tij për të nxitur deportimet.

“Mendoj se të gjithë duhet të bëjnë një hap prapa dhe të kuptojnë se, si komandant suprem gjatë dy mandateve të tij, ai ka dërguar ushtarë në terren vetëm në qytetet amerikane, kurrë jashtë shtetit. Dhe mendoni se çfarë do të thotë kjo si vend”, ka thënë për CNN ish-kryetari i bashkisë së Çikagos, Rahm Emanuel.

Emanuel sugjeroi se qëllimi i vërtetë i Trumpit është të dyfishojë zbatimin e ligjit për imigracionin në qytete si Çikago - që nuk bashkëpunojnë me autoritetet federale në goditjet kundër emigrantëve pa dokumente.

“Kjo nuk do të ketë të bëjë me luftimin e krimit”, ka thënë ai.

Të shtunën, JB Pritzker, guvernatori demokrat i Illinoisit, lëshoi ​​një deklaratë duke theksuar se shteti i tij nuk kishte marrë asnjë kërkesë ose kontakt nga qeveria federale duke pyetur nëse ka nevojë për ndihmë, pasi Trumpi e emëroi Çikagon si një vend të ardhshëm për rritjen e personelit të tij ushtarak dhe federal.

“Nuk ka asnjë emergjencë që justifikon presidentin e Shteteve të Bashkuara të federalizojë Gardën Kombëtare të Illinoisit, të vendosë Gardën Kombëtare nga shtete të tjera ose të dërgojë ushtri aktive brenda kufijve tanë”, ka thënë ai.

Dhe Pritzker ka sinjalizuar se do të bënte gjithçka që mundte për t'iu kundërvënë pushtetit të jashtëm federal.

“Ne do të vazhdojmë të ndjekim ligjin, të mbrojmë sovranitetin e shtetit tonë dhe të mbrojmë popullin e Illinoisit”, është shprehur ai.

Të dielën, Prokurori i Përgjithshëm i Illinoisit, Kwame Raoul, i ka thënë CNN-it se zyra e tij kërkonte të punonte me entitete federale, duke përfshirë FBI-në, Administratën Kundër Drogës, Byronë e Alkoolit, Duhanit dhe Armëve të Zjarrit dhe Shërbimin Sekret. Ai ka thënë se këto agjenci ishin të trajnuara për të luftuar krimin, ndërsa Garda Kombëtare jo.

Trumpi po “vepron si diktator”, ka thënë Raoul.

“Kthimi i ushtrisë kundër këtyre qytetarëve amerikanë në qytete në tokën amerikane është i pashembullt”, ka shtuar ai.