Botë

Aleatët takohen sot lidhur me garancitë e sigurisë për Ukrainën

Volodymyr Zelensky dhe Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Rreth 30 udhëheqës do të zhvillojnë bisedime të enjten me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky mbi garancitë e ardhshme të sigurisë për Kievin nëse arrihet një armëpushim me Rusinë, duke shpresuar se kanë bërë mjaftueshëm për të bindur Shtetet e Bashkuara të mbështesin përpjekjet e tyre.

Samiti, si personalisht ashtu edhe virtualisht, i "koalicionit të të vullnetshmëve" bashkon udhëheqës kryesisht nga Evropa, por edhe nga Turqia, Australia dhe Kanadaj, raporton Reuters.

Vendet kanë folur për muaj të tërë në nivele të ndryshme për të përcaktuar kontributet e tyre ushtarake në Ukrainë, për të ndihmuar në pengimin e Rusisë nga sulmi i saj përsëri sapo të ketë një armëpushim përfundimtar.

Por këto përpjekje kanë ngecur kohët e fundit pasi qeveritë kanë thënë se çdo rol ushtarak evropian do të kishte nevojë për garancitë e veta të sigurisë nga SHBA-ja. 

E presidenti Donald Trump nuk ka dhënë detaje të qarta se çfarë garanci sigurish mund ofrojë SHBA-ja.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë së bashku me Zelenskyn në Paris të mërkurën se udhëheqësit e koalicionit do të miratojnë të enjten planet për garancitë e sigurisë të përfunduara nga ushtritë e tyre.

Dy zyrtarë evropianë kanë thënë se planet e detajuara "teknike" janë përfunduar pa hyrë në detaje se çfarë do të thoshte kjo në të vërtetë.

"Ne, evropianët, jemi gati t'i ofrojmë garanci sigurie Ukrainës", ka thënë Macron. "Kjo na mundëson të themi me bindje se jemi gati për një paqe të fortë për Ukrainën dhe evropianët, por tani mbetet të shohim sinqeritetin e Rusisë".

Shefat e ushtrisë britanike dhe franceze, të cilët zhvilluan takime të hollësishme javën e kaluar me homologët e koalicionit, do të informonin udhëheqësit të enjten, sipas një shënimi konceptual të dërguar pjesëmarrësve, të parë nga Reuters.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se priste qartësi mbi atë që mund të ofrohej së shpejti.

"Kjo do të thotë që ne mund të angazhohemi edhe më intensivisht, edhe me palën amerikane, për të parë se çfarë duan të ofrojnë në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në garancitë e sigurisë", u ka thënë Rutte gazetarëve në një konferencë për shtyp.